Lirohet nga burgu Shaban Gogaj, ishte i dënuar për vrasjen e Agonis Tetajt
Është liruar nga burgu, Shaban Goga, i cili ishte i dënuar me gjashtë vite e gjysmë burg për vrasjen e Agonis Tetajt, që kishte ndodhur në vitin 2018 në Deçan.
Lajmi është konfirmuar nga avokati i Gogajt, Besnik Berisha, i cili përmes një postimi në Facebook ka njoftuat se ai është liruar dje nga Burgu i Dubravës.
“Meqë kam thirrje e mesazhe te shumta për te konfirmuar nese Shaban Gogaj eshte liru nga burgu, per korrektesi, ndonese nuk e kisha ndermend ta beja teme e as nuk metoj te krekosem per kete vendim, pergjigja eshte PO, Shaban Gogaj eshte liru dje nga Burgu i Dubraves dhe lirimi i tij eshte bere me vendim te Gjykates Supreme.”
“Ashtu sic e kam thene nder vite, vrasja e Agonis Tetaj ishte nje fatkeqesi qe goditi se paku dy familje, por u konfirmua perfundimisht se vrasja ndodhi nga pakujdesia dhe per kete verdikt final u shpreh drejtesia. Shaban Gogaj u lirua nga burgu por jo edhe nga dhimbja shpirterore per humbjen e shokut e kolegut, Agonis Tetaj.” – ka shkruar Berisha.
Çfarë kishte ndodhur?
Gjykata e Apelit ditë më parë kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, sa i përket veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, duke e dënuar me dy vjet burgim. Ndaj Gogajt, u shqiptua dënim unik me 6 vjet e 6 muaj burgim.
Më 15 mars 2024, Themelorja e dënoi Gogajn me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasjen e Agonis Tetajt nga pakujdesia.
Trupi gjykues i cili morri këtë vendim kryesohet nga Violeta Husaj-Rugova dhe përbëhet nga anëtarët Shaqë Curri dhe Sami Sharragjiu.
Ata kanë dënuar Gogajn me 5 vite burg për vrasje nga pakujdesia. Gjithashtu ai u shpall fajtor edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje, duke u dënua me 3 vite burg.
Gjyqtarja Husaj-Rugova në Gjykatën Themelore në Pejë, në departamentin për krime të rënda, dënoi Gogajn me denim unik me 7 vite e gjashtë muaj burgim.
Çfarë kishte ndodhur në shkallën e parë?
Më 14 tetor 2022, Gjykata Themelore e Pejës, kishte shpallur aktgjykim ndaj Shaban Gogaj, i cili ishte dënuar sikurse tash, me 7 vite e gjysmë burg, kjo pasi që ishte bërë rikualifikimi i veprës penale, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.
Ky rast kishte ngjallë shumë reagime, kur prokurori Agron Uka e kishte ricilësuar akuzën nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia.
Agonis Tetaj ishte vrarë në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor. Vrasjen e tij e kreu djali i pronarit të kompanisë, Shaban Gogaj.
Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria e Pejës, përkatësisht prokurorja Sahide Gashi, e cila ishte përjashtuar nga ky rast dhe rasti ishte bartur për përfaqësim në Prokurorinë e Gjilanit.
Rasti mori vëmendjen e opinionit publik kur babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, publikoi pamjet e momenteve tragjike ku djali i tij, Agonis Tetaj mbeti i vdekur në lokalin ku po punonte.
Pamjet ishin publikuar pas ricilësimit të veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.