Largimi i vitit – Alex Whiting, shef i hetimeve në Prokurorinë e Hagës - NACIONALE

Largimi i vitit – Alex Whiting, shef i hetimeve në Prokurorinë e Hagës

2 vjet më parë

nga Besian Beha

Njëra nga largimet më të bujshme gjatë vitit 2023 ishte ajo e Alex Whiting, kryeprokuror në detyrë në Hagë, e gjithashtu shef i hetimeve. Nacionale sjell detaje.

Edhe këtë vit, sikur vitin paraprak, epiteti për ‘Largimin e vitit’ shkon në Hagë. Vitin e kaluar ishte Jack Smith, kësaj radhe zëvendësuesi i tij, Alex Whiting.

Alex Whiting ishte një nga personazhet kryesore në Prokurorinë e Specializuar të Hagës. Ishte fillimisht njeriu kryesor për hetime, e më pas u emërua U.D i Kryeprokurorit, pas largimit të Jack Smith.

Pasi Smith u largua për ta hetuar rastin e Donald Trump në Amerikë, edhe e ardhmja e Alex Whiting përfundoi njëjtë, raporton Nacionale. Whiting iu bashkua ekipit të Smith në rastin ndaj ish-presidentit amerikan.

Për këtë, së pari njoftoi mediumi i njohur, Politico.

Ende nuk dihet saktësisht se çfarë roli do të ketë Whiting në Ekipin e Smith-it, raporton Politico, dhe se të njëjtët nuk i janë përgjigjur ende pyetjeve të mediumit.

Por një reporter i POLITICO-s vëzhgoi Whiting në gjykatën e qarkut të SHBA-së në Uashington, D.C., të mërkurën dhe të enjten, duke kaluar disa orë duke monitoruar gjyqin e një të pandehuri më 6 janar. Gjykatësja në këtë çështje është Tanya Chutkan, e cila është planifikuar të kryesojë gjyqin e Trump në mars mbi akuzat federale që rrjedhin nga përpjekjet e tij për të përmbysur zgjedhjet e 2020”, shkruan mediumi.

Politico, mes tjerash, shkruan se Whiting ka qenë "komentues i shpeshtë" i hetimeve të Trumpit, ku edhe në vitin 2016 kishte shkruar një numër artikujsh rreth hetimeve të Trump-it nga Robert Mueller.

Dhomat e Specializuara me seli në Hagë janë kthyer në institucionin që po ballafaqohet me më së shumti largime.

Fillimisht ishte larguar Prokurori i parë i Specializuar, David Schwendiman. Pas tij kishte dhënë dorëheqje edhe zv/prokurori i specializuar, Kwai Hong Ip. Ishte larguar edhe një prokuror si David Harpbach.

Pas tij, erdhi largimi i madh i Jack Smith, dhe së fundmi i Whiting.

Po në vitin 2023, nga Gjykata Speciale u largua edhe gjyqtari i procedurës paraprake, Nicholas Gillou. Ai u emërua gjyqtar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

“Kryetare Trendafilova shtoi se, ndonëse DHSK-ja do të humbasë një gjykatës dhe koleg të çmuar kur gjykatësi Guillou të fillojë punën si gjykatës në GJPN, kjo nuk do të ketë ndikim në çështjet gjyqësore para DHSK-së, të cilat do të vazhdojnë të zhvillohen pa ndërprerje”, thuhej në njoftim.

Për shkak të largimeve të mëdha, Dhomat e Specializuara gjatë vitit hapën konkurs për dhjetëra pozicione të ndryshme.

Nacionale ka parë një konkurs të cilin e kanë shpallur Dhomat e Specializuara të Hagës. Aty po kërkohen 30 persona në pozicione të ndryshme të punës. Por, pozitat më të rëndësishme përfshijnë zv/prokurorin e specializuar që është njeriu i dytë në Prokurorinë e Hagës e pozitën e shefit të hetimeve, të cilën e mbante Alex Whiting.

Në konkursin për këtë pozitë, thuhet se zv/prokurori duhet të menaxhojë rastin duke bashkëpunuar me Prokurorin e Specializuar.

“Nën mbikëqyrjen e përgjithshme të Prokurorit të Specializuar, të ofrojë menaxhim strategjik të rastit dhe drejtimin, duke punuar ngushtë me Prokurorin e Lartë në zhvillimin e teorive të rasteve; Të mbikëqyrë dhe të kryejë koordinimin strategjik të punës së Udhëheqësit të Hetimeve (Prokuroria), Prokurori i Lartë dhe Këshilltar i Lartë Ligjor dhe aktivitetet e të gjithë Specialistëve Ekipet e Prokurorisë (SPO); Të marrë përsipër përgjegjësinë e përgjithshme menaxheriale për SPO-në, duke përfshirë strategjike dhe operacionale”, thuhet në konkurs.

Kurse, në konkursin për shefin e hetimeve, pozitë që ishte mbajtur nga i larguari Whiting, thuhet se duhet të bëj hetime dhe ndjekjen penale të rasteve brenda mandatit.

Në mesin e pozitave tjera më të rëndësishme që ndikojnë direkt në rastet që janë duke u trajtuar në Hagë, është shpallur konkurs edhe për: Prokurori i Lartë, Prokuror, Bashkëprokuror, Zyrtar Ligjor i Asociuar dhe Hetues.

Nacionale ka parë se konkuri në total është shpallur për 30 pozita, të cilat përfshijnë: Këshilltar i Lartë për Menaxhimin e Informacionit dhe të Rekordeve, Asistent rekrutimi, Zyrtar i Prokurimit, Asistent Administrativ i Stafit, Zyrtar për financa dhe buxhet, Teknik i objekteve (Elektrike/HVAC/Sistemet e Sigurisë), Zyrtar ligjor (Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit ose Gjykata Supreme), Zyrtar i asociuar ligjor (Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit, Gjykata e Lartë ose Gjykata Kushtetuese), Oficeri i Asocuar i Mbrojtjes.

Lajme të ngjashme