Konjufca në udhëtim zyrtar, shtyhet gjykimi për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend - NACIONALE

Konjufca në udhëtim zyrtar, shtyhet gjykimi për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

3 vjet më parë

nga Rea Sefa

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, përsëri ka kërkuar që të shtyhet seanca ku ai akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personit zyrtar në vitin 2016 në Kuvend, kur po protesohej kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe e demarkacionit me Malin e Zi.

Kjo kërkesë është bërë për shkak se Konjufca ka njoftuar gjykatën se është në një udhëtim zyrtar- raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Bëhet e ditur se kjo është hera e dytë që Konjufca kërkon që seanca të shtyhet, pasi që ai edhe më 13 prill 2023 kishte kërkuar që të shtyhet seanca e caktuar, shkaku i angazhimeve të tij.

Vepra për të cilën akuzohet Konjufca është ‘’Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’’, nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Lajme të ngjashme