Prokuroria e sqaron: Vajza në video nuk e ka babain prokuror
E PËRDITËSUAR (15:00)
Prokuroria e Prishtinës ka dalur me sqarim në lidhje me videon virale që u shpërnda sot në rrjetet sociale.
Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë ka thënë se vajza në fjalë, nuk e ka prindin prokuror.
“Ju njoftojmë se pas veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, është verifikuar identiti i vajzës në video, V.A, ndërsa babai i saj L.A. i cili nuk ushtron detyrën e Prokurorit të Shtetit në asnjërën Prokurori në nivel të Kosovës. Rasti do të vazhdojë të trajtohet tutje nga organet kompetente”, ka thënë Ulaj.
Kryeprokurori Kelmendi: Po verifikohet videoja me ‘vajzën e prokurorit’
Një video ku një vajzë dëgjohet duke bërtitur në komunikacion se është vajza e një prokurori, ka bërë bujë të madhe në Kosovë. Si rezultat, janë vënë në lëvizje edhe institucionet e drejtësisë. Për këtë çështje, U.D Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi ka folur për gazetën Nacionale.
Pasi i shpëtoi një aksidenti në Prishtinë, një grua me fëmijë nxori telefonin të xhirojë. Megjithatë, ajo u ballafaqua me diçka jo fort të këndshme. Shoferja e veturës pa iu trembur syri, krenohej se është ‘vajza e prokurorit’, duke i kërkuar ta thërras policinë sepse nuk shqetësohet. Madje, edhe e ofendoi.
Videoja në fjalë ka nxitur reagime të mëdha në rrjetet sociale. Por, jo vetëm. Tashmë janë mobilizuar edhe institucionet e drejtësisë.
Ushtruesi i Detyrës së Kryerprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka thënë për gazetën Nacionale se nuk kanë informacione të sakta për këtë çështje.
Megjithatë, ai tha se Prokuroria e Prishtinës ka nisur hetimet për ta verifikuar rastin.
“Nuk e di a është e vërtetë, mund të jenë të gjitha variante. Ajo që mund të them është se Prokuroria e Prishtinës po merret me rastin. Janë duke e verifikuar këtë video që ka dalë”, ka thënë Kelmendi për gazetën Nacionale.
Se i kanë nisur hetimet për këtë video, e kanë konfirmuar edhe nga Prokuroria e Prishtinës. Ata ia kanë konfirmuar Nacionales, se i kanë ndërmarrë të gjitha masat hetimore.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme karshi këtij rasti”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
Çfarë ndodhi?
Në ditën e djeshme, gati ishte të ndodhte një aksident në zonën që njihet si te “Tre Sheshirat” në Prishtinë. Në zebra, një grua me fëmijë po kalonte rrugën. Megjithatë, ajo ishte afër të aksidentohej nga një veturë e tipit Mercedes.
Gruaja anonime me fëmijë, po priste një kërkim-falje nga shoferja e veturës. Megjithatë, kjo nuk ndodhi.
Madje, vajza e re në veturë filloi ta ofendonte gruan duke e kërcënuar se është vajza e një prokurori.
“A po do me thirr policinë a? Babin prokuror e kam. Nanën ta q***”, dëgjohet duke thënë qytetarja në veturë.
Më pas, gruaja tjetër me fëmijë largohet nga disa kalimtarë të rastit.
Reagimet
Për këtë rast, ka reaguar edhe avokati Arianit Koci. Në një postim në facebook, ai i ka gjetur fajtor të dy gratë e përfshira në rast.
“Gabimi në vendkalim të këmbësorëve i kësaj vajze është i patolerueshëm. Për sjellje të mos flasim. Por, edhe zonja nuk ka vepruar mirë. Nuk bllokohet komunikacioni, sidomos nëse je me fëmijë, për me të kërku falje, një individ i paedukatë. Thjesht, e ke videon dhe rastin e raporton në polici. Policia në këto raste është shumë efikase. Jam i bindur që kjo vajza do të dënohet me gjobë të madhe”, ka shkruar Koci.
Ka reaguar edhe deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha.
“Vajza e prokurorit!!!.Kjo video flet për reputacionin e Prokurorisë, ku edhe fëmijët e tyre besojnë se janë të paprekshëm, se munden me shkel njerëz n’rrugë edhe mos me dhanë përgjegjësi. Ku e kanë mësu këtë kulturë? Një e di që nuk ia kanë mësu qytetarët, e kanë mësu diku tjetër. Edhe nëse del se nuk është vajza e prokurorit, veq fakti që e beson në paprekshmërinë e saj duke u lidh me prokurorinë flet shumë për reputacionin e këtij organi dhe drejtësinë në përgjithësi”, thuhet në reagimin e Bashës.
Deri më tash, Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje lidhur me rastin.

