Gjykata Speciale e sqaron çështjen e fondeve nga Amerika: Kontributi është me transferimin e disa anëtarëve të stafit
Vendimi i presidentit të Amerikës, Donald Trump, për pezullimin e një pjese të fondeve për mekanizma jashtë shtetit, ka shtuar spekulimet se nga ky zhvillim, është afektuar edhe Gjykata Speciale e Hagës.
Megjithatë, Specialja po pretendon se nuk kanë marrë asnjëherë fonde direkte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Dhomat e Specializuara të Kosovës, kanë theksuar se buxheti i miratuar është mbi 97 milionë deri në qershor 2025.
Por që sipas Speciales, fondet janë nga Bashkimi Evropian.
Në përgjigje thuhet se kontributi i Amerikës ndërlidhet kryesisht me transferimin e posteve të disa anëtarëve të stafit.
“Buxheti aktual prej 97 100 000 euro për periudhën 15 qershor 2023 deri më 14 qershor 2025 është financuar nga Bashkimi Evropian. Të gjitha buxhetet e mëparshme janë siguruar nga Bashkimi Evropian. Zvicra ka kontribuar në Programin e Prezantimit të Dhomave të Specializuara që nga viti 2018, aktualisht me një grant mbi 137,000 euro. Norvegjia në atë kohë financoi rinovimin e ndërtesës së gjykatës.Kontributi i shteteve të tjera, përfshirë ShBA-në, ndërlidhet kryesisht me transferimin e posteve të disa anëtarëve të stafit”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Nacionalen.
Në Kosovë, pati raportime se Amerika ka pezulluar disa fonde për Gjykatën Speciale.
Vendimi i Donald Trumpit
Departamenti amerikan i Shtetit, ka urdhëruar ngrirjen e financimeve të reja, sipas urdhrit ekzekutiv që presidenti amerikan Donald Trump, nënshkroi të hënën.
Programet e ndihmës ndërkombëtare amerikane, zhvillohen kryesisht përmes USAID (Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar).
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u ka dërguar mesazh ambasadave amerikane në mbarë botën, duke sqaruar zbatimin e urdhrit ekzekutit të presidentit Trump.
Në këtë mesazh, veç tjerash thuhet se “asnjë ndihmë e mëtejshme ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara nuk do të shpërndahet në një mënyrë që nuk është plotësisht e përputhur me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
Radio Evropa e Lirë, raporton se ende nuk është e qartë se si do të ndikojë ky vendim te programet aktuale të SHBA-së për ndihma, pasi financimi për shumë programe tashmë është miratuar nga Kongresi amerikan dhe duhet të shpenzohet, nëse nuk është shpenzuar ende.
USAID-i ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.
Fondet e Speciales
Gjykata dhe Prokuroria e Hagës vazhdojnë ta kenë financues kryesor Bashkimin Evropian, raporton Nacionale.
Ashtu siç ka raportuar gazeta Nacionale rreth fondeve të reja që ka pranuar Specialja, është konfirmuar edhe nga kjo e fundit në raportin vjetor.
Në raportin e punës për vitin 2023, është theksuar se Komisioni Evropian ka ndarë saktësisht 90 milionë euro për Gjykatën Speciale. Kjo shumë që do të përdoret prej qershorit 2023, deri në qershor 2025.
“Procesi u mbyll me sukses me miratimin e buxhetit prej 97 100 000 eurosh për periudhën 15 qershor 2023 – 14 qershor 2025. NJFB-ja punoi me Komisionin Evropian për pagesën e shpejtë të këstit të parë, i cili u mor në qershor 2023”, thuhet në raport.
Kontata paraprake mes Speciales dhe BE-së, ishte afro 103 milionë për periudhën qershor 2021 – qershor 2023.
“Krahas saj, DHSK-ja administroi fonde në përputhje me Kontratën e Pestë për Subvencionim, që u nënshkrua nga Administratorja në emër të DHSK-së dhe ZPS-së, dhe Komisioni Evropian, për periudhën dyvjeçare 15 qershor 2021 – 14 qershor 2023, në shumën prej 103 279 698 euro. Krahas fondeve të akorduara nga BE-ja, DHSK-ja administroi edhe shumën prej 147 000 euro, të akorduar nga qeveria zvicerane për aktivitetet informuese dhe ndërgjegjësuese të DHSK-së në vitet 2022 dhe 2023”, thuhet në raportin vjetor.
Për ndarjen e re buxhetore, Nacionale kishte raportuar kohë më parë bazuar në dokumentet publike të Bashkimit Evropian.
Gati 400 milionë euro për 9 vjet
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vetëm për 9 vjet nga Bashkimi Evropian kanë pasur rreth 400 milionë euro fonde që janë ndarë.
Nacionale kohë më parë kishte publikuar një artikull që tregonte se Specialja për 7 vjet nga BE-ja kishte përfituar 275 milionë euro. Nëse i shtohet edhe granti i fundit mbi 106 milionësh, atëherë shuma totale e kalon 380 milionëshin.
Kjo është vetëm një nga mënyrat e financimit të Speciales, të cilat gjithashtu përfitojnë edhe nga shtetet e treta kontribuese si Norvegjia, Zvicra, Amerika e shtete të tjera.
2016 – 2017: Shtetet anëtare të BE-së e kanë përkrahur Gjykatën Speciale me buxhet prej 29 milionë e 100 mijë euro.
2017 – 2018: Shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar buxhet për Specialen në vlerë 41 milionë e 314 mijë euro.
2018 – 2020: Për këto dy vjet, Bashkimi Evropian ka ndarë buxhet për Dhomat e Specializuara në vlerë 86 milionë e 250 mijë euro.
2021 – 2023: Për këto dy vite BE-ja ka ndarë 110 milionë e 279 mijë euro.
2023 – 2025: Nga qershori 2023 deri në qershor 2025 mbi 106 milionë euro.