Kosova dhe Shqipëria pritet që nesër të nënshkruajnë marrëveshjen për ushtrimin e avokatit
Këshilli i ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, pritet të nënshkruajnë marrëveshje për njohjen e së drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në mbledhjen e radhës mes dy qeverive, e cila pritet të mbahet të mërkurën më 14 qershor, në Gjakovë.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar draft-marrëveshjen, e cila pritet të nënshkruhet nga të dyja palët, saktësisht nga ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja dhe ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Në draft-marrëveshje thuhet se Kosova dhe Shqipëria bien dakord për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe me qëllim për të thjeshtësuar procedurat për ushtrimin e profesioneve të avokatisë dhe ndërmjetësimit, në zgjidhjen e problemeve.
Aty thuhet se marrëveshja ka për qëllim njohjen e së drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në territorin e Republikën e Kosovës, nga personi që e ka fituar këtë të drejtë në Republikën e Shqipërisë, si dhe anasjelltas.
“Marrëveshja ka si objekt përcaktimin e rregullave të zbatueshme në mundësimin e njohjes së të drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në të dy vendet, si dhe të të drejtave dhe detyrimeve që Palët marrin përsipër për arritjen e qëllimit, sipas nenit 1 të kësaj Marrëveshje”, thuhet më tej.
Sipas draft-marrëveshjes, personi që ka fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin e këtij vendi, ka të drejtën të ushtrojë këtë profesion në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, në përputhje me parashikimet e nenit 5 të kësaj marrëveshje.
Po ashtu, theksohet se personi që ka fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit të ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin e këtij vendi, ka të drejtën të ushtrojë këtë profesion në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, në përputhje me parashikimet e nenit 5 të kësaj marrëveshje.