“Ka rrezik të arratisjes”: Ky është vendimi i Gjykatës Supreme për kthimin e Enver Sekiraqës në paraburgim - NACIONALE

“Ka rrezik të arratisjes”: Ky është vendimi i Gjykatës Supreme për kthimin e Enver Sekiraqës në paraburgim

2 vjet më parë

nga Besian Beha

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që Enver Sekiraqa të kthehet në paraburgim.

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, kjo është konfirmuar edhe nga shkalla e tretë gjyqësore.

Enver Sekiraqa i cili tashmë veç është në arrati, është i dënuar me 25 vjet burg për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Arratisja e tij ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, ku patën qëndrime publike edhe kryeministri Kurti e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në vendimin e Gjykatës Supreme për Enver Sekiraqën, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, thuhet se i njëjti ka rrezik për t’u arratisur dhe për ta penguar procedurën penale.

“Kjo Gjykatë vlerëson se ka bazë ligjore për caktimin e masës së paraburgimit konform nenit 184par. 1 nën par. 1.1 e 1.2 pika 1.2.1 të KPP, duke pasur parasysh lartësinë e dënimit të shqiptuar, është rrethanë e cila tregon rrezikun se me lënien në liri të të pandehurit ekziston mundësia që i njëjti të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke u arratisur, ikur apo fshehur për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, e në këtë mënyrë pamundësohet zhvillimi i rregullt i procedurës penale”, thuhet në vendimin e Supremes, raporton Nacionale.

Bazuar në këto arsyetime, Gjykata Supreme ka theksuar se asnjë masë tjetër veç paraburgimit, nuk e zbut rrezikun për arratisje apo ndikim në procedurë.

“Duke pasur parasysh rrethanat e lartcekura, kjo gjykatë konsideron se masat tjera respektivisht mbrojta në liri do të ishte e pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurën penale dhe se pretendimet ankimore të mbrojtësit nuk janë të bazuara. Edhe sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, caktimi i paraburgimit si masë e sigurisë për praninë e tij në procedurë dhe përfundimin e papengesë të saj, është i drejtë dhe i bazuar në ligj”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Ankesën për vendimin e Apelit që Sekiraqa të kthehet në paraburgim, e kishte ndërmarrë avokati i tij Besnik Berisha.

“Arsyetimi i aktvendimit PNl.S.nr.91/2024 është vetëm formalisht i pranishëm në kuptimin grafik dhe strukturor, pasi që nuk ka trajtim të pretendimeve të mbrojtjes. Sipas praktikës së GJEDNJ është theksuar se ndonëse ekzistimi i dyshimit të bazuar se personi ka kryer veprën penale është parakusht për paraburgimin, ai nuk mjafton si arsye e vetme për ndalimin pas një kohe të caktuar, pavarësisht se sa e rëndë është vepra dhe forca provuese e provave kundër të pandehurit. Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate pretendimet e mësipërme ankimore të mbrojtësit janë të pabazuara, sepse ankesa nuk është e kundërligjshme por është e drejtë dhe e ligjshme (siç me të drejtë janë udhëzuar palët për të drejtën e ankesës në aktvendimin e shkallës së parë) si dhe kategori kushtetuese, po ashtu edhe gjykata e shkallës së dytë, duke vepruar sipas ankesës ka të drejtën dhe kompetencën që konform gjetjeve të ndryshojë (si në rastin konkret) vendimin e gjykatës së shkallës së parë”, thuhej në ankesën e Besnik Berishës, e cila është përfshirë në vendimin e Supremes.

Enver Sekiraqa është arratisur tash e disa ditë. Për këtë, Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim publikisht.

Policia kishte bërë të ditur se nuk po arrin ta gjejë Sekiraqën në banesën e tij.

“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

“Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kanë kërkuar të nëjtin, por nuk e kanë hasur në shtëpi”, thuhej më tutje.

Avokati i Sekiraqës, Besnik Berisha, e kishte mohuar se klienti i tij është arratisur. Ai deklaroi se Sekiraqa është në spital.

Për këtë rast reagoi ashpër ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Duket që sistemin ynë gjyqësor për shkak të përvojës së mbrapshtë në mungesë të dënimit të peshqve të mëdhenj po vazhdon të mos këndellet nga gjendja e vet duke toleruar kështu arratisje e përsëritje të veprave kriminale. Sistemi gjyqësor ekziston pikërisht për t’i dhënë qytetarëve drejtësi e siguri, jo frikë dhe panik. Ata duhet të jenë në anën e ligjit, të të dëmtuarve dhe mbi të gjitha të interesit publik, jo në anën krimit, të fortëve e klaneve mafioze”, tha ajo.

Reagoi edhe kryeministri Kurti në një prej mbledhjeve të qeverisë.

“Në javën që po e lëmë pas, kuptuam që njëri nga personat më famëkeq në botën e krimit, i cili u dënua për vrasjen e policit, Triumf Rizës, është arratisur. Arratisja e personit përgjegjës, Enver Sekiraqa, është dështim i sistemit tonë gjyqësor. Qeveria e Kosovës angazhohet për çdo ditë për të përfshirë të gjithë qytetarët. Vendosja e rendit dhe ligjit është kusht i domosdoshëm për arritjen e këtij qëllimi. Reforma në drejtësi që dikur ishte nevojë, tash është urgjencë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Lajme të ngjashme