Dyshohen se keqpërdorën 202 euro, dy teknikët e Radiologjisë deklarohen të pafajshëm - NACIONALE

Dyshohen se keqpërdorën 202 euro, dy teknikët e Radiologjisë deklarohen të pafajshëm

1 vit më parë

nga Rea Sefa

Përmes një njoftimi Gjykata Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se dy teknikët e Radiologjisë, Albert Deda dhe Ismet Veliu, të akuzuar për korrupsion, janë deklaruar të pafajshëm.

Albert Deda dhe Ismet Veliu, akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e ShSKUK-së, me vlerë prej 202 euro, duke marrë dhjetë flakona kontrast jojonik nga 100ml.

“Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 shkurt 2021, të akuzuarit Deda dhe Veliu po akuzohen se në cilësinë e teknikëve të Radiologjisë në Repartin e Klinikës së Radiologjisë në SHSKUK-së ku ishin përgjegjës të çelësave, kanë marrë dhjetë flakona kontrast jojonik nga 100 mililitra, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e SHSKUK-së 202 euro që t’i sjellin vetes apo tjetrit përfitim pasuror të kundërligjshëm’’- njoftohet tutje.

Të akuzuarit, sot në gjykatë janë deklaruar të pafajshëm për veprën për të cilën akuzohen.

“Nuk ndihem fajtor për veprën penale me të cilën akuzohem”- u shpreh Deda.
Njësoj edhe i akuzuari Veliu, tha se ndjehet plotësisht i pafajshëm.

Gjyqtarja e rastit, Medie Bytyqi i njoftoi të akuzuarit se kanë të drejtë në kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh- raporton Betimi për Drejtësi.

Lajme të ngjashme