Kush janë katër gjyqtarët që do ta gjykojnë Thaçin dhe të tjerët në Hagë
Dy vjet pas arrestimit të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, në një kohë kur pritet të nisë edhe procesi gjyqësor ndaj tyre, gjatë ditës së sotme është caktuar edhe trupi gjykues që do të merret me rastin e tyre.
Charles Smith, Christoph Barthe, Guenael Metraux dhe Fergal Gaynor, jane emrat e caktuar nga Kryetarja e Gjykatës Speciale në Hagë, si katër gjyqtarë kryesor në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, që pritet të nisë me 15 dhjetor.
Të katër gjyqtarët e lartëpërmendur janë me nacionalitete të ndryshme, por ajo që është më interesante, është fakti se tre nga këta gjyqtarë kanë qenë pjesë e trupit gjykues edhe në rastin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.
Bazuar në të dhëna të marra nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs, Nacionale në vazhdim ju sjell në mënyrë më të detajuar, profilin e secilit nga gjyqtarët që janë zgjedhur për çështjen e Thaçit dhe të tjerëve.

Charles Smith
Gjyqtari Charles Smith më shtetësi amerikane, është i njohur për ne fillimisht nga EULEXI, pasi nga viti 2010 deri më 2013 ai ishte gjykatës i EULEX-it. Po gjatë këtij mandati, Smith ishte bërë edhe anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës dhe më pas ishte bërë nënkryetar dhe kryetar i Kuvendit të Gjykatësve të EULEX-it. Por, më të njohur për Kosovën e bën fakti se ishte pikërisht Smith, ai që dha vendimin në rastin e Hysni Gucatit e Nasim Haradinaj në funksionin e Kryegjykatësit të trupit gjykues. Kujtojmë se Charles Smith bashkë me anëtarët e tjerë të trupit gjykues, i gjetën fajtorë Gucatin e Haradinajn për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve e pengim të personave në kryerjen e detyës zyrtare duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burg.
Nëse kthehemi prapa te veprimtaria e tij, Smith në vitin 1990 ishte emëruar gjykatës qarku në Qarkun e Katërt Gjyqësor në shtetin Iowa, ku gjatë periudhës 1996-2010, ishte kryegjykatës dhe anëtar i Këshillit Gjyqësor të po atij shteti. Nga 1970 deri më 1989, ai kishte zyrën e vetë të avokatisë i specializuar për çështje penale dhe civile si dhe në të drejtën tregtare, tatimore dhe të trashëgimisë. Gjykatësi Smith III është i diplomuar si jurist nga Universiteti i Creighton në ShBA.
Smith ishte akuzuar nga ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, se ka marrë vendime sa ishte pjesë e këtij misioni, me qëllime politike. Madje, sipas akuzave të Simmons, Smith i kishte quajtur të akuzuarit në rastin Drenica si "egërsira".

Christoph Barthe
Barthe me shtetësi gjermane, po ashtu anëtar i trupit gjykues në çështjen Gucati dhe Haradinaj, është prokuror publik në Gjykatën Federale të Drejtësisë në Gjermani që nga viti 2010, ku është specializuar në procedimin penal të krimeve të luftës dhe gjenocidit. Gjatë periudhës 2009-2010, ai ishte prokuror publik në Mynih, i ngarkuar me çështje të së drejtës ambientale dhe të drejtës së përgjithshme penale. Më 2008-2009, Barthe kishte punuar si gjykatës në një gjykatë lokale në Rosenheim në Gjermani, në detyrën e gjykatësit hetimor dhe të gjykatësit të trupit gjykues. I diplomuar si jurist nga Universiteti i Bonit (Gjermani) dhe me doktoraturë për të drejtën penale ndërkombëtare në Universitetin e Gotingenit. Gjithashtu Barthe është ligjërues i jashtëm në të drejtën dhe procedurën penale, të drejtën penale ndërkombëtare dhe të drejtën humanitare ndërkombëtare në Rrjetin Evropian për Trajnimin Gjyqësor (EJTN) dhe në Akademinë Gjyqësore të Gjermanisë.

Fergal Gaynor
Gjykatësi Gaynor, me shtetësi irlandeze, është anëtari tjetër i trupit gjykues në rastin Gucati dhe Haradinaj, në funksionin e gjykatësit rezervë. Aktualisht punon si bashkëprokuror ndërkombëtar rezervë në Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatën e Kamboxhias (ECCC) dhe përfaqëson viktimat në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Nga viti 2001 deri në 2013, Garynor ka shërbyer si avokat për prokurorinë në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën dhe Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Gjykatësi Gaynor është diplomuar në Trinity College Dublin Irlandë dhe si magjistër në filozofi në Universitetin e Kembrixhit (MB). Ai është anëtar i Shoqatës së Avokatëve të Irlandës.

Guenael Metraux
Gjyqtari Guenael Metraux, është emri më i ri që është caktuar të jetë anëtar i Trupit Gjykues në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, me shtetësi zvicerane, ai ka shërbyer si këshilltar për shtete, individë dhe OJQ të ndryshme në kuadër të proceseve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe në lidhje me hetime e procedime penale të krimeve ndërkombëtare. Metraux ka punuar si avokat mbrojtës dhe konsulent në çështje të njohura për krime lufte dhe terrorizëm në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Tribunalin Special për Libanin, Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatat e Kamboxhias dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Ai po ashtu ka qenë kryesues dhe anëtar i Panelit të EULEX-it për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut. Aktualisht është profesor i jashtëm në Qendrën Irlandeze për të Drejtat e Njeriut (Universiteti Kombëtar i Irlandës, Galway) dhe profesor i ftuar në Universitetin e Fribourg, Zvicër. Guenael Metraux është i diplomuar si jurist në Universitetin e Lozanës në Zvicër, është magjistruar në të drejtën ndërkombëtare nga Kolegji Universitar në Londër dhe është doktoruar në Universitetin për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës.
Kujtojmë se, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi ballafaqohen me disa akuza që përfshijnë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, të tilla si; Përndjekje, Burgosje, Akte të tjera çnjerëzore, Torturë, Vrasje e Paligjshme dhe Zhdukje me Forcë e Personave.
Gjatë ditës së sotme u bë e ditur se çështja ndaj tyre do të kalojë të trupi gjykues më 15 dhjetor, ndërsa rikujtojmë se për secilën nga akuzat e lartëpërmendura, ish-udhëheqësit e UÇK-së ishin deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre të para më datë 9 nëntor 2020.
