Edhe sa dëshmitarë të Prokurorisë kanë mbetur në rastin e krerëve të UÇK-së? - NACIONALE

Edhe sa dëshmitarë të Prokurorisë kanë mbetur në rastin e krerëve të UÇK-së?

1 javë më parë

nga Besian Beha

Gjykimi ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është intensifikuar pas pushimeve të verës.

Së fundmi, Prokuroria e Specializuar ka larguar një numër dëshmitarësh, e disa të tjerë i ka pranuar me shkrim. Krejt kjo pas urdhrit nga gjyqtarët, që më së largu në prill të vitit 2025, Prokuroria ta përfundojë rastin e saj.

Para disa ditësh, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se në Gjykatë kanë dëshmuar 85 dëshmitarë, megjithatë ky numër tash ka shkuar në 88. 69 të tjerë janë pranuar me shkrim. 21 dëshmitarë u larguan nga Prokuroria në muajt e fundit.

“Deri më sot në gjykatë kanë dëshmuar 86 dëshmitarë dhe 69 të tjerëve janë pranuar vetëm me shkrim. Sa për ta shpjeguar pak më hollësisht, deri më tani në gjykatë kanë dëshmuar 8 dëshmitarë (live ose me video-link). Këta 85 dëshmitarë përfshijnë disa, dëshmia me shkrim e të cilëve u pranua në provë dhe të cilëve iu kërkua gjithashtu të vinin në gjykatë për t'u marrë në pyetje (sipas rregullit 154)”, thuhet në përgjigje.

Numri i dëshmitarëve tash ka shkuar në 88.

Prokuroria e Specializuar në fillim kishte bërë të ditur se planifikon të ftojë 312 dëshmitarë. Nëse nga ky numër, largohen 21 dëshmitarë që u hoqën nga Prokuroria, atëherë mbeten 291 dëshmitarë.

Prej 291 dëshmitarëve, 88 kanë dëshmuar LIVE në gjykatë, dhe numri bie në 203. Nga 203, zbriten edhe 69 të pranuar me shkrim, dhe llogaritet të kenë mbetur përfundimisht edhe 134 dëshmitarë për të dëshmuar.

Megjithatë, sipas Prokurorisë, numri i dëshmitarëve do të ulet edhe më tutje, në mënyrë që në prill të përfundojë rasti i Prokurorisë së Specializuar, e të fillojnë dëshmitarët e mbrojtjes.

Prokuroria e Hagës tash ka larguar nga lista e dëshmitarëve edhe 11 persona, kurse dëshmitë e shtatë dëshmitarëve të tjerë do të pranohen me shkrim, raporton Nacionale.

“Prokuroria e Specializuar nuk synon më të mbështetet në dëshmitë e njëmbëdhjetë (11) dëshmitarëve në vijim: [REDAKTUAR]. Përveç kësaj, PSP-ja synon t'i dorëzojë me shkrim dëshmitë e shtatë (7) dëshmitarëve të mëposhtëm, në vend që t'i thërrasë ata për të dëshmuar”, thuhet në njoftim.

Prokuroria e Hagës është zotuar se do të vazhdojë edhe më tutje ta reduktojë listën e dëshmitarëve, duke synuar që rastin e saj ta përfundojë në prill të vitit 2025.

“Prokuroria e Specializuar do të vazhdojë të shqyrtojë dhe, sipas rastit, të rregullojë paraqitjen e rastit. Në mënyrë të veçantë, duke marrë parasysh ndër të tjera dëshmitarët e ardhshëm (dhe duke iu nënshtruar vendimeve për mocionet e provave), parashikohet që ZPS të jetë në gjendje të njoftojë të paktën shtatë ndryshime shtesë në listën e saj të dëshmitarëve më 1 nëntor 2024”, thuhet në njoftim, raporton Nacionale.

Vetëm pak ditë më parë, Prokuroria e Hagës vendosi për të tjerë dëshmitarë që dëshmitë e tyre të merren me shkrim.

Edhe 10 dëshmi nga dëshmitarët në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, janë pranuar me shkrim.

Kështu ka konfirmuar Gjykata Speciale në një komunikatë për media.

Ata kanë theksuar se për këtë fakt, nuk ka pasur kundërshtime nga palët, raporton Nacionale.

“Më 10 shtator, Trupi Gjykues pranoi në prova dëshmitë dhe provat materiale shoqëruese me shkrim të 9 dëshmitarëve. Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën në lidhje me dëshmitarin e 10-të, pa paragjykuar të drejtën e Prokurorisë për të paraqitur kërkesë për ta thirrur dëshmitarin të dëshmojë në sallën e gjyqit”, thuhet në njoftim.

Për tre dëshmitarë të tjerë, u pranua kërkesa që të dëshmojnë me video-lidhje.

“Të njëjtën ditë, Trupi Gjykues miratoi një kërkesë të Prokurorisë që dhe dy dëshmitarë të tjerë të japin dëshmi nëpërmjet videokonferencës, meqë kjo është më e favorshme për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Trupi Gjykues u bind se dhënia e dëshmisë prej tyre nëpërmjet videokonferencës nuk do t’u shkaktojë dëm të akuzuarve dhe është në përputhje me mbrojtjen e efektshme të të drejtave të tyre”, thuhet në vendim.

“Në çështjen gjyqësore Thaҫi dhe të tjerët, më 5 shtator, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Prokurorisë për të lejuar pranimin në prova të disa pjesëve të dëshmisë me shkrim të një dëshmitari dhe për ta lejuar atë të dëshmojë nëpërmjet videokonferencës. Trupi Gjykues theksoi se Mbrojtja nuk kundërshtoi kërkesën dhe konstatoi se dhënia e dëshmisë nëpërmjet videokonferencës është më e favorshme për mirëqenien e dëshmitarit dhe ndihmon në kryerjen e shpejtë të procesit gjyqësor”, thekson Specialja.

Zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, ka përmendur edhe afatet kohore brenda të cilëve prokuroria do të mund të përfundojë me dëshmitarët e saj.

Në një intervistë për “Ekonomia Online”, ia ka thënë se prokurorisë i nevojitet kohë për këtë çështje deri në prill të vitit të ardhshëm.

Një prej punëve kryesore të trupit gjykues është që procedurat janë të drejta dhe të shpejta. Kjo përfshin edhe dhënien e afateve kohore, për të cilat Prokuroria ka thënë se ju nevojitet kohë deri në prill të vitit 2025. Gjyqtarët po mundohem që gjykimi të përshpejtohet dhe duke i kërkuar Prokurorisë që ta shpejtojnë rastin sa më shumë që është e mundur, prandaj ka edhe zvogëlim të numrit të dëshmitarëve”, ka thënë ai.

Marrja e dëshmive me shkrim dhe shkurtimi i kohës së marrjes në pyetje të dëshmitarëve në seancë, ka qenë kërkesë edhe e gjyqtarëve. Kjo me qëllimin që të shkurtohet koha.

Tre muaj më parë, prokurori nga Prokuroria e Specializuar, kishte thënë se do të mundohen ta shkurtojnë kohën.

10 dëshmitarë ishin larguar totalisht nga lista e dëshmitarëve të prokurorisë, kurse 13 të tjerë dhanë dëshmitë e tyre vetëm me shkrim.

Lajme të ngjashme