Dyshimet për gjetjen e mostrave të Astrit Deharit: Pushteti ‘çele guri gojën’ - NACIONALE

Dyshimet për gjetjen e mostrave të Astrit Deharit: Pushteti ‘çele guri gojën’

1 vit më parë

nga NACIONALE

Janë bërë tri ditë që kur gazeta Nacionale raportoi ekskluzivisht për dyshimet se janë gjetur mostrat e Astrit Deharit.

Kjo bëri që në Institutin e Mjekësisë Ligjore të zbarkojnë hetuesit, të cilët qëndruan për orë të tëra.

Megjithatë, pavarësisht se Nacionales ia kanë konfirmuar të paktën tri burime se mostrat janë gjetur, asnjë qëndrim zyrtar e publik nuk ka.

Edhe media të tjera kanë raportuar për këtë rast, por askush nga pushteti nuk ka reaguar e as konfirmuar asgjë.

Heshtjen e ka zgjedhur edhe Prokuroria Speciale e cila nuk ka kthyer përgjigje në interesimin e Nacionales.

Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, por as ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Çuditërisht asnjë reagim nuk e ka bërë as avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, që është mjaft i zëshëm për këtë rast.

Raportimi i Nacionales

Gjatë ditës së premte Gazeta Nacionale ka raportuar se janë gjetur mostrat e Astrit Deharit. Kjo dyshohet se ka ndodhur në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Lajmin e kanë konfirmuar për gazetën Nacionale disa burime të afërta me zhvillimet.

Sipas burimeve, një numër hetuesish kanë zbarkuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe kanë kryer hetimet.

Burime të afërta me zhvillimet i kanë thënë Nacionales se sipas dyshimeve, mostrat e Astrit Deharit janë gjetur nga Ekipi i Inventarizimit.

Ekipi i inventarizimit i ka gjetur mostrat. Gjatë fazës së parë të inventarizimit janë gjetur vetëm mostrat e urinës, në inventarizimin e dytë kanë qenë mostrat komplet.” - kanë deklaruar këto burime për Nacionalen.

Nacionale ka tentuar kontaktin me U.D drejtorin e IML-së, Ditor Haliti, por ai nuk është përgjigjur.

Kurse, drejtoresha e laboratorit të Toksikologjisë, Flutura Goga, ka thënë për Nacionalen se gjendet në pushim pasi ka rast vdekjeje.

Tash dëgjova. Jam në pushim pasi kam rast vdekje”, tha ajo shkurtimisht.

Nacionale ka mësuar se hetuesit kanë intervistuar edhe disa prej punëtorëve në IML.

Nacionale kishte raportuar para rreth një viti se ishte gjetur një pjesë e mostrave të Astrit Deharit.

Një burim brenda Institutit të Mjekëses Ligjore(IML), kishte treguar për gazetën se mostrat janë kthyer aty ku kanë qenë më herët.

Janë gjetur disa mostra të Astrit Deharit. Ato janë gjetur në objekt dhe janë kthyer aty ku kanë qenë më herët”, kishte thënë burimi.

Zhdukjen e këtyre mostrave e kishte njoftuar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhi.

Në një konferencë për media, ajo kishte thënë se menjëherë ka njoftuar prokurorinë për rastin.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë rastit, mbrëmë në orët e vona jam njoftuar që janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, nga laboratori, kam njoftuar ushtruesin e kryeprokurorit Besim Kelmendi. Në rasat e epruveta kanë qenë 15 epruveta me gjak, një e urinës dhe një epruvetë e lukthit”, ka thënë Haxhiu.

Lajme të ngjashme