Hakerët sulmojnë shtetin, faqet e institucioneve jashtë funksionit - NACIONALE

Hakerët sulmojnë shtetin, faqet e institucioneve jashtë funksionit

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Republika e Kosovës tash e disa ditë po përballet me sulme të mëdha kibernetike.

Qeveria, ministritë, policia, gjykatat, mediat, të gjithë së bashku, janë bërë cak i sulmeve të njëpasnjëshme kibernetike.
Webfaqet zyrtare shtetërore dhe çdo gjë që lidhet me to në internet, janë të pa qasshme.

Sulmi, nuk ka kursyer as mediat më të rëndësishme në vend. Në gazetën Nacionale dhe disa media tjera, rezistenca ndaj sulmeve është qëllimi i vetëm. Të njëjtin qëllim duket se e kanë edhe institucionet e Republikës, ani pse ata janë të thirrur për parandalimin, identifikimin, e ndërmarrjes së masave.

Qeveria e Kosovës deri tash është mjaftuar me konstatimin se “po përballemi me sulm kibernetik”.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, me anë të një statusi në “Facebook”, disa ditë më parë, ka treguar për sulmin.

“Dje dhe sot, ka pasur probleme të kohëpaskohëshme me shërbimin e internetit në Institucionet e Republikës së Kosovës. Ekipi i sektorit të sigurisë kibernetike në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm kanë identifikuar se problemi me shërbimin e internetit është si pasojë e sulmit kibernetik.

Sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë. Është identifikuar që sulmi kibernetik ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb faqe të Institucioneve të Republikës së Kosovës”,ka shkruar ai, duke tregua se institucionet kompetente janë duke u marrë me çështjen.

“Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, gjegjësisht ekipi i sigurisë kibernetike, ka ndërmarrur veprime konkrete me qëllim të tejkalimit të këtij sulmi kibernetik dhe kthimit në funksion të shërbimit të internetit.

Për momentin, gjendja është stabile - shërbimi i internetit si dhe shërbimet tjera online dhe ueb faqet janë funksionale dhe të qasshme. Ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI do të vazhdojë me monitorimin e sigurisë së shërbimeve dhe sistemeve qeveritare dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e funksionimit dhe sigurinë e tyre” ka shkruar Kryeziu.

Sulmi po vazhdon

Me një “klik” të thjeshtë nëpër faqet e internetit të institucioneve të shtetit, vërehet se disa prej tyre punojnë, disa të tjera jo, e pastaj bien këto që ishin funksionale, e funksionalizohen tjerat.

Webfaqja e Policisë, gjatë ditës, më shumë ka qenë jashtë funksionit sesa në funksion.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, i ka thënë gazetës Nacionale se janë duke u munduar të identifikojnë problemet, e tek pastaj pritet të dalin me një deklaratë për publikun.

Momentalisht po më bën. Mua këtu në zyrë, po më bën, më herët nuk funksionoi. Nuk e di saktësisht cfarë po ndodhë. Meqenëse unë nuk jam ekspert i kësaj fushe, nuk mund të konstatoj. Po presim që situatën ta shqyrtojnë ekspertët që i kemi brenda institucionit, e nëse ka diçka më serioze, ne do të dalim me një deklaratë për publikun.”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë se e-mailat të cilat po vijnë në mënyrë konstante në gazetën Nacionale, u kanë shkuar edhe Qeverisë, e disa mediave të tjera.

Emailat janë kërrcënues e paralajmërues për sulme të çdoditëshme.

Shqipëria sërish goditët nga një sulm kibernetik

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka treguar se Shqipëria sërish është goditur nga një sulm kibernetik nga Irani .

Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se sulmi kibernetik është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS

Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, ka shkruar Rama.

Më 15 korrikun, Shqipëria ishte bërë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.

Pas hetimeve të hollësishme, u konstatuar se në këtë sulm ishte përfshirë në mënyrë direkte shteti i Iranit.

Për këtë arsyeje, javën e kaluar, kryeministri Edi Rama ka marrë vendimin për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Brenda 24 orëve është larguar nga Shqipëria ambasadori i Iranit dhe stafi tjetër i ambasadës..

Lajme të ngjashme