‘Hile speciale’ në udhëzimin e Ministrisë së Drejtësisë: Çka ndryshoi në përkrahjen për të akuzuarit nga Specialja?
Ministria e Drejtësisë ka hartuar disa ndryshime në Udhëzimin Administrativ për përkrahjen financiare të personave që akuzohen nga Gjykata Speciale në Hagë.
Megjithëse në pamje të parë mund të duken ndryshime të vogla, në formën e pagesës ekipet e krerëve të UÇK-së janë ankuar se mund t’u shkaktojë probleme.
Dihet se në udhëzimin që është aktualisht në fuqi, avokatët paguhen nga shteti i Kosovës me një pjesë të fondeve, varësisht sa është rasti kompleks. Nëse merret shembull rasti i krerëve të UÇK-së, atëherë është niveli 4 i kompleksitetit dhe pagesat në fazën e gjykimit janë 110 mijë euro në muaj.
Në ndryshimin që është bërë së fundmi, te shuma e pagesës është shtuar fjala ‘deri në’. Pra, nuk është 110 mijë euro sa ka qenë, por ‘deri në 110 mijë euro’.
Me udhëzimin që ende është në fuqi, pra pa ndryshime, ekziston një nen që ua mundëson ekipeve mbrojtëse të kërkojnë kompensime më të larta në raste specifike.
“Në raste të veçanta, kur për shkaqe objektive, kërkesa e paraqitur nga mbrojtësi i angazhuar e tejkalon shumën e përcaktuar në marrëveshje, Njësia i propozon Komisionit, shqyrtimin e saj. Propozimi përmban arsyetimin me shkrim. 3. Komisioni shqyrton rrethanat që kanë çuar në tejkalim të tarifave të përcaktuara me këtë Udhëzim Administrativ dhe varësisht nga arsyetimi, e aprovon apo refuzon të njëjtën”, thuhet në nenin 11 të Udhëzimit që është aktualisht në fuqi.
Megjithatë, me ndryshimet që ka bërë Ministria e Drejtësisë, ky nen është fshirë. Pra, ekipeve nuk iu lejohet që të kërkojnë shuma më të larta se ato që janë të parashikuara deri në 110 mijë euro në fazën e gjykimit.
Duke marrë parasysh edhe rastet e shumta që ndërlidhen me pengimin e procedurës së Gjykatë Speciale, MD-ja ka bërë një tjetër ndryshim. Ka shtuar disa detaje, duke specifikuar pagesat për personat që akuzohen për tentim-ndërhyrje në procese.
Me udhëzimin e ri, ekipet mbrojtëse të personave që akuzohen për ndërhyrje, paguhen deri në 5 mijë euro në muaj.
Vetëm pak ditë më parë, avokati kryesor i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, bashkë me tërë ekipin e tij u larguan pasi nuk u vazhduan kontratat si pasojë e problemeve financiare.
Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenberg Legal Assocciates dhe anëtarë të kësaj kompanie, kanë marrë një vendim të tillë për shkak të moskryerjes së obligimeve ndaj tyre.
“Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Associates Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimi nëse nuk u është përmbushur detyrimi.” – thuhet në një njoftim të Dhomave të Specializuara.
Po ashtu, sipas rregullores, nëse caktohet një grup tjetër mbrojtës, avokatët aktualë duhet të vazhdojnë bashkëpunimin “në një periudhë prej jo më shumë se 45 ditë”.
Në anën tjetër, MD-ja ka bërë të ditur se që nga nisja e procesit në Hagë, ekipi i Thaçit ka marrë mbi 3 milionë euro nga buxheti i shtetit. Megjithatë, sipas fondit dhe familjeve të të akuzuarve, mjetet janë të pamjafuteshme për të pasur një mbrojtje efektive.