Fero dyshohet se gjuajti me armë mbrëmë në Gjilan, policia në kërkim të tij
Feronit Shabani a.k.a Fero po kërkohet nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se ishte njeriu prapa një të shtëne me armë zjarri në Gjilan, natën e mbrëmshme (28 dhjetor).
Lajmin për Nacionalen e konfirmoi zëdhënësi i policisë për Gjilan, Ismet Hashani, i cili potencoi se i dyshuari po kërkohet nga PK (Policia e Kosovës).
“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacion Policor Gjilan me datën 28.12.2022 në orët e mbrëmjes ka pranuar në informacion se i dyshuari (1994) shtetas i Kosovës me veturën e tij ka shkuar në një lagje të qytetit të Gjilanit dhe po sa ka dalë nga vetura ka shtënë një herë me armë zjarri dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Nga kjo e shtënë nuk ka pësuar lëndime trupore askush. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të policisë të cilat kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes. I dyshuari ende nuk është takuar dhe është në kërkim nga ana e Policisë së Kosovës. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar që të iniciohet rast për veprën penale ,”Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ ndërsa rrethanat se si ka ndodhur rasti janë duke u hetuar nga ana e Njësisë së Hetimeve të Stacionit Policor Gjilan”, u shpreh ai.
Lajm në përditësim...