“Kryetari të japë dorëheqje”, “Ministrja nuk mund të përzihet” – Haxhiu shkakton përplasje në Odën e Avokatëve - NACIONALE

“Kryetari të japë dorëheqje”, “Ministrja nuk mund të përzihet” – Haxhiu shkakton përplasje në Odën e Avokatëve

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka akuzuar Odën e Avokatëve se është një nga institucionet me të cilat nuk mund të bashkëpunojë. Kjo deklaratë ka nxitur reagime të shumta: ndryshe mendon lidershipi aktual i Odës, e ndryshe ‘opozita’. Kjo pasi brenda Odës së Avokatëve janë dy grupe, të cilat vazhdimisht kanë pasur përplasje.

Haxhiu tha se Oda e Avokatëve nuk po bashkëpunon, me ministrinë e se nuk po takohen. Haxhiu në këtë kontekst ka kërkuar edhe “reformimin e odës”

“Oda e Avokatëve është institucioni i vetëm me të cilin nuk po mundemi me gjetë bashkëpunimin, fatkeqësisht”, u shpreh Haxhiu, duke shtuar se duhet të ndodhin reforma edhe në Odën e Avokatëve.

Me këto konstatime të Haxhiut, u pajtua edhe zëvendës-kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Qerim Ademaj, i cili tha se as KGJK, nuk po mund të gjejë një gjuhë të përbashkët me Odën.

Këtyre “akuzave” u është bashkuar edhe Kryetari i Degës Regjionale të Prishtinës i Odës së Avokatëve, Nasuf Hasani, i cili i ka thënë gazetës Nacionale, se kryetari Behar Ejupi, duhet të dorëhiqet.

Hasani bashkë me një grup tjetër avokatësh janë që një kohë të pakënaqur me mënyrën se si po udhëhiqet Oda e Avokatëve të Kosovës.

“Reagimi i Ministres së Drejtësisë dhe përfaqësuesit të Këshillit Gjyqësor, lidhur me këtë duhet t’I jap shpjegimet Behar Ejupi si i pari në OAK. Sa i përket meje dhe 4 përfaqësuesve tê Këshillit Drejtues në OAK, duke i parë këto lëshime nga ana e Behar Ejupit në raport me OAK-ën, neve nuk e dimë se çfarë kërkesa ka pasë nga ana e Ministrisë drejtuar OAK-së, prandaj edhe kemi kerkuar nga Behar Ejupi ta jap dorëheqjen nga OAK”, ka thënë Hasani për gazetën Nacionale.

“E shoh të natyrshëm reagimin e Ministres, prandaj duke qenë se në OAK, tash sê fundmi nuk janë miratuar as raportet financiare, me të vërtetë OAK-ë êshtë futur në një rreth vicioz”, ka përfundar Hasani.

Kryetari i Odës së Avokatëve iu përgjigjet të gjithëve

Vet Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi i ka thënë gazetës Nacionale se ministrja Haxhiu, ndoshta dëshiron ta kontrollojë Odën, por nuk do të mund ta bëjë një gjë të tillë:

Mund të ketë dëshira të ministres që ta shtrijë dorën në Odën e Avokatëve të Kosovës, por ne përderisa punëojmë me normativen në fuqi, Ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë bazë ligjore ta kontrollojë Odën e Avokatëve, dhe nuk do të mund ta kontrollojë asnjëherë, e nuk është një organ që ka qenë ndonjëherë i kontrolluar nga politika”, deklaroi Behar Ejupu.

Tutje Ejupi ka komentuar edhe pozicionimin e Kryetarit të Degës Regjionale të Prishtinës, Nasuf Hasani, për të cilin tha se nuk po mund të pajtohet nga humbja për kryetar të Odës, e se mezi pret të shpërndajë lajme të këqija të cilat lidhen me OAK-në.

Njëri ndër ata që e ka shpërndarë lajmin e ministres, për mosbashkëpunim të Odës, është pikërisht kryetari i degës regjionale të Prishtinës i cili ka qenë kundërkandidat i imi, e i cili ka humb në garë, dhe nuk po mundet të pajtohet me faktin se ai nuk është kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës”

“Z. Hasani çdo veprim apo deklarim që shkon kundër Odës së Avokatëve, është i pari i cili me çdo kusht fillon të bëj një lloj njoftimi, thënë kushtimisht, që Oda të dal sa më keq. Oda është e Avokatëve, menaxhohet nga avokatët, financohet nga avokatët dhe vetdisiplinohet nga avokatët. Ne e kemi shumë mirë të organizuar mënyrën e funksionimit të Odës”, deklaroi më tutje Behar Ejupi, i pari i avokatëve të Kosovës.

Tutje Ejupi, ka shtuar se problemi qëndron tek Ministria e Drejtësisë e jo tek Oda, pasi sipas Ejupit, Ministria e Drejtësisë nuk e fton fare Odën, kur ka takime të rëndësishme, duke argumentuar se kurdo që janë ftuar, ata kanë shkuar në takim.

“Problemi është tek Minstria e Drejtësisë e jo tek Oda. Ne nuk kemi mungesë të komunikimit, sepse me 21 korrik të vitit 2022, ne kemi qenë në diskutim për draft-raportin përfundimtar të vlersimit të post-ligjit për avokati, dhe ne kemi pasë ftesë, prandaj kemi shku aty. Pse nuk po e fton Odën e Avokatëve të Kosovës, Haxhiu vet duhet të jap përgjigjje”, përfundoi Behar Ejupi për gazetën Nacionale.

Kujtojmë se përplasjet në mes Ministrisë së Drejtësisë, Odës së Avokatëve, e përplasjet e tjera brenda Odës, u patën bërë publike, në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, kur ministria e disa eksponentë brenda Odës, kërkonin caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare nga ana e odës, kurse këta të fundit refuzonin një gjë të tillë.

Nuk dihet nëse përplasjet me pushtetin dhe brenda vet institucionit, kanë për qëllim “reformimin” siç e quajti ministrja Haxhiu brenda këtij institucioni, apo janë vetëm përplasje brenda temave, në kuadër të të cilave ky institucion punon.

Ajo që tashmë vërehet është një përplasje e vazhdueshme brenda këtij institucioni, me kryeprotagonist, kryetarin Ejupi, e kyetarin e regjionit të Prishtinës, Nasuf Hasani, si dhe me interferime të kohëpaskohëshme edhe nga ministrja Haxhiu.

Lajme të ngjashme