Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim vrasjen e Agonis Tetajt - NACIONALE

Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim vrasjen e Agonis Tetajt

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim vrasjen e Agonis Tetajt.

I dyshuari për vrasjen e Tetajt, Shaban Gogaj, ishte dënuar me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim.

Kjo pasi rasti ishte cilësuar vrasje nga pakujdesia.

“Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë të Departamentit për Krime të Rënda, PKR.nr.43/2019 të datës 14.12.2022, i akuzuari Sh.G. është shpallur fajtor për shkak të veprës penale vrasje nga pakujdesia nga neni 181 të KPK dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose në posedim të pa autorizuar të armëve, nga neni 374 paragrafi 1 të KPK, ndërsa i akuzuari I.C. është shpallur fajtor për shkak të veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose në posedim të pa autorizuar të armëve, nga neni 374 paragrafi 1 të KPK, ashtu që i akuzuari Sh.G. është gjykuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vite e 6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa të akuzuarit I.C., i është shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 2000 (dymijë) euro, të cilin dënim është obliguar që të paguaj në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Apeli ka renditur edhe arsyet.

“Gjykata e Apelit me aktvendimin PAKR.nr.103/2023, të datës 23.03.2023, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan-Departamenti për Krime të Rënda dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe çështja i është kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje. Në arsyetim të aktvendimit gjykata e shkallës së dytë ka theksuar aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë me shkelje të cilat nuk mund të jenë pjesë përbërëse e çështjes penale dhe të njëjtat aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, e bëjnë të pa kuptueshëm dhe është e vërtetë se në këtë çështje penale, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor dhe është nxjerrë aktgjykimi, mirëpo gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat të cilat e karakterizojnë çështjen penale. Tutje është theksuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar ekzistimin e veprës penale, për të cilën e ka shpallur fajtor të akuzuarin, si dhe rezulton se në masë të duhur nuk janë vlerësuar të gjitha provat të cilat janë pjesë përbërëse e kësaj lënde penale për të gjetur përfundimin e rikualifikimit të veprës penale nga vepra penale e vrasjes së rëndë, nga neni 179 par.1 pika 1.5 të KPK, në veprën penale të vrajës nga pakujdesia, nga neni 181 të KPK, si dhe motivin e kryerësit të veprës penale. Ndërsa sa i përket çështjes së paraburgimit, i njëjti është shqyrtuar por kolegji i kësaj gjykate ka ardhur në përfundim se i njëjti duhet të zgjatet, ngase ende ekzistojnë kushtet ligjore, që i akuzuari Sh.G., të qëndroj në paraburgim”, thuhet në vendim.

7 vjet burgim nga Themelorja

Shaban Gogaj, i dyshuari kryesor për vrasjen e Agonis Tetajt, ishte dënuar me shtatë vite e gjashtë muaj burgim 5 muaj më parë. Gogaj është dënuar për vrasje nga pakujdesia, e jo për vrasje të rëndë, ashtu siç e akuzonte Prokuroria, me ndryshim të veprës penale.

Vendimi është shpallur nga Gjykata e Pejës, me kryetare të trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova.

Gjyqtarja e dënoi Gogajn për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje. Kjo ishte hera e tretë që ka ndryshime në veprën penale.

Fillimisht, Gogaj ishte akuzuar për vrasje të rëndë. Më pas, vepra ishte kthyer në vrasje nga pakujdesia. Prokuroria e ndërroi sërish veprën në vrasje të rëndë dhe sot Gogaj dënohet për vrasje nga pakujdesia.

Rasti Tetaj ishte bllokuar për një kohë të gjatë, pasi i dyshuari Shaban Gogaj nuk pranonte asnjë avokat tjetër përveç Besnik Berishës.

E vetë Berisha ishte përjashtuar nga rasti për shkak të veprimeve të tij në seanca gjyqësore.

Deri te revolta e avokatit Berisha kishte ardhur pasi vrasja e Agonis Tetajt ishte kualifikuar nga vrasje nga pakujdesia, në vrasje të rëndë. Pas kësaj, babai i Tetajt i kishte publikuar xhirimet e vrasjes, ku shihej momenti kur Gogaj e kishte goditur me armë Tetajn.

Kjo kishte nxitur reagime të ashpra në publik, duke bërë që krejt rasti të rihapej dhe vepra të cilësohej sërish si vrasje e rëndë.

Pas këtij veprimi të Gjykatës, avokati Besnik Berisha pati kritika të ashpra, përderisa, më pas, në process ai u përjashtua.

Oda e Avokatëve ua kishte ndaluar avokatëve mbrojtjen e Gogajt sipas detyrës zyrtare, si shenjë pakënaqësie për veprimin ndaj Besnik Berishës. Kjo e kishte bllokuar për 1 vit procesin, derisa u arrit një marrëveshje mes Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Odës së Avokatëve.

Bllokimi i procesit

Rikthimi i veprës penale “vrasje e rëndë” në këtë rast kishte bërë që avokati Besnik Berisha, mbrojtës i dorasit Shaban Gogaj, të kishte reagime të ashpra në gjykatë. Si pasojë, ai u gjobit e më pas u përjashtua nga trupi gjykues. Oda e Avokatëve kishte marrë vendim që t’ua ndalojë përfaqësimin të gjithë avokatëve në këtë rast, sipas detyrës zyrtare.

Të gjitha seancat për gati 10 muaj kishin dështuar. Kjo solli më pas edhe te një vendim nga Qeveria, e cila shfuqizoi vendimin e Odës së Avokatëve. Sidoqoftë, vendimi nuk u përfill nga Oda, deri para pak javësh.

Oda e Avokatëve së fundmi kishte vendosur ta pezullojë vendimin për mos-caktim të avokatit, duke i hapur rrugë kështu nisjes së procesit.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 22 prill ishin takuar me Odën e Avokatëve, pikërisht në ditën kur ishte edhe afati si kërcënim për ndërprerjen e bashkëpunimit.

Pas takimit ,u mësua se Këshilli Gjyqësor dhe Oda arritën marrëveshje që të anulohet vendimi i mëparshëm i odës për moscaktim të avokatit sipas detyrës zyrtare për të akuzuarin Shaban Gogaj dhe, kështu, vendimet e gjykatave të zbatohen pa u bllokuar nga ana e odës.

Këtë marrëveshje dhe zgjidhje të ngërçit e mirëpriti ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila disa herë u përfshi edhe vetë në këtë debat.

“E vlerësoj reflektimin e Odës së Avokatëve të Kosovës. Shfuqizimi i vendimit, që nuk kishte bazë ligjore, i hap rrugën vazhdimit të bashkëpunimit institucional. Si përfaqësues të institucioneve, duhet të jemi në shërbim të ligjit dhe interesit të përgjithshëm dhe assesi interesave individuale”, shkroi Haxhiu menjëherë pas marrëveshjes.

Vrasja e Agonis Tetajt

Në shtatorin e vitit 2018, komuna e Deçanit ishte tronditur nga një vrasje që kishte ndodhur brenda një marketi, që në të njëjtën kohë ishte edhe pompë derivatesh.

Djali i pronarit e kishte qëlluar me armë zjarri në kokë punëtorin Agonis Tetaj.

Rasti fillimisht u cilësua si vrasje e rëndë, e më pas u ricilësua në vrasje nga pakujdesia.

Prindërit e Agonis Tetajt, pas këtij vendimi, kishin marrë vendim që t’i publikonin pamjet e kamerave, ku shihej momenti i vrasjes.

Pas shumë reagimeve, prokurori i ri i rastit kishte vendosur sërish që vepra të cilësohej si vrasje e rëndë.

Kjo nxiti reagime të ashpra nga avokati Besnik Berisha, i cili më pas u dënua nga Gjykata në Pejë për disa herë, duke u përjashtuar krejt në fund nga rasti.

Lajme të ngjashme