Festë në letër: Shkeljet flagrante të Kushtetutës ndër vite - NACIONALE

Festë në letër: Shkeljet flagrante të Kushtetutës ndër vite

2 javë më parë

nga Besian Beha

9 Prilli shënon festë zyrtare në Republikën e Kosovës. Kjo ditë njihet si Dita e Kushtetutës. Megjithatë, përveç si një festë ku punëtorët e shtetit pushojnë, a ka arsye për festë për Kushtetutën e cila u shkel ndër vite?

Kushtetuta e Kosovës është shkelur nga presidentë, ministra, kryeministra, deputetë e zyrtarë të tjerë të lartë.

Shkeljet më të mëdha të Kushtetutës kanë ardhur kohëve të fundit nga partia në pushtet. Megjithatë, raste të shkeljes së dokumentit më të rëndësishëm ka pasur edhe më herët.

Por, cila ishin shkeljet më të njohura? Le të numërohen nga fundi.

Ligji për Këshillin Prokurorial

Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar edhe një tjetër Projektligj të rëndësishëm në reformën për drejtësi. Fjala është për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se ligji në fjalë cenon pavarësinë kushtetuese të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe ndarjen e balancuar të pushteteve.

Tash, Ministria e Drejtësisë ka filluar ndryshimin e shkeljeve që janë gjetur nga Kushtetuesja. Megjithatë, mbetet të shihet nëse do të evidentohen të gjitha shkeljet e evidentuara nga Gjykata Kushtetuese.

Ligji për çmimet tavan

Gjykata Kushtetuese kishte marrë një tjetër vendim të rëndësishëm për një prej projektligjeve të hartuara nga Lëvizja Vetëvendosje. Fjala është për Ligjin për Çmimet Tavan në Produktet Bazë.

Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ishte evidentuar se këto masa nuk janë në përputhje me parimet e përgjithshme të Kushtetutës.

Aktgjykimi sqaronte se ligji i kontestuar rregullon caktimin e masave të përkohshme mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg dhe mënyrën e zbatimit të tyre ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomik, në mënyrë që të eliminohen efektet e rritjes së çmimeve si dhe mungesës së produkteve themelore në treg.

Ligji për Paga

Gjykata Kushtetuese, kishte rrëzuar disa nga nenet e Ligjit të Pagave, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës, e që u hartua nga Qeveria Kurti.

Kushtetuesja së pari ka sqaruar, se me këtë Aktgjykim nuk do të afektohen, të gjithë ata zyrtarë, të cilëve u është ngritur paga.

Ndërsa, ulja e pagave, ishte konsideruar anti-kushtetuese. Edhe disa nga shtesat e parapara me këtë ligj, gjithashtu kanë dalur të jenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Kushtetuesja, i ka kërkuar Kuvendit që brenda 6 muajëve, nga hyrja në fuqi të këtij Aktgjykimi, t'i ndryshojë nenet e Ligjit, të cilat janë shpallë anti-kushtetuese.

Ligji për Zyrtarët Publikë

Një tjetër Ligj që ishte shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese ishte Ligji për Zyrtarët Publikë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte rrëzuar disa prej neneve të këtij ligji.

“Aktgjykimi gjithashtu sqaron që bazuar në shkresat e dorëzuara në Gjykatë nga parashtruesit e kërkesës, rezulton që Opinioni i Zyrës Ligjore të Bashkimit Evropian dhe SIGMA-s, ndër tjerash, kishte tërhequr vërejtjen për mangësitë e reformës së administratës publike. Për më tepër, bazuar në kontributet e dorëzuara në Gjykatë përmes Forumit të Komisionit të Venecias, rezulton që përderisa administratat publike të shteteve respektive, përjashtimisht, përcaktojnë pozita me mandate të kufizuara, në parim, asnjë prej tyre nuk ka ndërmarrë një reformë sipas të cilës pozitat me mandate të përhershme janë shndërruar në të përkohshme, duke afektuar edhe të drejtat e fituara të zyrtarëve të administratave respektive shtetërore.” – thuhej në aktgjykim.

Edhe pas ndryshimit, Lëvizja Vetëvendosje, sipas shoqërisë civile, nuk ndryshoi disa prej gjetjeve kryesore nga Kushtetuesja.

Shkelja nga ministrja Nagavci

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje në një tjetër vendim të pushtetit aktual. Fjala është për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se Nagavci e kishte shkelur Kushtetutën duke ndërhyrë në kompetencat e komunës së Kamenicës, lidhur me reformën në arsim.

Shkarkimi i Bordit të RTK-së

Kuvendi i Kosovës më 8 korrik 2021 kishte marrë vendim për të shkarkuar komplet bordin e Radio Televizionit të Kosovës. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se vendimi nuk ka qenë në përputhje me dokumentin më të rëndësishëm në vend.

Në rastin KO 134/21, Gjykata ka vendosur njëzëri që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme lidhur me efektet e Vendimit të kontestuar. Ndërsa, me pesë (5) vota për dhe dy (2) vota kundër, Gjykata ka vendosur të konstatojë që (i) Vendimi [nr.08-V-036] i 8 korrikut 2021 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës; dhe (ii) konstatimi i lartcekur, përkatësisht Aktgjykimi i Gjykatës, nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta”, është thënë në njoftimin e Kushtetueses.

Shkarkimi i anëtarëve të KPMSHCK-së

Gjykata Kushtetuese kishte evidentuar shkelje edhe në vendimin e 30 qershorit 2021 nga Kuvendi i Kosovës, me të cilin ishin shkarkuar pesë anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Shkeljet gjatë pandemisë

Shkelje të Kushtetutës kishte gjatë qeverisë Kurti I. Kjo ndërlidhur me disa masa anti-covid që ishin ndërmarrë në atë kohë.

Kushtetutesja kishte vlerësuar se vendimi për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, kishte qenë në kundërshtim me Kushtetutën. Gjithashtu, edhe vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për ta kthyer komunën e Prizrenit në zone karantinë, ishte vlerësuar jokushtetues.

Shkelja e Kushtetutës – Rasti Sejdiu

Ishte shtatori i vitit 2010, vetëm 2 vite pas miratimit të saj, kur Presidenti Fatmir Sejdiu u bë “shkelësi” i parë i Kushtetutës së vendit.

Gjkata Kushtetuese gjeti se ish presidenti Sejdiu, veproi në kundërshtim serioz me kushtetutën, kur mbajti njëkohësisht postin e Presidentit dhe atë të Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ky vendim nga ana e kushtetueses, e çoi vendin në krizën e parë politike që buroi nga një akt i tillë. Vendi u dërgua në zgjedhje të reja.

Shkelja e Kushtetutës – Rasti Pacolli

Ekziston një debat, në mes juristësh, nëse Behxhet Pacolli ishte apo nuk ishte ndonjëherë President i Kosovës. Kjo pasi Pacolli, në shkurt të vitit 2011 u zgjodh president nga kuvendi i Republikës, ne raundin e tretë. Post të cilin Pacolli e “gëzoi” vetëm disa ditë. Në mars të po atij viti, pas kërkesës të grupit parlamentar të LDK-së, e mbështetur edhe nga deputetët e AAK-së, për “Vlerësimin e Kushtetutshmërisë të Vendimit të Kuvendit të Kosovës” për zgjedhjen në krye të shtetit të Pacollit, u gjet shkelje e kushtetutës, në rastin e votimit të tij në kuvend.

Përsëri krizë, përsëri zgjedhje të reja.

Shkelja e Kushtetutës – Zgjedhja e Hotit kryeministër

Debat i ngjashëm ekziston edhe në lidhje me qeverinë e Avdullah Hotit, i cili në krye të ekzekutivit, qëndroi për pak më shumë se 6 muaj.

Qeveria Hoti, që u zgjodh më 3 qershor, me 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e për zgjedhjen e së cilës, vendimtare ishte secila votë, doli se njëra nga to, nuk ishte krejt e rregullt.

Më 21 dhjetor 2020, Qeveria Hoti, u bë qeveria e parë që rrëzohet pas një vendimi të gjykatës kushtetuese.

Kjo pasi në aktgjykimin e kushtetueses u gjet se zgjedhja e kësaj qeveria, nga ana e kuvendit ishte kundërkushtetuese.

Vota e deputetit Et’hem Arifi, pro qeverisë Hoti, u cilësua si votë vendimtare për formimin e kësaj qeverie, por e njejta ishte edhe kundërkushtetuese. Kjo pasiqë Arifi ishte i dënuar nga Gjykata e Apelit me 1 vit e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione.

Lajme të ngjashme