Laboratori ku u zhdukën mostrat e Deharit mbetet ende pa akreditim: Pse u anulua procesi?
Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ende nuk është akredituar nga Drejtoria e Akreditimit në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Ky është laboratori ku u zhdukën muaj më parë mostrat e Astrit Deharit, ngjarje e cila shkaktoi shumë reagime.
E Instituti i Mjekësisë Ligjore pikërisht zhdukjen e provave të Deharit, e ka përdorur si arsyetim që procesi i akreditimit të ndërpritet përkohësisht. Kështu thuhet në një përgjigje që Nacionale e ka pranuar nga Ministria e Drejtësisë.
“Laboratori i toksikologjisë në IML është në procesin e akreditimit. Ky proces ka qenë i pezulluar deri më tani për shkak të situatës së krijuar pas humbjes së mostrave të rastit Dehari dhe për momentin janë duke u bërë përgatitjet për të vazhduar me këtë proces nga muaji qershor”, thuhet në përgjigjen e MD-së.
Ministria e Drejtësisë është zotuar se procesi i akreditimit për Laboratorin ku u zhdukën mostrat e Deharit, mund të akreditohet këtë vit.
“Ky është një proces për të cilin duhet kohë dhe me mbështetjen e MD-së dhe projektit IPA2 në IML, ne shpresojmë që ky laborator do të akreditohet brenda këtij viti”, thuhet më tutje në përgjigje.
Mos-akreditimin e Laboratorit të Toksikologjisë e ka konfirmuar edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Në një përgjigje për Nacionalen, ata kanë bërë të ditur se procesi është ndërprerë me kërkesën e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit e Kosovës (DAK) nuk e ka akredituar Laboratorin e Toksikologjisë. Arsyeja e mos akreditimit të këtij laboratori është se ky laborator pas aplikimit për akreditim ka bërë kërkesë për anulim të aplikimit”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.
“Nëse në të ardhmen ky laborator bën kërkesë për të vazhduar me proces të akreditimit, DAK do te vazhdojë me hapat e mëtutjeshëm të prezantuar në Procedurën e Akreditimit DAK-PT-01”, përfundon përgjigja e Ministrisë së Tregtisë e Industrisë për Nacionalen.
Njoftimi për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit ishte bërë publik në fundin e muajit dhjetor nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Hetimet nisën menjëherë nga Prokuroria Speciale, megjithatë deri më tash asnjë rezultat nuk ka pasur.
Fillimisht, katër persona ishin suspenduar nga Ministria e Drejtësisë lidhur me zhdukjen e këtyre provave. Megjithatë, të njëjtit më pas u kthyen në punë nga Komisioni për Ankesa. Madje, Nacionale kishte raportuar se pikërisht zyrtarët e komisionit të ankesave që i kthyen në punë këta zyrtarë, më pas u avancuan.
Nacionale gjithashtu kishte raportuar se një pjesë e mostrave të Deharit ishin gjetur më pas, në një zonë afër laboratorit por e cila nuk monitorohet nga kamerat e sigurisë.
