Gogaj u dënua me 7 vjet burg, bashkëshortja e Agonis Tetajt: Kjo veç drejtësi nuk ështē - NACIONALE

Gogaj u dënua me 7 vjet burg, bashkëshortja e Agonis Tetajt: Kjo veç drejtësi nuk ështē

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shaban Gogaj, i dyshuari kryesor për vrasjen e Agonis Tetajt, është dënuar me shtatë vite e gjashtë muaj burgim. Gogaj është dënuar për vrasje nga pakujdesia, e jo për vrasje të rëndë, ashtu siç e akuzonte Prokuroria, me ndryshim të veprës penale. Vokati i familjes Tetaj, dhe bashkëshortja e viktimës, kanë reaguar për këtë vendim i cili u cilësua skandaloz nga opinioni publik.

Nacionale të enjten nga Peja raportoi se vendimi u shpall në Gjykatën e Pejës nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, raporton gazeta Nacionale nga Peja.

Albesa Cacaj, bashkëshortja e Agonis Tetajt, i tha Nacionales se kjo nuk është drejtësia që kanë pritur si familje.

“Ne presim nga Gjykata e Apelit që ta vendos drejtësinë duke dhënë dënimin adekuat, për vrasjen e bashkëshortit tim dhe babait të dy fëmijëve të mi, Lisit dhe Blinit”, ka deklaruar ajo.

Cacaj tutje i tha Nacionales se kjo nuk është drejtësi, ndërsa kërkoi nga Prokuroria e Shtetit që të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Kjo veç drejtësi nuk është! Andaj, Kërkoj publikisht nga Prokuroria e Shtetit që të parashtroj ankesë në Gjykatën e Apelit, nga e cila presim që të vendos drejtësinë e merituar”, tha ajo.

Ndërkaq, në lidhje me vendimin ka reaguar edhe avokati i Familjes, Berat Tmava, i cili tha se nuk u befasua me vendimin pasi që edhe shtyrja e seancave, ka treguar se gjykimi do të vazhdojë vetëm kur pala e akuzuar do të jetë bindur se i dyshuari shpallet fajtor për vrasje nga pakujdesia.

“Gjykata me këtë vendim krijoi pasiguri juridike tek qytetarët e Republikës së Kosovës. Kjo çka ka ndodhur sot na kujton kohën e gladiatorëve, kur gladiatorët vdisnin në arenë nga kthetrat e luanëve ndërsa të pasurit të cilët qëndronin më lozhë duartrokitnin! Dy fjalë për Trupin Gjykues, me vendime të tilla nuk mund ta mbuloni anshmërinë e juaj nuk e di se si do të silleshit ju po që se i ndjeri do të ishte anëtar i familjes suaj. Një ditë do të ju ndjekë keqardhja për këtë vendim dhe ajo ditë nuk do të jetë e largët, si dhe do të bindeni se ai vendim nuk ishte vendim i drejtë por vendim i ndikuar. Dostojevski jo më kot ka thënë: Mos u ngutni se në ferr ka vend për të gjithë”, tha ai.

Vrasja e Agonis Tetajt

Në shtatorin e vitit 2018, komuna e Deçanit ishte tronditur nga një vrasje që kishte ndodhur brenda një marketi, që në të njëjtën kohë ishte edhe pompë derivatesh.

Djali i pronarit e kishte qëlluar me armë zjarri në kokë punëtorin Agonis Tetaj.

Rasti fillimisht u cilësua si vrasje e rëndë, e më pas u ricilësua në vrasje nga pakujdesia.

Prindërit e Agonis Tetajt, pas këtij vendimi, kishin marrë vendim që t’i publikonin pamjet e kamerave, ku shihej momenti i vrasjes.

Pas shumë reagimeve, prokurori i ri i rastit kishte vendosur sërish që vepra të cilësohej si vrasje e rëndë.

Kjo nxiti reagime të ashpra nga avokati Besnik Berisha, i cili më pas u dënua nga Gjykata në Pejë për disa herë, duke u përjashtuar krejt në fund nga rasti.

Lajme të ngjashme