Largimet nga Prokuroria e Hagës: Shpallet konkurs për dhjetëra pozita, synohet edhe zëvendësimi i Alex Whiting - NACIONALE

Largimet nga Prokuroria e Hagës: Shpallet konkurs për dhjetëra pozita, synohet edhe zëvendësimi i Alex Whiting

2 vjet më parë

nga Besian Beha

Brenda pak muajsh Prokuroria e Specializuar e Hagës ka mbetur pa dy nga figurat kryesore: atë të Jack Smithit që ishte prokuror i specializuar, dhe Alex Whiting që ishte shef i hetimeve në rastin e krerëve të UÇK-së. Tash, pas largimeve tejet të rëndësishme, Dhomat e Specializuara të Hagës kanë shpallur konkurs për dhjetëra pozita. Nacionale sjell detaje.

Pas largimit të Alex Whiting që ishte zv/prokuror i specializuar e shef i hetimeve në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prokuroria e Specializuar e Hagës ka tentuar të mobilizohet për prurje të reja. Krejt kjo në mes të procesit më të rëndësishëm, ku tashmë në rastin e Thaçit e të tjerëve janë dëgjuar 27 dëshmitarë.

Nacionale ka parë një konkurs të cilin e kanë shpallur Dhomat e Specializuara të Hagës. Aty po kërkohen 30 persona në pozicione të ndryshme të punës. Por, pozitat më të rëndësishme përfshijnë zv/prokurorin e specializuar që është njeriu i dytë në Prokurorinë e Hagës e pozitën e shefit të hetimeve, të cilën e mbante Alex Whiting.

Në konkursin për këtë pozitë, thuhet se zv/prokurori duhet të menaxhojë rastin duke bashkëpunuar me Prokurorin e Specializuar.

“Nën mbikëqyrjen e përgjithshme të Prokurorit të Specializuar, të ofrojë menaxhim strategjik të rastit dhe drejtimin, duke punuar ngushtë me Prokurorin e Lartë në zhvillimin e teorive të rasteve; Të mbikëqyrë dhe të kryejë koordinimin strategjik të punës së Udhëheqësit të Hetimeve (Prokuroria), Prokurori i Lartë dhe Këshilltar i Lartë Ligjor dhe aktivitetet e të gjithë Specialistëve Ekipet e Prokurorisë (SPO); Të marrë përsipër përgjegjësinë e përgjithshme menaxheriale për SPO-në, duke përfshirë strategjike dhe operacionale”, thuhet në konkurs.

Kurse, në konkursin për shefin e hetimeve, pozitë që ishte mbajtur nga i larguari Whiting, thuhet se duhet të bëj hetime dhe ndjekjen penale të rasteve brenda mandatit.

“Të kryejë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Lartë, hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve brenda mandatit të Prokurorisë së Specializuar (ZPS), duke përfshirë hartimin dhe kontributin në zbatimin e strategjive dhe objektivave të prokurorisë; Të mbikëqyrë, menaxhojë, koordinojë dhe drejtojë punën e stafit të Divizionit të Prokurorisë dhe Hetimeve, duke përfshirë ata në Njësinë e Hetimeve dhe Analizave, Njësinë e Ekipit Gjyqësor (Ekipet Gjyqësore) dhe Njësinë e Zbulimit dhe Provave; Të koordinojë dhe mbikëqyrë detyrat e përditshme hetimore dhe prokuroriale”, thuhet në konkursin e shpallur nga Prokuroria e Hagës.

Në mesin e pozitave tjera më të rëndësishme që ndikojnë direkt në rastet që janë duke u trajtuar në Hagë, është shpallur konkurs edhe për: Prokurori i Lartë, Prokuror, Bashkëprokuror, Zyrtar Ligjor i Asociuar dhe Hetues.

Nacionale ka parë se konkuri në total është shpallur për 30 pozita, të cilat përfshijnë: Këshilltar i Lartë për Menaxhimin e Informacionit dhe të Rekordeve, Asistent rekrutimi, Zyrtar i Prokurimit, Asistent Administrativ i Stafit, Zyrtar për financa dhe buxhet, Teknik i objekteve (Elektrike/HVAC/Sistemet e Sigurisë), Zyrtar ligjor (Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit ose Gjykata Supreme), Zyrtar i asociuar ligjor (Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit, Gjykata e Lartë ose Gjykata Kushtetuese), Oficeri i Asocuar i Mbrojtjes.

Pozitat e tjera: Oficer i lartë i sigurisë, Oficer i sigurisë, Mbështetja e sistemit softuer, Psikolog i asociuar/Oficer Mbështetës, Oficeri i Sigurisë së Informacionit dhe Koordinimit, Asistenti i dosjeve gjyqësore, Zëvendës Shefi i Njësisë së Burimeve Njerëzore, Asistent për financa dhe buxhet, Oficeri i Sigurisë Operative, Oficer i sigurisër për dëshmitarë, Zyrtar i Lartë i Mbështetjes Operacionale (Administratë), Koordinator i Programit, Gjuhë/Asistent Administrativ (Shqip).

Krejt këto konkurse vijnë në kohën e largimeve nga Prokuroria e Specializuar e Hagës. Fillimisht u largua Prokurori i Specializuar, Jack Smith, që shkoi për ta hetuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump. Kurse, në fundjavë mediumi prestigjioz Politico raportoi se Smithit i është bashkuar edhe shefi i hetimeve në rastin e krerëve të UÇK-së, Alex Whiting.

Deri më tash nga Prokuroria e Specializuar janë larguar edhe prokurorë të tjerë të njohur. I pari ishte prokurori i Specializar, David Schwendiman. Ai kishte thënë se po largohet pasi ka skaduar afati për emërimin e tij si oficer i lartë për Shërbim të Jashtëm në Departamentin e Shtetit. Megjithatë, më vonë ai kishte thënë se se ai pranoi të merrte vendin e punës me kusht që pavarësia e saj financiare dhe politike të mund të sigurohej dhe se ai do të shërbente për një mandat katër vjeçar deri në vitin 2020. Ai kishte thënë se qëndrimi i tij në pozitën e Prokurorit special do të zgjatej, dhe nuk do të ndërlidhej me shërbimin e jashtëm premtim që sipas tij nuk ishte mbajtur.

Pasues i David Schwendiman si Prokuror i Specializuar për pak kohë, do të ishte Kwai Hong Ip. Ai u emërua në këtë detyurë, derisa të njëjtën pozitë e mori me mandat të plotë Jack Smith, Kryeprokurori aktual i Specializuar.

Megjithatë, Kwai Hong Ip pozitën e zv/prokurorit të specializuar do ta linte të zbrazët pas dorëheqjes në muajin shtator të vitit 2020. Dorëheqja erdhi pak ditë pasi krerët e veteranëve të Kosovës, kishin publikuar dosje me mijëra faqe materiale të Prokurorisë së Specializuar.

Hong Ip kishte dhënë dorëheqje më 17 shtator 2020, pasi në zyrat e OVL-UÇK-së kishin arritur disa herë dosjet. Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar si rëndom, vlerësoi se dorëheqja e tij nuk ndërlidhet me dosjet.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ishte dëmtuar, edhe me largimin e një prej prokurorëve të rëndësishëm si David Harpbach. Muaj më parë ai braktisi Gjykatën Speciale, për t’u bërë avokat në një zyrë në Amerikë.

Lajme të ngjashme