“Gënjeu qëllimshëm për të shpëtuar veten”, “Dorëheqje” – reagime ndaj Haxhiut pas deklaratës për të arratisurit nga burgjet
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është kritikuar pas deklaratës në lidhje me arratisjen dhe pastaj me vrasjen e Faton Hajrizit në Serbi. Haxhiu pas më shumë se 24 orë, theu heshtjen duke u deklaruar rreth kësaj ngjarje që ndodhi së fundmi.
Hajrizi i cili javë më parë ishte arratisur nga burgu në Smrekonicë, është vrarë në Serbi ditën e premte. Pas Hajrizit, nga burgu i Dubrave ishte arratisur edhe Ujkan Metaj.
Në lidhje me këto arratisje, sot ministrja Haxhiu deklaroi personat e arratisur që po kërkohen nga Kosova, po ikin vetëm në Serbi, duke shtuar se informacionet e organeve në Kosovë sugjerojnë që në disa raste, këto arratisje janë organizuar me grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit serb:
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashke organizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë.” – thuhet në reagimin e ministres Haxhiu.
Kjo deklaratë e Haxhiut shkaktoi reagime të ashpra në vend, ku në mes të tjerash është kërkuar edhe dorëheqja e saj nga pozita e të parës në Drejtësinë e Kosovës.
Kush, çka tha?
Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës, ka komentuar deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Gruda ka thënë se ministrja e Drejtësisë shpalli kapitullimin në punën e saj, duke deklaruar që Serbia po i ndihmon në arratisjen e të burgosurve shqiptarë.
“Ministrja e Drejtësisë shpalli kapitullimin në punën e saj, duke deklaruar se Serbia po ndihmon arratisjen e të burgosurve shqiptarë dhe po u garanton atyre mbrojtje në Serbi.” – ka shkruar ai.
Tutje Gruda ka thënë se ministrja e Drejtësisë nuk foli për asnjë moment për rolin e saj, duke e quajtur sjellje totalisht joprofesionale.
“Në një deklaratë të vetme, ajo përmendi shumë konspiracione, ngriti shumë hipoteza dhe deklaroi prezencën e Serbisë brenda burgjeve të Kosovës. Por, në asnjë moment nuk foli për rolin e saj si Ministre e Drejtësisë. Sjellje totalisht joprofesionale, e papërgjegjshme dhe e rrezikshme për vendin. Populli i Kosovës nuk meriton një ministre të tillë të drejtësisë, aq më pak deklarime kaq skandaloze në momente kaq kritike.” – ka përfunduar Gruda.
Gazetari Parim Olluri ka reaguar pas postimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke thënë se “gjendja qenka më alarmante e më skandaloze se sa që është menduar”.
“Qysh e lejuat kete? Qysh me pase ndikim kaq te madh grupet kriminale serbe gjate pushtetit te Kurtit qe me organizu edhe arratisjen e njerezve prej burgjeve?
Nese grupet kriminale serbe kane hy pa verejtur edhe kane arratise njerez prej burgjeve te Kosoves, atehere komplet Qeveria Kurti duhet me dhane doreheqje. Brenda dites.” – ka shkruar ai.
Në fund Olluri ka shkruar:
“Detyra e Qeverise eshte mos me i leju grupet kriminale nga Serbia per me organizu arratisje nga burgjet e Kosoves, e jo me na kallezu ne FB qe na fshinen perpara kriminelet”.
Në lidhje me deklaratën e Haxhiu ka reaguar edhe, Kimete Berisha.
Berisha ka thënë se në bazë të kësaj deklarate, Serbia i paska pushtuar burgjet Kosovës.
“Pasi që kjo e ditka se Serbia i paska pushtuar burgjet e Kosovës, pse nuk e lajmëron rastin në polici...., pse nuk e çon dikë në burgun e Smrekonicës, t'i thotë Serbisë 'mos i liro të burgosurit shqiptarë'!” – ka shkruar ajo.
Tutje ka thënë se kjo qeveri është bë çmendinë.
Duke shtuar se Haxhiu duhet të shkarkohet, duke shtuar se nuk qenka vetëm e paditue, por edhe e luajtur.
“Kjo qeveri u bë... çmendinë! Albulena Haxhiu duhet të shkarkohet jo që është e paditur, por se kjo qenka edhe e luajtur!” – ka shkruar ndër të tjera Haxhiu.
Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, i ka reaguar ministren Haxhiu.
Ai ka bërë me dije se pretendimet e ministres së Drejtësisë janë të pavërtetat.
Behramaj ka vlerësuar se Haxhiu gënjeu qëllimshëm për të shpëtuar veten dhe servilet e saj.
“Shtyllë të shtetit e kanë bërë gënjeshtrën, sepse me gënjeshtra kanë ardhur në pushtet. I hëngri kjo shoqëri një herë – i ha prapë. Por, për dallim nga hera e parë që prodhuan shpresë me gënjeshtrat e tyre, tani po tentojnë të prodhojnë frikë, sepse e dinë që nuk mund të “shiten” më si shpresë. Albulena Haxhiu gënjeu sot për ta shpëtuar veten dhe servilët e saj. Gënjeu për interesin e saj dhe jo interesin e shtetit, siç mund të pretendohet!”, ka shkruar Behramaj.