Gjykata e liron nga paraburgimi njërin prej administratorëve të grupit "Albkings"
Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka ndërprerë masën e paraburgimit Edin Nevzadit, i cili është i dyshuar si njëri nga administratorët e grupit në Telegram “AlbKings”, nga i cili po denigroheshin gratë dhe vajzat.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” Gjykata Themelore e Prishtinës, duke bërë të ditur se lirimi i të njëjtit është bërë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
“Për njoftimin tuaj me datë 17.10.2024 gjykata ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkesën për ndërprerjen e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit E.N. Prokuroria e ka njoftuar gjykatën se ka ardhur në përfundim, që ndaj të pandehurit E.N kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar masa e paraburgimit, pasi që i njëjti në prezencën e mbrojtësit të tij sipas autorizimit, ka arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, po ashtu i pandehuri ka dhënë adresë të saktë të vendqëndrimit në Republikën e Kosovës, ku janë edhe familjarët e tij dhe ka premtuar se deri në përfundim të procedurës penale do të paraqitet çdo herë, kurdo që ti kërkohet nga ana e Prokurorisë dhe Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Themelores.
Sipas Gjykatës, të dyshuarit Nevzadi masa e paraburgimit nuk i është zëvendësuar me ndonjë masë tjetër, pasi nuk ka pasur kërkesë nga prokuroria.