Gjykata Speciale i liron nga paraburgimi Bashkim Smakajn e Fadil Fazliun
Gjykata Speciale ka liruar nga paraburgimi edhe Bashkim Smakajn e Fadil Fazliun.
Kështu ka mësuar gazeta Nacionale nga burime të sigurta brenda zhvillimeve.
Nacionales lajmin ia konfirmoi edhe Gjykata Speciale.
“Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan përkohësisht në Kosovë me kushte, pas shqyrtimit më të fundit të paraburgimit nga Gjyqtari i Vetëm i Gjykatës në rastin Prokurori i Specializuar kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçit”, thuhet në përgjigje.
Pak më parë, u konfirmua edhe lirimi i Haxhi Shalës.
Lajmin e bëri të ditur Gjykata Speciale, duke shtuar se Haxhi Shala kishte dërguar një letër, e ku ka shprehur keqardhje.
“Mes të tjerash, Kryetarja Trendafilova mori parasysh se z. Shala kishte treguar disa shenja rehabilitimi dhe se i kishte dërguar asaj një letër në të cilën shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kishin pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij. Ajo mbajti parasysh gjithashtu marrëdhëniet familjare pozitive të z. Shala, mjedisin e qëndrueshëm të jetesës dhe rrjetin e gjerë shoqëror, që tregojnë perspektivë të arsyeshme rehabilitimi”, thuhet në njoftim.
“Kryetarja gjykoi se, ndonëse veprat penale për të cilat ai u shpall fajtor janë të rënda, z. Shala e kishte shkruar letrën me nismën e vet dhe pa ndihmë ligjore, pas një periudhe reflektimi. Ajo konstatoi se letra e tij ishte shenjë e distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat u shpall fajtor”, thuhet më tutje.
“Nuk ka rrezik”: Ky është vendimi i Gjykatës Speciale për lirimin e Smakajt dhe Fazliut
Gjykata Speciale ka dhënë detaje për lirimin nga paraburgimi të Bashkim Smakajt e Fadil Fazliut.
Në njoftim për media thuhet se të akuzuarit, kanë qëndruar kohë të gjatë në paraburgim.
“Në vendimet e tij të 3 shkurtit 2026, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të z. Smakaj dhe z. Fazliu në dhjetor 2025 dhe se mbajtja e tyre në paraburgim nuk ishte më e arsyeshme apo proporcionale. Megjithëse Gjykatësi konstatoi se ende ekzistonte njëfarë rreziku që, në qoftë se lirohen, si z. Smakaj ashtu edhe z. Fazliu mund të pengojnë ecurinë e procesit, ai arriti në përfundimin se e drejta themelore e tyre për liri peshon më shumë se këto rreziqe”, thuhet në njoftim.
“Ndër faktorë të tjerë, Gjykatësi mori parasysh se koha që z. Smakaj dhe z. Fazliu kanë kaluar deri tani në paraburgim tejkalon dënimin minimal që do të merrnin sipas ligjit në qoftë se do të shpalleshin fajtorë. Gjykatësi mori parasysh gjithashtu se faza e paraqitjes së provave në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k. Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit tashmë ka përfunduar dhe se nuk ka gjasa që ndonjë veprim i mundshëm pengimi i tentuar nga z. Smakaj ose z. Fazliu të mos zbulohet. Gjykatësi konstatoi gjithashtu se nuk ka rrezik që z. Fazliu dhe z. Smakaj të arratisen, sidomos duke pasur parasysh shumën e dorëzanisë financiare të ofruar prej tyre, të cilën do ta humbisnin në rast se arratisen”, thuhet më tutje.
Ndaj tyre, megjithatë janë caktuar disa masa.
“Z. Smakaj dhe z. Fazliu mbeten të akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tyre janë caktuar një numër kushtesh. Në përputhje me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe me Kushtetutën e Kosovës, të akuzuarit mund të mbahen në paraburgim para shpalljes së fajësisë vetëm kur gjykatësit konstatojnë ekzistencën e rreziqeve që përligjin paraburgimin. Për çdo person të paraburgosur, gjykatësit rivlerësojnë çdo dy muaj nëse këto rreziqe ende ekzistojnë, nëse ato mund të trajtohen nëpërmjet masave alternative, dhe nëse vazhdimi i paraburgimit është ende i domosdoshëm dhe proporcional”, thuhet në njoftim.