Fjala përfundimtare në gjyqin për vrasjen e Marigona Osmanit: Kërkohet denim me burgim të përjetshëm për Krivaqën - NACIONALE

Fjala përfundimtare në gjyqin për vrasjen e Marigona Osmanit: Kërkohet denim me burgim të përjetshëm për Krivaqën

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Është mbajtur seanca për dhënien e fjalës përfundimtare në rastin e vrasjes makabre të Marigona Osmanit. I akuzuari Dardan Krivaqa, tha se i vjen keq për ngjarjen, familjarët e të ndjerës së bashku me Avokatin kërkuan dënim me burgim të përjetshëm, mbrojtësi i Krivaqës pretendoi se Prokuroria ka dështuar t’a vërtëtoj aktakuzën ndaj klientit të tij. Çka u tha në gjyq?

I dyshuari kryesor për vrasjen e Osmanit, Dardan Krivaqa, ka thënë se ndihet keq për atë që ka ndodhur. Krivaqa është i dyshuari kryesor për dhunimin e më pas vrasjen e Marigona Osmanit.

Shpreh keqardhje, m’vjen keq për çkado që ka ndodh edhe që i kom lëndu”, ka thënë Krivaqa në gjykatore.

Ckado që thom nuk ka vlerë. Ma shumë se unë që e ka deshtë të ndjerën s’e ka deshtë kërkush”.

Me pasë mujt me e kthy kohën mas krejt, kurrgjo s’kisha dashtë ma shumë”.

Ndërsa, Avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, ka kërkuar që Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu, të dënohen me burgim të përjetshëm.

Kjo pasi ata kanë vlerësuar që kjo vrasje është një nga më të rëndat paslufte në Kosovë.

Poashtu, familja e 18 vjeçares Marigona Osmani pritet të kërkojë dëmshperblim dhe do të parashtrojë kërkesë për mbrojtje pasurore juridike pas përfundimit të këtij gjyqi.

Sipas të dëmtuarve, përveq se vrasja e Marigona Osmanit është më e rënda nga paslufta, madje është edhe më mizore se sa që është paraqitur në aktakuzë.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Krivaqës, avokati Admir Salihu, tha se ka marrë komente negative nga publike, për mbrojtjen e të akuzuarit.

“Kam marrë 1 mijë e 800 sms me komente si “pastë gruaja jote fatin e Marigonës, pastë vajza jote fatin e tillë”, tha avokati Salihu.

Salihu thotë se kjo aktakuzë është e ndikuar nga publiku për të paraqitur storie dhe ngjarje të paqena, por që nuk japin gjykimin dhe drejtësinë e merituar. I njejti ka pretenduar se Prokuroria nuk ka arritur ta provoj se tradhëtia ka qenë motivi.

Prokuroria ka dështuar qartazi të provojë motivin, nëse motivi ka qenë tradhtia”, ka thënë tutje avokati Salihu

Pse Konventa e Stambollit është vendimtare në të tilla raste?

Çka thotë Konventa e Stambollit për këto raste?

Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës Kundër Grave dhe Dhunës në Familje, e njohur ndryshe edhe si Konventa e Stambollit, është inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës, pas miratimit në Kuvend, në vitin 2020.

Konventa është ligjërisht e obligueshme për shtetet palë, siç është në këtë rast Kosova, por në rastin e gjykimit të Dardan Krivaqës, i cili po akuzohet për vrasje të rëndë të Marigona Osmanit, duket se kjo konventë tëpër e rëndësishme është shpërfillur nga institucionet e drejtësisë.

Krejt kjo pasi Prokuroria e kishte ftuar si dëshmitar djalin e dajës së Dardan Krivaqës, i cili u mor në pyetje edhe në seancën e 10 nëntorit.

Endrit Kuka ka “kontribuuar” me dëshminë e tij në Gjykatën e Ferizajt, pasi vetë i akuzuari Krivaqa ka hedhur dyshime se tashmë e ndjera, Marigona Osmani, e ka tradhtuar Krivaqën me djalin e dajës së tij, Endrit Kuka.

Madje edhe avokati i Krivaqës, në seancën përfundimtare ka thënë se “s’është provuar motivi, që ndërlidhet me xhelozinë e tradhëtinë”.

Por, në kapitullin me titull “Parandalimi”, saktësisht në nenin 12 të kësaj konventës, ndër të tjera thuhet: “Palët garantojnë që kultura, zakonet, feja, tradita ose i ashtuquajturi “nder” të mos konsiderohet si justifikim për çdo akt dhune të mbuluar nga objekti i kësaj Konvente.

Pra, nëse i ashtuquajturi “nder” nuk duhet të konsiderohet si justifikim për çdo akt dhune, cila ishte arsyeja, ose relevanca, nëse i akuzuari Krivaqa vrasjen e ka kryer për ta mbrojtur “nderin” ose jo?

Nga kjo del se Republika e Kosovës nuk e konsideron si ndonjë lloj mase justifikuese për aktet e dhunës të ashtuquajturin “nder”.

Megjithatë, dëshmitari, për të cilin Krivaqa pretendon se e “çnderoi” Marigona Osmanin, u mor në pyetje nga instancat e drejtësisë.

Lajme të ngjashme