Nis seanca ndaj Salih Mustafën, Gjykata Speciale sot shpall aktgjykimin
E përditësuar (9:20): Tashmë ka filluar seanca ndaj Salil Mustafës, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur me nofkën “Cali” gjatë luftës. Në seancë prezent është edhe Mustafa, i cili aktualisht po dëgjon akuzën që e ngriti Prokuroria e Specializuar.
Në këtë seancë ka folur edhe gjyqtarja e Gjykatës Speciale, Mappie Veldt Folia, e cicla tha se kjo gjykatë nuk është kundër UÇK-së.
“Duke se ka konceptime të gabuara se këto akuza u ngritën kundër UÇK-së apo të gjithë popullit të Kosovës. Nuk ka asgjë më larg të vërtetës se kjo. Ishte pikërisht populli i Kosovës përmes Kuvendit që zgjodhi të krijonte dhe t’i jepte kompetenca këtij institucioni. Gjithashtu përgjegjësia penale para Dhomave të Specializuara është vetëm në individuale.” – theksoi ajo, transmeton Nacionale.
Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në Hagë gjatë ditës së sotme (e premtë 16 dhjetor), pritet ta shpallë aktvendimin për Salih Mustafën, ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ky njëherësh do te jetë aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë. Mustafa dyshohet për katër vepra penale: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë e vrasje e paligjshme.
Prokurori i Specializuar e akuzon Salih Mustafën për përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në rajonin Gollakut të Kosovës.
Çka dihet për rastin?
Më 24 shtator 2020, Salih Mustafa u arrestua dhe u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Më 28 shtator 2020, bëri paraqitjen e parë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e mëtejshme më 28 tetor 2020, z. Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat e paraqitura në aktakuzë.
Palët, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Mbrojtja dorëzuan (në mënyrë konfidenciale) versionet më të fundit të dosjeve paraprake, përkatësisht më 22 shkurt dhe 6 maj 2021. Më 7 maj 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I.
Tetë viktima morën pjesë në procesin gjyqësor si një grup i vetëm dhe u përfaqësuan në sallën e gjyqit nga mbrojtësja e viktimave.
Çka po kërkon Prokuroria?
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar dënim maksimal për Salih Mustafën. Prokuroria ka kërkuar dënim prej 35 vitesh burgim për Calin, në lidhje me akuzat për ndalim arbitrar, torturë, trajtim mizor dhe vrasje. Këtë e ka bërë të ditur sot, në seancën ku u dha fjala përfundimtare.
Salih Mustafa dyshohet se këto vepra penale për të cilat akuzohet nga Prokuroria i ka kryer në Qendrën e Ndalimit në fshatin Zllash.
“Gjatësia e masës së dënimit duhet të jetë në përputhje me krimet e bëra nga i akuzuari, pasojat e rënda mbi viktimat, faktorëve fajësues dhe mungesën e faktorëve shfajësuese. Ju keni patur disa pyetje lidhur me cështjen në dosje. Nuk kemi mbuluar këto çështje në masë mëtejshme me përjashtim të pyetjeve tuaja. Pjesa e gjashtë e dosjes përfundimtare diskuton masën e dënimit i cili arrin në maksimum e dënimit me burgim të përjetshëm. Dhe për këtë duhet të marrim parasysh krimet e rënda, rolin e të akuzuarit, praninë e tij në to, praninë e faktorëve rëndues. Krimet janë tejet brutale”, tha prokurori Mihailczuk në seancë.

Tutje, ai ka kërkuar që dënimi të jetë i rreptë.
“Dënimi i tij duhet të pasqyrojë rolin e tij të dyfishtë. Dënimi duhet të jetë i rreptë. Një udhëheqës që abuzonte me rolin e tij. I akuzuari nuk ka shprehur ngushëllime për dëmin e shkaktuar viktimave dhe familjeve të tyre, nuk ka pranuar dhimbjen e viktimave. Të gjitha këta faktorë rëndues, janë të rëndësishëm për përcaktimin e dënimit të tij. Krimet e kryera nga i akuzuari janë të rënda. Sjellja e tij ka qenë serioze, dhe ka pasur pasoja shkatërruese tek viktimat. Mund ta bëni këtë duke vendosur dënime të kërkuara nga ZPS-ja që mendoj se janë plotësisht të përshtatshme”, theksoi prokurori i Hagës.