Gjykimi në Hagë: A dëmtohet Kosova nëse Thaçi e të tjerët dënohen nga Gjykata Speciale?
Javën e kaluar, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u paraqitën para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, gjë që shënjoi nisjen e “gjykimit special” ndaj tyre. Për shkak burgosjes e përballjes me akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit, gjykimi dhe dënimi i mundshëm i krerëve të UÇK-së në vend po shihet me frikën se mund të dëmtohet imazhi i Kosovës. Por cila është e vërteta?
Nora Weller, avokate dhe studiuese e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në vendet e luftës dhe në shoqëritë e pasluftës pranë Universitetit të Cambridge-it, tha se procesi gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë vë në pikëpyetje nëse populli civil i Kosovës ishte viktimë e Serbisë.
“Tash dy ditë po me dhemb koka nga Prokuroria në Hagë, duke e ditë se nëpër Serbi janë mbi gjashtë varreza masive (se paku këto dihen) nga ku Janë gërrmyer mbi 1000 trupa të njerëzve të pafajshëm nga Kosova, te vrarë nga Serbët. Nga vendet e vrasjeve masive deri tek varrezat masive nëpër Serbi janë rreth 600km (mendoni si shkuan deri atje trupat e të vrarëve). Sot gati gati jemi në pozitë të duhet të dëshmojmë që ishte populli civil i Kosovës që ishte viktimë e Serbisë”, ka shkruar Weller në Facebook.
Gjykata Speciale dhe Kosova
Abit Hoxha, ligjërues dhe hulumtues në Universitetin e Agderit në Norvegji, mendon se akuza e Prokurorisë Speciale e penalizon UÇK-ne dhe Kosovën.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Hoxha tha se dëmtohet rëndë imazhi i Kosovës nëse themeluesit dhe partnerët e NATO-s gjatë bombardimeve shpallën fajtorë.
“Akuza për lidershipin e UÇK-së edhepse me përgjegjësi penale individuale, është e drejtuar ndaj UÇK-së dhe respektivisht Kosovës. Akuzimi për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” e penalizon UÇK-në si organizatë dhe Kosovën si shtet. Dënimi për urdhërdhënje pa e akuzuar apo ditur personin që ka marrë urdhërin në fjalë gjithashtu është absurd dhe indikacion që akuzimi është për elitën politike me qëllim të efektit. Pra, imazhi i Kosovës dëmtohet shumë nëse themeluesit e lëvizjes që shtyu clirimin e Kosovës dhe partnerët i NATO-s gjatë bombardimeve 78 ditore ndaj Jugosllavisë gjenden fajtor.” - tha Hoxha.
Tutje, ai tha se me dënimin e ish-krerëve të UÇk-së vihet në pikëpyetje edhe ndërhyrja humanitare e NATO-s.
“Në qarqe ndërkombëtare madje flitet për imazhin apo përgjegjësinë e NATOs si rrjedhojë dhe vihet një pikëpyetje edhe ndaj argumentave që dërguan në intervenimin ndërkombëtar në Kosovë.” - shtoi Hoxha.
Ndryshe, mendon filozofi Sead Zimeri. Në një prononcim për gazetën Nacionale, Zimeri tha se procesi nuk e dëmton as Kosovën dhe as UÇK-në.
“Imazhi i UÇK-së do të dëmtohet vetëm tek ata që tani kanë një mendim negativ për UÇK-në dhe Serbia dhe aleatët e saj do të mundohen ta përdorin këtë si arsye për të denoncuar tërë lëvizjen e UÇK-së. Por, me ose pa dënimin e tyre, ata kanë një mendim negativ për të, ndaj nuk besoj se do të ndryshojë diçka. Udhëheqësit e UÇK-së nuk mund të identifikohen me UÇK-në.” - tha Zimeri.
Zimeri mendimin e tij e sqaroi me rastin e ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinajt në Tribunalin e Hagës, dhe shtoi se historia e UÇK-së nuk rishkruhet me asnjë proces gjyqësor.
“Sikur fakti që Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm nuk i bëri armiqtë e saj miq të UÇK-së, as dënimi i tyre nuk do t'i bëjë miqtë e saj armiq. Historia e UÇK-së nuk rishkruhet vetëm me një rast gjyqësor kundër disa komandantëve të saj, sepse ka fakte të tjera që rëndojnë më shumë se krimet e disa krerëve të saj.” - ka shkruar ai.
Ju kujtojmë, se pas fjalëve hyrëse, nga nesër do të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

