Kërkoi hetim për masakrën e Dubravës, Enver Dugollit i shkruan Specialja - NACIONALE

Kërkoi hetim për masakrën e Dubravës, Enver Dugollit i shkruan Specialja

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, tash e një kohë po kërkon nga Gjykata Speciale të nisë hetimet për Masakrën e Dubravës, ku ai vetë është i mbijetuar.

Në një konferencë për media, ai ka “sfiduar” prokurorinë speciale, duke thënë se nëse kjo gjykatë nuk është një etnike, atëherë nuk ka arsye për të mos i filluar hetimet. Dugollit tashmë i ka ardhur një letër nga Specialja, të cilën e ndau me publikun.

Prokuroria e ka garantuar Dugollin se do ta “shqyrtoj” kërkesën e tij.

“Të dashur qytetarë,

Dua t'ju informoj se ditë më parë, kam pranuar një letër nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Letra konfirmon se Prokuroria ka marrë shkresën që i kam dërguar me postë më 29 prill, në të cilën kërkova nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Letra e Prokurorisë po ashtu njofton se kërkesa ime do të shqyrtohet nga ana e tyre.” – ka shkruar Dugolli.

Tutje deputeti ka shkruar se ky është rasti që Gjykata Speciale ta sqaroj përfundimisht nëse është një etnike ose jo.

“Ju falemnderit të gjithëve për mbështetjen tuaj. Mbetem me shpresë se Prokuroria e Specializuar do t'i japë fund pandëshkueshmërisë së autoriteteve të larta të Serbisë për këto krime monstruoze, si dhe ta shfrytëzojë këtë rast për të sqaruar përfundimisht nëse Gjykata Speciale është, apo s'është, gjykatë një-etnike.” –

Kërkesa e Dugollit

Deputeti, në konferencën për medie, kishte thënë se ka prova të mjaftueshme për t’i dorëzuar në Prokurori, e se i mban mend emrat e urdhërdhënësve si dhe të kryrësve.

Kërkesa ime është ndaj prokurorit special të Gjykatës Speciale që të nisë hetime sepse kam dëshmi të mjaftueshme për t’u zhvilluar hetimet dhe për t’u ngritur aktakuza në lidhje edhe me këtë masakër. Faktet janë se në atë masakër janë ekzekutuar 116 të burgosur dhe një i zhdukur sikurse Ukshin Hoti. Janë dëshmitarët që ende janë gjallë dhe plagët e tyre flasin vet. Madje këta dëshmitarë nuk kanë nevojë as për mbrojtje të identitetit”

I mbaj mend edhe emrat që i kanë urdhëruar dhe kryer këto krime.”- ka thënë Dugolli.

Ai tutje është shprehur se nëse kjo Gjykatë nuk është një etnike, nuk ka arsye për të mos filluar hetimet.

"Nëse Gjykata Speciale nuk është një etnike, atëherë nuk ka arsye që të mos kryhen hetimet për këtë krim"- ka thënë Dugolli

Trendafilova: S’jemi një etnik

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekatarina Trendafilova, disa herë është përgjigjur në këtë pyetje. Ajo ka insistuar se Gjykata Speciale nuk është një etnike.

Së pari ne nuk jemi gjykatë një etnike, ne jemi gjykatë, e kemi mandatin që është vendosur me një marrëveshje ndërkombëtare, marrëveshjen e vitit 2014. Më pas me amendamentin kushtetues, neni 162 i është shtuar Kushtetutës së Kosovës, në mënyrë të qartë kemi të bëjmë me ngritjen e Dhomave të Specializuara, si dhe me ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, dhe kemi të bëjmë me krime të kryera në periudhën janar 1998-dhjetor 2000.” – pati thënë Trendafilova para gazetarëve.

Tutje Kryetarja e Gjykatës, tek sa shpjegon rolin e Prokurorit të Specializuar, përmend faktin se në rolin e viktimave, ka diversitet nacionalitetesh.

Këtu është pika e dytë e rolit të prokurorit, Prokurori i Specializuar është për të vendosur se çfarë hetimesh do të ndërmarrë, kë do ta vë para përgjegjësisë dhe kjo është diçka që përsëritet vazhdimisht në media. Dhe nuk e kuptoj pse ekziston kjo këmbëngulje në promovimin e kësaj pikëpamje për Dhomat e Specializuara të Kosovës, kemi të bëjmë me përgjegjësi penale individuale, për krime gjëja të kryera, dhe mandati ynë nuk ka të bëjë me organizata, me grupe, me etni. Pika e fundit, kemi viktima që kanë aplikuar deri më tani në punimet e katër rasteve para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe janë absolutisht të etnive të ndryshme. Ka shqiptarë, për shembull në rastin e prokurorisë speciale kundër z.Mustafa, tetë viktimat janë shqiptarë të Kosovës. Pastaj kemi edhe viktima në rastin kundër z. Shala, kemi në rastin kundër ish-presidentit z.Thaçi, Krasniqi, Selimi dhe Veseli. Pra, kjo është përgjigja ime. Ne nuk jemi fare gjykatë një etnike” – ishte shprehur Trendafilova

Por..

Por, në nenin nji pika dy, të Ligjit për Dhoma të Specializuara, përcaktohet fusha e veprimit si dhe qëllimi i këtij ligji.

Aty përmendet kryefjalë është pikërisht, Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Dhomat e specializuara brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të specializuar janë të domosdoshme për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të parapara në Ligjin nr. 04/L-274, për garantimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe për garantimin e procedurave penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase në lidhje me pretendimet për krime të rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare të kryera gjatë konfliktit në Kosovë dhe pas tij, krime të cilat ndërlidhen me ato që janë raportuar në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Dok 12462, i datës 7 janar 2011, dhe të cilat kanë qenë objekt i hetimeve penale të kryera nga Task Forca Hetimore Speciale (“TFHS”) e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (“PSRK”).” – thuhet në nenin një të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Tutje, edhe në nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, i cili pati hyrë si ndryshim i saj, thuhet se “Republika e Kosovës mund të themelojë Dhomat e Specializuara dhe një Zyre të Prokurorit të Specializuar në kuadër të sistemit të drejtësisë në Kosovë “për t’i përmbushur obligimet ndërkombëtare në lidhje me Raportin e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Dokumenti 12462, të datës 7 janar, 2011”.

E në raportin prej 42 faqesh të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, në asnjërën prej tyre nuk përmenden krimet e forcave serbe të kryera në Kosovë, përfshirë masakren e Dubravës por vetëm pretendimet për krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së.

Lajme të ngjashme