Drejtësia në sytë e partive politike për katër vitet e ardhshme
Drejtësia, reformat, Vetingu, luftimi i korrupsionit. Programet e partive politike në Kosovë, përfshijnë edhe fuqizimin e sundimit të ligjit. Përderisa Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka publikuar programin, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, kanë publikuar planet e tyre për reforma në drejtësi për katër vitet e ardhshme. Nacionale sjell detaje.
Puna dhe drejtësia ishin dy partimet e fuqishme mbi të cilat e orientoi fushatën e para 4 vitesh Lëvizja Vetëvendosje. Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në zgjedhjet e 9 shkurtit, partia që udhëhoqi me shtetin prej vitit 2021, ende nuk e ka bërë publik programin e saj. Nuk dihet nëse drejtësia mbetet ndër parimet kryesore, kjo sepse një pjesë e madhe e reformave të premtuara para katër vitesh, ende nuk janë zbatuar. Vetingu nuk u miratua në Kuvend, e Byroja e Konfiskimit të Pasurisë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
Pavarësisht diskutimeve e premtimeve, edhe Vetingu edhe lufta kundër korrupsionit, edhe përmirësimi i drejtësisë civile, janë pjesë e programeve të partive që deri tash ishin në opozitë.
Vetingu
Lëvizja Vetëvendosje në mandatin e saj ndërmori disa veprime për adresimin e Vetingut. Megjithatë, për dallim nga premtimet e saj se kjo reformë do të bëhet për të gjithë gjyqtarët e prokurorët, Komisioni i Venecias dha tjetër rekomandim. Vetingut të plotë duhet t’i nënshtrohen vetëm kryetarët e gjykatave, kryeprokurorët, dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor e Prokurorial. Megjithatë, duke ditur se për votimin e ndryshimeve kushtetuese duhen edhe 2/3 e votave nga komunitetet, me mospjesëmarrjen e Listës Serbe, kalimi i kësaj reforme u pamundësua.
Si rezultat i moszbatimit të kësaj reforme, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e kanë në krye të programit të tyre për drejtësinë. PDK-ja thekson se Vetingun do ta bëjnë bazuar në rekomandimet e Venecias.
“Ne do të realizojmë një proces të plotë të vetingut përmes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore. Vetingu i plotë do të realizohet pas një debati dhe konsultimi të gjerë me institucionet e drejtësisë, ekspertët dhe akademikët, shoqërinë civile, zyrën e BE-së, ambasadat e shteteve mike, si dhe duke zbatuar me besnikëri rekomandimet e Komisionit të Venecias. Me qëllim të ngritjes së besimit të publikut në këtë proces kaq jetik për ngritjen e integritetit dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor dhe prokurorial, ky proces do të realizohet duke u bazuar në parimet e transparencës deri në masën që e lejon ligji dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, thuhet në programin e PDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës në programin e saj vlerëson se vetingu i pjesshëm sipas Venecias, është keqmenaxhim i qeverisë. LDK-ja propozon një opsion të kombinuar, apo mix, me dy faza.
“Ky opsion përfshin dy nivele/faza të procesit: Faza e parë, përbën amandamentet kushtetuese, të cilat në përputhje me gjetjet e Opinionit të Venecias lidhur me vetingun, shtrihen në anëtarët e KGJKsë dhe të KPK-së, Kryetarët e Gjykatave dhe Kryeprokurorët, me fokus në konfirmimin e aspektit të integritetit personal dhe justifikimit të pasurisë. Kjo fazë mund të nënkuptohet si fazë e Vetingut per se. Faza e dytë, synon ndërhyrjet ligjore të cilat ofrojnë qëndrueshmërinë e idesë fillestare të vetingut, që nënkupton zbërthimin e parimeve bazë mbi të cilat bëhet vlerësimi, gradimi, degradimi dhe përjashtimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve me ligj të veçantë, gjithmonë në përputhje me praktikat më të mira evropiane. Kjo fazë e nënkupton fazën e qëndrueshmërisë së reformës së drejtësisë në gjyqësi dhe prokurori, si dhe synon efektin afatgjatë e gjithëpërfshirës. Për nevojat e këtij opsioni, vetingu nënkupton kontrollin e vazhdueshëm (përhershëm) të integritetit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, me qëllim që të vlerësohet dhe garantohet përshtatshmëria e tyre për të qenë pjesë e sistemit. Vetingu për gjyqtarët dhe prokurorët kryhet nga mekanizmat e brendshëm, pasi që të jetë përmbyllur vetingu për pozitat drejtuese në sistemin e drejtësisë. Kontrolli i integritetit dhe performancës duhet të zhvillohet në rastet e përcaktuara”, thuhet në programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në programin e AAK-së nuk specifikohet Vetingu, megjithatë zotohen për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë.
Lufta kundër korrupsionit
Ndër premtimet kryesore të PDK-së është lufta kundër korrupsionit. Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar themelimin e një Byroje Kombëtare të Hetimit.
“Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë do të jetë prioritet i qeverisë së udhëhequr nga PDK-ja. Krahas përmirësimit dhe ngritjes së integritetit të bartësve kryesorë të sistemit të drejtësisë përmes procesit të vettingut dhe ofrimit të kushteve optimale për PSRK, ne përshtatshëm do të formojmë një Byro Kombëtare të Hetimit me kompetenca dhe përgjegjësi të ngjashme. Karakteristikë e këtij institucioni të ri, i cili do të përbëhet nga jo më shumë se dhjetë prokurorë të specializuar, do të jetë policia gjyqësore që do t’i trajtojë të gjitha rastet kur ka dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo kur bien ndesh me ligjin gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës i sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Ky mekanizëm, po ashtu, do të jetë kompetent për t’i trajtuar rastet e korrupsionit të nivelit të lartë në rastet kur PSRK nuk ndërmerr veprime sipas kompetencës së saj”, thuhet në programin e PDK-së.
Një qendër shtetërore të hetimit e ka propozuar Lidhja Demokratike e Kosovës Sipas LDK-së, kjo qendër do të veprojë nën mandatin e Prokurorisë Speciale, dhe do ta hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Prandaj themelimi i Qendrës Shtetërore të Hetimit si një strukturë e specializuar e Policisë, që do të veprojë nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, do të jetë hap i rëndësishëm drejt pavarësimit të kapaciteteve hetuese të prokurorisë. Qendra Shtetërore e Hetimit ka për qëllim ndërmarrjen e veprimeve hetimore për hetimin dhe ndjekjen e veprave penale që bien nën mandatin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Në këtë funksion, do të themelohet edhe Këshilli Shtetëror i Hetimit, si trupë koordinuese ndërinstitucionale (Drejtori i Policisë, Njësia e Inteligjencës Financiare, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Kryeprokurori i Shtetit, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, etj.), që do të kujdeset që rastet e korrupsionit të lartë zyrtar, të mos trajtohen njëkohësisht nga disa institucione paralelisht, por rastet të adresohen saktë të institucioni kompetent, varësisht nga niveli dhe natyra e shkeljeve ( penale, administrative)”, thuhet në programin e LDK-së.
Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës synon themelimin e Task-Forcës kundër Korrupsionit, që kishte qenë aktive kohë më parë.
“Në këtë drejtim, do të promovohet profesionalizmi i institucioneve përgjegjëse, duke siguruar mbështetje më të madhe buxhetore; Implementimi i ligjit të Agjencisë për Parandalim të Korrupsionit. Do të bëhet suspendimi i zyrtarëve që kanë aktakuza për korrupsion, në fokus të veçantë do të jenë ata për keqpërdorim të tenderëve; Ndryshimi dhe implementimi i Kodit të Procedurës Penale, ku të gjithë zyrtarët publik që kapen në korrupsion do të shkarkohen qysh në fazën e aktakuzës; Themelimi i Task Forcës Kundër Korrupsionit, e cila do të shndërrohet në institucion permanent si Byro e Hetimeve – një kombinim i hetimit, policisë gjyqësore dhe ndjekjes”, thuhet në programin e AAK-së.
Drejtësia civile – Gjykata e Punës dhe Administrative
Partia Demokratike e Kosovës ka theksuar fuqizimin e mekanizmave për drejtësi civile, dhe themelimin e Gjykatës së Punës.
“Me përmbushjen e obligimeve që dalin nga ligji, kontratat kolektive dhe praktika gjyqësore nga ana e qeverisë, rastet civile në gjykata do të përgjysmohen, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në uljen e rasteve, uljen e kostos së shpenzimeve nëpër gjykata dhe duke ua realizuar të drejtat qytetarëve. Masat dhe intervenimet e tilla do të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në rritjen e efikasitetit të gjyqësorit në trajtimin e rasteve civile dhe me këtë edhe në përgjysmimin e kohës së trajtimit të rasteve civile nga gjashtë vjet në tre vjet. Ne do ta formojmë Gjykatën e Punës për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe për të garantuar siguri në punë. Kjo gjykatë do të mundësojë ligjshmërinë dhe meritokracinë në punësime dhe zgjidhjen e shpejtë të rasteve të shkeljes së të drejtave nga marrëdhënia e punës. Zgjidhja e çështjeve të punësimit në një gjykatë të specializuar do të sigurojë që konfliktet e punës të trajtohen me ekspertizë të lartë dhe në mënyrë të shpejtë”, thuhet në programin e LDK-së.
LDK-ja përveç Gykatës së Punës, ka paraparë edhe Gjykatën Administrative.
“Kontestet nga marrëdhënia e punës në sektorin privat, shqyrtohen dhe zgjidhen në Departamentin Civil. Me rastin e krijimit të kësaj Gjykate, edhe kontestet e punës nga sektori privat do të përfshiheshin këtu duke liruar kështu divizionin civil të Departamentit të Përgjithshëm. Kjo do të ndikonte pozitivisht në trajtimin më efektiv dhe prioritizimin e lëndëve të kësaj natyre, që pavarësisht normave që e prioritizojnë trajtimin e tyre me urgjencë, nuk kanë arritur të zbatohen asnjëherë. Praktika e shumica vendeve të BE-së dhe vendeve të rajonit e kanë Gjykatën Administrative si gjykatë të veçantë, për shkak të kontesteve të mëdha administrative. Rrjedhimisht, themelimi i kësaj gjykate është edhe pjesë e programeve ndërkombëtare dhe për momentin grupet punuese janë duke punuar në këtë drejtim. Themelimi i kësaj gjykate do të mundësonte ngritjen e kapaciteteve për rastet e konfliktit administrative dhe kontesteve të punës, qofshin të sektorit publik apo privat. Kështu do të përmbyllej edhe organizimi i gjyqësorit me ndarjen përfundimtare të gjykatave të rregullta dhe atyre të veçanta, përkatësisht Komerciale, Administrative dhe të Punës”, thuhet në programin e LDK-së.
Digjitalizimi i sistemit të drejtësisë
Edhe PDK-ja, edhe LDK-ja, në programet e tyre kanë paraparë veprime për digjitalizimin e sistemit të drejtësisë.
“Ne do ta digjitalizojmë punën brenda sistemit të drejtësisë për të sjellë transparencë, efikasitet dhe qasje më të lehtë në drejtësi. Do të bëhet e mundur mbajtja e seancave përmes videokonferencave dhe hartimi i procesverbaleve përmes inteligjencës artificiale. Gjithashtu, do të mundësohet dërgimi i shkresave dhe komunikimi elektronik mes palëve dhe gjykatave. Çdo marrje në pyetje e dëshmitarëve dhe të pandehurve do të bëhet duke u incizuar me video dhe audio. Kjo bëhet me qëllim të përshtatjes së sistemit të drejtësisë me epokën digjitale në të cilën jemi dhe sigurimit të një qasjeje moderne në drejtësi për qytetarët dhe bizneset”, thuhet në programin e PDK-së.
“Në kuadër të reformimit të sistemit të drejtësisë, digjitalizimi i proceseve në sistemin e drejtësisë është krucial për suksesin e këtyre reformave. Shtetet që kanë adaptuar e-Justice apo digjitalizimin e sistemit të drejtësisë dëshmojnë që i njëjti ka pasur shumë përparësi. Për këtë, do të krijohet kuadri ligjor që do ta mbështes zbatimin e e-Drejtësisë, dhe do të miratohen ligje që garantojnë sigurinë e transaksioneve elektronike, nënshkrimeve digjitale dhe mbrojtjen e të dhënave. Siguria: Rëndësi kruciale do t’i kushtohet sigurisë dhe privatësisë. Digjitalizimi mund të përmirësojë sigurinë e informacionit, gjithmonë duke pasur në mendje domosdoshmërinë e investimit në sigurinë kibernetike. Siguria do të jetë mision paralel bashkë me adaptimin e digjitalizimit. Sidoqoftë, qasja e lehtësuar në dokumente i mundëson palëve monitorimin e vazhdueshëm të lëndëve të tyre, duke e zvogëluar kështu nevojën që të shkojnë fizikisht në gjykatë për çdo gjë”, thuhet në programin e LDK-së.
Krimet e luftës, Gjykata Speciale, vrasjet politike
Lidhja Demokratike e Kosovës me një paragraf të veçantë ka theksuar se do të punojnë për zbardhjen e vrasjeve, siç i quajnë ata, politike.
“LDK-ja vlerëson se zbardhja e vrasjeve me motive politike të personaliteteve politike, ushtarake dhe të jetës publike është e rëndësisë së veçantë, duke marrë parasysh faktin se shumica e këtyre personaliteteve kanë qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtorë të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Zbardhja e vrasjeve politike duhet të jetë përkushtim i secilit subjekt politik pa dallim, njëlloj edhe mision i institucioneve të drejtësisë. LDK-ja në veçanti vlerëson se pa përmbushjen e këtyre misioneve kombëtare drejtësia nuk do të jetë kurrë kuptimplotë. LDK-ja asnjëherë nuk tërhiqet nga kërkesa legjitime që të zbulohen kryerësit dhe urdhërdhënësit e vrasjeve me motive politike në Kosovën e gjatë dhe të pasluftës”, thuhet në programin e LDK-së.
Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojnë përkrahjen për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale.
“Dhomat e Specializuara - Shteti do të garantojë mbrojtje dinjitoze për të akuzuarit potencial dhe do të asistojë familjet e tyre gjatë tërë procesit. Vlerat dhe pastërtia e luftës çlirimtare të Kosovës do të mbrohen me çdo kusht. Gjykata Komerciale -Implementimi i gjykatës komerciale do të jetë një adresë për bizneset dhe që do t’i ndalojë keqpërdorimet nëpër gjykata në dëm të bizneseve. Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës - Implementimin e konceptit për krijimin e institutit ku do të bëhet dokumentimi dhe ruajtja e gjithë materialit për krimet e luftës në Kosovë. Punësimi i 100 studentëve hulumtues në terren”, thuhet në programin e AAK-së.