Haxhiu e paralajmëron edhe Policinë: Do të bëjmë veting, MPB-ja ka formuar grup punues - NACIONALE

Haxhiu e paralajmëron edhe Policinë: Do të bëjmë veting, MPB-ja ka formuar grup punues

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po paralajmëron veting edhe në institucionet e sigurisë. Duke folur në Komisionin "ad hoc" për zhvillimin e procesit kalimtar, që njihet ndryshe si Komisioni i Vetingut, Haxhiu ka paralajmëruar se veting pritet të ketë edhe në Policinë e Kosovës.

Në fakt për neve ka qenë proces më i vështirë duke qenë që sistemi i drejtësisë është kategori kushtetuese. Sa i përket Vetingut në institucionet e sigurisë, kjo gjë është proceduralisht më e lehtë. Siç e dini ne në programin qeverisës e kemi edhe vettingun në polici, por aty në nivelet më të larta dhe institucionet më të ndjeshme. Ministria e Punëve të Brendshme e ka formuar grupin punues, është duke punuar në koncept-dokument”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu në fjalën e saj para anëtarëve të Komisionit thotë se Vetingu ka qenë ndër objektivat kryesore të kësaj qeverie.

Ne patëm kërkuar që ta kemi një opinion nga Venecia dhe opinioni i tyre ndonëse nuk e përkrah 100 për qind atë që e ka propozuar Qeveria për një Vetting të përgjithshëm zë sistemit të drejtësisë, ne megjithatë kemi marrë për bazë ato vërejtje. Jemi pajtuar me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe e dimë që këto rekomandime nuk janë të obligueshme, ne e kemi bërë këtë, madje në seancën e Komisionit të Venecias ku u diskutua Projektligji për Byronë Kosovare të Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, morëm fjalë të mëdha nga komisioneri, i cili deklaroi se Kosova është shembull i marrje së rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, tha Haxhiu.

“Iniciativën për “shoshitjen” e Policisë, e përkrahu edhe ish Drejtori i këtij institucioni, tash deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashiq Qalaj.

"Vettingu në sektorin e drejtësisë nuk është i mjaftueshëm, ky vetting mendoj unë duhet t’i përfshijë edhe institucionet e sigurisë, duke pasë parasyshë hallkën që i lidhë këto dy sekotorë.

Vetëm atëherë konsideroj se do të mbyllej procesi që do të ishte i dobishëm për vendin.” Ka thënë Qalaj.

E deputetja e LDK-së Doarsa Kica-Xhelili, e pyeti ministren Haxhiu nëse janë duke punuar për të siguruar votat e deputetëve joshumicë për të votuar ndryshimet Kushtetuese.

Haxhiu tha se do të jetë goxha sfiduese por që kërkoi ndihmën edhe të partive opozitare dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që udhëheq me këtë komision, gjithashtu u deklarua në fyrmë pozitive, duke thënë se ky është vetëm fillimi i një pune të madhe që na pret së bashku në këtë komision.

Çka është Vettingu?

Njëra nga fjalët më të përdorura prej ardhjes në pushtet, të qeverisë Kurti II, është Vettingu. Sistemi i drejtësisë pritet t’i nënshtrohet një reforme të thellë, mirëpo për këtë duhen edhe ndryshime kushtetuese, e së pari vendimi i Komisionit të Venecias.

Fjala “vetting” dhe një historik i shkurtër?

Shumë nga ju keni dëgjuar për Vettingun. Për të kanë folur politikanë, opinionistë, e njohës kryesisht të fushës së drejtësisë.

Nga erdhi fjala Vetting?

Sigurisht pak nga ju keni mundur ta mendoni se një fjalë e tillë, në fakt lidhet me kafshët, specifikisht me garat e kuajve që vite më parë kanë qenë tepër të famshme, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pra, Vettingu ishte fillimisht një term i garave me kuaj, duke iu referuar kërkesës që një kalë të kontrollohet për shëndetin dhe atë nga një veteriner përpara se të lejohet të garojë. Kështu, kjo fjalë ka marrë kuptimin e përgjithshëm “të kontrollosh”.

Bëhet fjalë për një tkurrje figurative të vettingut, që e ka origjinën në mesin e shekullit të 17. Shkurtesa e folur daton në vitet 1860; forma foljore e fjalës, që do të thotë "të trajtosh një kafshë", erdhi disa dekada më vonë. Sipas fjalorit anglisht të Oksfordit, përdorimi më i hershëm i njohur është 1891, dhe u zbatua kryesisht në një kontekst të garave me kuaj "Ai kontrolloi hamshorin para garës", "Ti duhet ta verifikosh atë kalë para se të garojë". Pra duhet t’ia bësh vettingun, përpara se të konstatohet se gjithçka është në rregull me kalin garues dhe se gara mund të fillojë.

Nga fillimi i viteve 1900, vettingu kishte filluar të përdorej si sinonim për vlerësimin, veçanërisht në kontekstin e kërkimit të të metave.

Lajme të ngjashme