Këta janë serbët që Prokuroria i ka në ‘shënjestër’ për masakrën e Izbicës - NACIONALE

Këta janë serbët që Prokuroria i ka në ‘shënjestër’ për masakrën e Izbicës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Masakra e Izbicës në Skënderaj, është prej krimeve më të mëdha të sistemit serb në Kosovë. Mbi 140 civilë u vranë, përfshirë pleq e fëmijë. Për këtë çështje, Prokuroria Speciale e Kosovës ditë më parë ka ngritur një aktakuzë ndaj një shqiptari për këtë krim. Megjithatë, tashmë shteti i ka në shënjestër edhe emrat e disa serbëve që dyshohet se janë përfshirë në këtë masakër.

Muhamet Alidemaj nga fshati Kërrninë e komunës së Istogut, gjatë periudhës mars-qershor 1999, ishte bërë pjesë e forcave policore dhe ushtarake serbe. Në këtë cilësi, ai nga Prokuroria Speciale e Kosovës po akuzohet se ka marrë pjesë në kryerjen e masakrës së Izbicës, që vlerësohet si një nga krimet më të mëdha të sistemit serb në Kosovë.

Vetë Alidemaj dje u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, duke shtuar se nuk ka kryer krime të luftës.

Megjithatë, bashkë me Alidemajn, Prokuroria ka evidentuar edhe serbët e tjerë të përfshirë në këtë masakër: Ivo Obradoviq, Stanoje Shkerkiq, Sasha Vidiq, Milenko Miletiq, Sava Shkerkiq, Ranko Shkerkiq, Bogoljub Miletiq, Ivica Vidiq, Bane Shkerkiq. Të gjitha këto detaje janë zbardhur në aktakuzën që e ka siguruar gazeta Nacionale, e për të cilën ka raportuar ditë më parë.

“I pandehuri së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe në të cilën bënin pjesë edhe Ivo Obradoviq, Stanoje Sherkiq, Sasha Vidiq, Milenko Miletiq, Sava Sherkiq, Ranko Shkerkiq, Bogojlub Miletiq, Ivica Vidiq, Bane Shkerkiq si dhe persona të tjerë të paidentifikuar, fillimisht kanë zbritur nga mali dhe janë nisur në drejtim të fshatit Izbicë. Pastaj, rreth orës 10:00 shkuan në shtëpinë e Xhemile Osmanajt me ç’rast i pandehuri e plaçkit të dëmtuarën Xhemile duke i marrë para në shumën prej 1000 markave gjermane dhe duke i vënë zjarrin pasurisë së saj. Pastaj i pandehuri së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, shkojnë tek vendi – livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile e fshatit Izbicë dhe fshatrave të tjera përreth. Me dhunë i ndajnë gratë nga fëmijët nën moshën 12 vjeçare dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë. Ndërsa burrat e mbetur i ndajnë në tri grupe, duke i dërguar secilin grup në një vend të caktuar, dhe duke i ekzekutuar me armë automatike, duke i vrarë 130 persona prej të cilëve 14 viktima u identifikuan”, thuhet në pikën 1 të aktakuzës.

Të njëjtit, dyshohen edhe për zhvarrosjen e këtyre trupave, dhe pastaj zhdukjen e tyre në disa varreza massive në Kosovë e Serbi.

Prokuroria Speciale e Kosovës ditë më parë kishte bërë të ditur se hetimet për këtë masakër nuk do të ndalen.

“Prokuroria Speciale njofton opinion publik se hetimi i Masakrës së Izbicës, nuk përfundon me ngritjen e kësaj aktakuze. Rasti është më i madh dhe shumë më kompleks dhe për këtë arsye hetimet janë ende duke vazhduar për të dyshuar të tjerë, për sigurimin e provave tjetra materiale të rëndësishme për zbardhjen në tërësi të kësaj çështje penale”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Organizatat joqeveritare ndër vite patën kritikuar institucionet e drejtësisë për dështimin në hetimin e krimeve të luftës.

Detaje nga raportimet e gazetës Nacionale për masakrën e Izbicës mund t’i lexoni: KËTU

https://nacionale.com/Lajmet/Ngjarja/-Ekskluzive-Nacionale-sjell-aktakuzen-kunder-shqiptarit-te-dyshuar-per-krime-lufte-ne-Izbice-1358

Lajme të ngjashme