Heshtja 'e çuditshme' e ambasadorit të ShBA-ve pas nisjes së procesit në Hagë
Nisja e procesit gjyqësor në Hagë tashmë ka marrë vëmendje të jashtëzakonshme, por një heshtje veçanërisht bie në sy: ajo e ShBA-ve. Çka na thotë kjo heshtje?
Pardje, më 2 prill, patëm një manifestim të madh me rreth 30 mijë pjesëmarrës në Prishtinë të quajtur “marshi për drejtësi”. Menjëherë, të nesërmen e asaj dite nisi marshi i vërtetë i drejtësisë, gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Kjo nxiti reagim edhe nga bashkësia ndërkombëtare, prej të cilëve mjaft i zëshëm në mbështetje të punës së Gjykatës Speciale kundër zërave skeptikë ishte ambasadori gjerman Jorn Rohde.
“Nuk është UÇK-ja në gjyq por individët që janë akuzuar për krime të rënda lufte/krime kundër njerëzimit, zhdukje të personave dhe torturë. Drejtësia për viktimat mbetet e rëndësishme – nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për askënd. Gjykata Speciale ka mbështetje të plotë.” – u shpreh përmes Twitterit ambasadori Rohde.
Mbështetje Gjykatës Speciale i dha edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, duke kontestuar po ashtu pretendimet se po gjykohej UÇK-ja.
“Gjykimi është për veprimet e individëve. Nuk është as përpjekja e UÇK-së e as e Kosovës për liri në gjyq dhe as që duhet të jetë. Mbretëria e Bashkuar mbështet intervenimin e saj, si pjesë e NATO-s, si kauzë të drejtë për të parandaluar katastrofën humanitare,” – tha mes tjerash ambasadori Abbott.
Por, deri tash nuk ka pasur asnjë reagim publik nga ambasadori më i rëndësishëm në Kosovë, ai i Shteteve të Bashkuara, Jeff Hovenier.
Ku është Hovenieri?
Më 2 prill, ditën e marshit, ambasadori Hovenier po dënonte me të drejtë djegien e veturave në veri të Kosovës. Ai për një gjë të tillë thoshte se “Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për të ruajtur qytetarët e saj dhe për të siguruar llogaridhënie për këto akte kriminale.”
Sot ndërkohë, ambasadori Hovenier shkroi në shenjë urimi për Finlandën që ishte bërë pjesë e alenacës Veri-Atlantike të NATO-s.
Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka asnjë kontribut në debatin publik për çështjen e Gjykatës Speciale.
Vlen të theksohet që Shtetet e Bashkuara e kishin mbështetur Gjykatën Speciale në vazhdimësi.
Ish-ambasadori Greg Delawie kishte folur në lidhje me çështjen në vitin 2018, duke denoncuar haptas e në mënyrë të ashpër përpjekjen për ta zhbërë ligjin për Gjykatën Speciale.
“Kjo përpjekje paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat vetanake mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet. Më lejoni të jem i qartë: deputetët që e mbështesin këtë nismë – dhe politikanët që i prijnë asaj, përkundër mohimeve të tyre – do t’ju nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra nëse kjo nismë ka sukses. Ata e dinë këtë; ua kemi thënë këtë.” – kishte thënë në atë kohë z. Delawie.
Lidhja tjetër e ShBA-ve me Specialen
Aktualisht, edhe politika amerikane është e lidhur në një mënyrë me Gjykatën Speciale. Ish-kryeprokurori i Speciales, Jack Smith, kishte dhënë dorëheqje në fund të vitit të kaluar për të marrë një detyrë edhe më të rëndësishme nga Departamenti i Drejtësisë në ShBA. Ai u emërua në pozitën e mbikëqyrësit të hetimeve për çështje kriminale në rastin e trazirave të 6 janarit 2020 dhe në rastin e dokumenteve të klasifikuara. Donald Trump – ish-president dhe garues për t’u bërë sërish president – është personi që po hetohet.
Implikimet e punës së Gjykatës Speciale pritet të ndikojnë madje edhe politikën amerikane, me ish-presidentin Trump që po e cilëson hetimin e udhëhequr nga Jack Smith si “politik”.
Për më tepër, ish i dërguari i posaçëm i ShBA-ve, Richard Grenell në dialog, muaj më parë e kishte pranuar se ishte negociuar edhe çështja e Gjykatës Speciale në dialog, çka sipas tij kishte bërë që ish-Kryeprokurori Smith të publikonte aktakuzën për ta parandaluar një gjë të tillë.
Heshtja e deritashme e Hovenier – marrë parasysh rolin e madh të ShBA-ve – është mjaft e çuditshme, por me shumë gjasë ajo mund të thyhet në orët apo ditët në vijim.


