Hallakama prokuroriale: Besim Kelmendit i refuzohet masa e përkohshme, paralajmëron ankesë - NACIONALE

Hallakama prokuroriale: Besim Kelmendit i refuzohet masa e përkohshme, paralajmëron ankesë

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Në Këshillin Prokurorial po vazhdon beteja.

Pas shkarkimit të Besim Kelmendit nga U.D Kryeprokurori, ky i fundit u ankua në Gjykatë, dhe bëri kërkesë për masë të përkohshme.

Megjithatë, kjo kërkesë i është refuzuar. Si rezultat, Agron Qalaj do të mbetet U.D Kryeprokuror.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se nuk ka dëm të madh, që të vendoset masa e përkohshme, e cila kërkohet nga Kelmendi.

Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se për vendosjen e masës së përkohshme duhet të ekzistojnë dy kushte kumulative: dëmi real, i rëndë dhe i pakthyeshëm për paditësin dhe mungesa e cenimit të interesit publik.

Sipas gjykatës, paditësi nuk arriti të provojë ekzistencën e një dëmi të pakthyeshëm, pasi detyra e U.D. Kryeprokurorit është përkohshme dhe humbja e saj mund të kompensohet juridikisht me vendim përfundimtar – rikthim në pozitë apo kompensim material.

Avokati i Kelmendit, Flakron Sylejmani, ka deklaruar se do të ankohet në Apel për këtë vendim të Themelores.

“Si përfaqësues ligjor i z. Besim Kelmendi, dëshiroj të njoftoj opinionin publik se, pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është refuzuar kërkesa për caktimin e masës së sigurisë, ne do të paraqesim ankesë në Gjykatën e Apelit, në pajtim me dispozitat procedurale dhe afatet ligjore në fuqi”, ka thënë Sylejmani, raporton Betimi për Drejtësi.

Ai ka thënë se me këtë vendim nuk është vlerësuar ligjshmëria e vendimit për shkarkimin e Kelmendit.

“Procedura meritore mbetet e hapur dhe në shqyrtim”, është shprehur Sylejmani.

Ai ka theksuar se vlerësim i tyre juridik është se arsyetimi i dhënë nga gjykata nuk pasqyron në mënyrë të plotë standardet e nenit 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative, siç është shprehur, “sidomos në pjesën që lidhet me rrezikun e dëmit të pakthyeshëm dhe peshën institucionale të funksionit që ushtronte pala jonë.

“Këta elementë janë vendimtarë në këtë fazë dhe kërkojnë trajtim të posaçëm dhe substancial. Pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit është funksion me rëndësi të veçantë institucionale dhe ndërprerja e ushtrimit të kësaj pozite, para një vendimi meritor, krijon pasoja që nuk mund të rikuperohen me mjete të mëvonshme juridike, madje edhe në rast të aprovimit të padisë. Për këto situata ligji parasheh masën e sigurisë si mjet mbrojtës për të garantuar stabilitet dhe integritet institucional deri në vendimin përfundimtar të gjykatës”, është shprehur Sylejmani.

Kryesuesi i KPK-së Ardian Hajdaraj, zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli, si dhe anëtarët Jetish Maloku, Ariana Shakovci dhe Milot Krasniqi, e shkarkuan Besim Kelmendin në mbledhjen e 20 nëntorit dhe e zëvendësuan atë me Agron Qalajn. Pesë anëtarë të tjerë, përfshirë Kelmendin, atë ditë u larguan nga mbledhja. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit. Ndërkaq në mbledhjen e radhës, e cila u mbajt të hënën, Qalaj qëndroi në sallë duke e mundësuar praninë e shumicës në KPK.

Lajme të ngjashme