“Me kënaqësi pranojmë kontribute”: Prokuroria e Hagës përgjigjet pasi Dugolli dorëzoi dëshmi për masakrën e Dubravës
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është para një testi të madh. Për herën e parë dikush nga Kosova ka dorëzuar kallëzim penal atje lidhur me krimet serbe në Kosovë.
Ishte deputeti i Vetëvendosjes si dhe i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, që iu drejtua Prokurorisë me prova lidhur me këtë masakër.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në një përgjigje për gazetën Nacionale nuk ka pranuar të ofrojë shumë detaje. Megjithatë, ka thënë se janë të hapur të pranojnë dëshmi të cilat mund të kontribuojnë për proceset.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e diskuton hetimin e vet në medie, por me kënaqësi pranon kontribute përkatëse dëshmuese”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.
Në Kosovë deri më tash Specialen e kanë akuzuar si gjykatë njëetnike. Megjithatë, përfaqësuesit më të lartë të këtij institucioni e kanë mohuar në vazhdimësi këtë. E ky kallëzim penal i deputetit Dugolli, duket se mund t’i jap përgjigje njëherë e mirë kësaj teme.
Deputeti Dugolli në një konferencë që e mbajti në Kuvend para pak ditësh, njoftoi se i është drejtuar me letër zyrtare U.D Prokurorit të Specializuar, Alex Ëhiting.
Në një konferencë për media, ai ka “sfiduar” prokurorinë speciale, duke thënë se nëse kjo gjykatë nuk është një etnike, atëherë nuk ka arsye që mos të fillojnë hetimet.
"Nëse Gjykata Speciale nuk është një etnike, atëherë nuk ka arsye që të mos kryhen hetimet për këtë krim"- ka thënë Dugolli

Tutje Dugolli është shprehur se i mban në mend emrat edhe të urdhërdhënësve edhe të kryerësve të këtyre veprave, dhe se posedon prova të mjaftueshme për t’i deponuar në organet e drejtësië.
“Kërkesa ime është ndaj prokurorit special të Gjykatës Speciale që të nisë hetime sepse kam dëshmi të mjaftueshme për t’u zhvilluar hetimet dhe për t’u ngritur aktakuza në lidhje edhe me këtë masakër. Faktet janë se në atë masakër janë ekzekutuar 116 të burgosur dhe një i zhdukur sikurse Ukshin Hoti. Janë dëshmitarët që ende janë gjallë dhe plagët e tyre flasin vet. Madje këta dëshmitarë nuk kanë nevojë as për mbrojtje të identitetit”, tha ai.
Deri më tash, të paktën zyrtarisht, nuk ka pasur ndonjë hetim, procedurë apo edhe aktakuzë që është ngritur ndaj ndonjë serbi për krime lufte.
Çfarë thonë ligjet?
Në fakt, qysh në Kushtetutën e Kosovës flitet për mandatin dhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Hagës. Aty thuhet se bazë për krijimin e këtij institucioni është raporti i Dick Martyt.
Megjithatë, edhe raporti i Martyt në dy prej pikave i përmend krimet në përgjethsi, pa folur specifikisht për shqiptarët apo serbët.
“Nuk mund dhe nuk duhet të ketë një drejtësi për fituesit dhe një tjetër për humbësit. Kurdo që ka ndodhur një konflikt, të gjithë kriminelët duhet të ndiqen penalisht dhe të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre të paligjshme, pa marrë parasysh se cilës anë i përkasin apo rolit politik që kanë pasur”, thuhet në raportin e Dick Martyt.
Një tjetër dokument që e rregullon mjaft qartë mundësinë ose jo të hetimit të krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë, është Ligji për Dhomat e Specializuara dhe ai për Prokurorinë e Specializuar.
Aty thuhet se Specialja ka juridiksion t’i hetojë të gjithë personat me shtetësi kosovare ose jugosllave, për krimet e pretenduara që janë subjekt i trajtimit nga Specialja.
“Në përputhje me juridiksionin e personalitetit aktiv dhe pasiv të gjykatave të Kosovës sipas ligjeve penale të zbatueshme që kanë qenë në fuqi në mes të periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000, dhe përveç juridiksionit të tyre territorial të paraparë në nenin 8, Dhomat e specializuara kanë juridiksion mbi personat e nënshtetësisë Kosovare/IRJ apo mbi personat që kanë kryer krime në kuadër të juridiksionit të tyre lëndor kundër personave me nënshtetësi kosovare/IRJ kudo që janë kryer ato krime”, thuhet në ligj.
Në anën tjetër, kemi pasur në vazhdimësi deklarata edhe nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Hagë, Ekaterina Trendafilova, se Specialja nuk është gjykatë njëetnike. Megjithatë, ajo kishte thënë se përgjegjësia për hetimet i takon Prokurorisë së Specializuar.
E mbetet të shihet nëse Prokuroria do të procedojë me ndonjë hetim lidhur me dokumentet e dorëzuara nga deputeti Enver Dugolli.
