Mbrojtja e krerëve të UÇK-së me 20-25 dëshmitarë: Më shumë se gjysma prej tyre do të dëshmojnë në gjykatë - NACIONALE

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së me 20-25 dëshmitarë: Më shumë se gjysma prej tyre do të dëshmojnë në gjykatë

3 javë më parë

nga Besian Beha

20 deri në 25 dëshmitarë pritet t’i ketë mbrojtja e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Gjykatën Speciale të Hagës.

Prej tyre, rreth 15 mund të ftohen për të dëshmuar ‘live’ në gjykatë.

Në një parashtrim të cilin e ka parë gazeta Nacionale, thuhet se mbrojtja e Thaçit mund të thërrasë deri në 12 dëshmitarë që do të dëshmojnë në Gjykatë, por që edhe ky numër mund të reduktohet.

Kurse, mbrojtja e Jakup Krasniqit do të ketë 10 dëshmitarë, prej të cilëve maksimalisht pesë do të dëshmojë në Gjykatën Speciale.

Aktualisht, mbrojtja e Veselit dhe Selimit nuk kanë planifikuar të ftojnë dëshmitarë.

“Pas konsultimeve midis ekipeve të Mbrojtjes gjatë javës së 9 qershorit 2025, aktualisht parashikohet që numri i përgjithshëm i dëshmitarëve të Mbrojtjes të mos jetë më shumë se 20 deri në 25. Nga këta dëshmitarë, afërsisht 15 mund të thirren për të dëshmuar drejtpërdrejt (ose viva voce ose në përputhje me Rregullën 154), ndërsa provat e dëshmitarëve të mbetur do të paraqiten në përputhje me Rregullat 153 ose 155. Konkretisht: Mbrojtja e Thaçit mund të thërrasë deri në 12 dëshmitarë drejtpërdrejt, megjithëse ka të ngjarë të jenë më pak; Mbrojtja e Krasniqit mund të thërrasë deri në 10 dëshmitarë, nga të cilët afërsisht pesë mund të thirren për të dëshmuar drejtpërdrejt; dhe as Mbrojtja e Veselit dhe as Mbrojtja e Selimit aktualisht nuk kanë ndërmend të thërrasin ndonjë dëshmitar, por po vazhdojnë hetimet dhe rezervojnë të drejtën për të shtuar dëshmitarë në Listat e tyre të Dëshmitarëve”, thuhet në dokument, raporton Nacionale.

Si rezultat, rasti i mbrojtjes do të jetë dukshëm më i shkurtër se që është menduar. Nga 9 muaj, rasti i avokatëve pritet të përfundojë për tre muaj.

Andaj, mbrojtja ka kërkuar që të ndryshohen disa afate që janë caktuar nga gjyqtarët.

Listën e dëshmitarëve, mbrojtja ka kërkuar ta dorëzojnë më 18 gusht.

Kurse, në javën që vjen gjatë 18 gushtit, të mbahet një konferencë përgatitore për rastin e mbrojtjes.

Në këtë parashtrim, avokatët kanë propozuar që dëshmitari i parë i mbrojtjes të ftohet për të dëshmuar në javën e 15 shtatorit.

Megjithatë, për këtë, pritet vendimi nga gjyqtarët e Speciales.

Aktualisht, procesi ka mbetur në mocionin e avokatëve të krerëve të UÇK-së për hudhjen e akuzave.

Krerët e UÇK-së kanë pasur kohë deri më 12 qershor për të dorëzuar mocionin, kurse vendimi i gjyqtarëve pritet kah mesi i korrikut. Prokuroria do të ketë kohë deri më 7 korrik për të dorëzuar përgjigjet.

“Më 5 qershor 2025, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët lëshoi ​​një urdhër të rishikuar lidhur me caktimin e hapave të ardhshëm në këtë procedurë. Në vendimin e tij më të fundit mbi pranimin e provave të ZPS-së, të dorëzuar në mënyrë konfidenciale më 29 maj të këtij viti, Trupi Gjykues urdhëroi ekipet e Mbrojtjes të dorëzojnë mocionin e përbashkët në përputhje me rregullën 130, deri më 12 qershor, ndërsa ZPS-ja u urdhërua të dorëzojë përgjigjen e saj deri më 14 korrik. Megjithatë, në vendimin e sotëm, Trupi Gjykues e gjeti të përshtatshme, proprio motu (me iniciativën e vet), të zvogëlojë afatin kohor për përgjigjen e ZPS-së më 7 korrik." – thuhet në njoftim.

Në rast se mocioni i mbrojtjes refuzohet, qoftë plotësisht apo pjesërisht, Mbrojtësi i Viktimave do të duhet të jetë i gatshëm të thërrasë dëshmitarët e tij që më 16 korrik. Po atë ditë, ekipet e mbrojtjes duhet të njoftojnë nëse do të paraqesin provat e tyre në vazhdim.

Gjithashtu, Trupi Gjykues ka planifikuar që Konferenca Përgatitore e Mbrojtjes të zhvillohet në javën që fillon më 21 korrik.

"Trupi Gjykues theksoi se aktualisht synon të nxjerrë vendimin e tij sipas rregullës 130 në javën që fillon më 14 korrik. Nëse Trupi Gjykues e refuzon mocionin e Mbrojtjes sipas rregullës 130 tërësisht ose pjesërisht, Mbrojtësi i Viktimave urdhërohet të përgatitet për të thirrur dëshmitarët e tij më 16 korrik, ndërsa ekipet e Mbrojtjes duhet të njoftojnë nëse synojnë të dorëzojnë provat e tyre deri më 16 korrik. Për më tepër, Trupi Gjykues aktualisht synon të mbajë Konferencën Përgatitore të Mbrojtjes në javën që fillon më 21 korrik.“– thuhet më tej.

Andaj, avokatët kanë kërkuar që afatet e mësipërme të ndryshohen.

Lajme të ngjashme