Do ta lindte foshnjën sot: Vrasja makabre e 35-vjeçares para dyerve të spitalit, që e tronditi vendin - NACIONALE

Do ta lindte foshnjën sot: Vrasja makabre e 35-vjeçares para dyerve të spitalit, që e tronditi vendin

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Kishte vendosur që të qëndronte larg dhunesit që po e maltretonte fizikisht e psiqikisht për muaj me radhë. E ndarë nga burri, e vetme do ta rriste foshnjën që po e mbante në bark për nëntë muaj. Momentin e gëzimit për ta lindur foshnjën 35-vjeçarja Hamide Magashi nga një fshat i Lipjanit nuk e kishte larg. Të enjten, ajo, sipas mjekëve, do të mund ta mbante foshnjën e saj në krahë. Por kjo nuk ndodhi. Asaj në mënyrë të pamëshirshme iu mor jeta nga dhunuesi i saj, nga ish-burri Sokol Halili, të cilin Hamidja edhe e kishte raportuar në polici për dhunë në familje. I dyshuari për vrasjen e saj ende gjendet në arrati. Çka dihet deri më tani për rastin?

Kosova të mërkurën u trondit nga një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një grua shtatzënë, që të enjten e 1 dhjetorit po priste ta sillte në jetë foshnjën e saj, u vra mizorisht nga ish-burri. Dhe ku? Para spitalit të Gjinekologjisë së QKUK-së, aty ku në fundjavë ishte shtrirë për ta sjellë në jetë foshnjën e saj.

Të gjithë u tronditën nga ky rast, por edhe të gjithë dështuan ta mbronin gruan 35-vjeçare, e cila kishte qenë edhe viktimë e dhunës në familje nga ish-burri, nga i cili kishte muaj që ishte ndarë.

Çka ndodhi të mërkurën?

Hamidja kishte disa ditë që ishte shtrirë në Gjinekologjinë e QKUK-së. Të mërkurën, në orët e para të mbremjes, ajo, bashkë me një grua tjetër shtatzënë, me të cilën e ndanin dhomën, vendosën ta dilnin jashtë objektit të Gjinekologjisë.

Me të dalë poshtë, ajo e takoi ish-burrin e saj, Sokol Halilin. Sipas dëshmitarëve, aty nisi gjithçka. I dyshuari e nxori armën e shtiu në drejtim të saj. Pastaj e mori veturën e tij të tipit Opel Astra, me targa 05-450-BC, dhe iku nga vendi i ngjarjes.

Hamidja më nuk mundi të hynte e gjallë bashkë me foshnjën e saj nga dyert e gjinekologjisë, nga të cilat doli pak minuta më parë. Ajo mbeti e vdekur para këtij institucioni shëndetësor bashkë me foshnjën e saj.

Hamidja ishte në proces divorci me ish-burrin

35-vjeçarja Hamide Magashi kishte pasur një martesë të shkurër. Arsyeja e ndarjes nga burri ishte pikërisht dhuna që po e pësonte nga ai.

Këtë e kanë pohuar edhe familjarët e saj për Nacionalen.

“Martesa ka qenë e shkurtë. Krejt 3 - 4 muaj kanë qenë të martuar. Janë ndarë për shkak të dhunës. Janë ndarë me shtet, me polici" - ka thënë fillimisht njëri prej familjarëve.

"Një herë dorasi e ka vizituar shtëpinë e viktimës, por ka intervenuar policia. Në momentin e arrestimit, atëbotë i ishte gjetur edhe një armë, teksa kishte qenë në paraburgim për 48 orë" - ka thënë një familjar.

E Hamidja, sipas raportimeve, kishte qenë në trajtim nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave e rajonit të Ferizajt.

Çka deklaruan institucionet gjegjëse për rastin?

Policia e Kosovës e konfirmoi rastin rreth orës 19:00..

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar se kanë pranuar informacionin për vrasjen rreth orës 18:00.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje”- ka thënë ajo.

Më vonë, hollësi për dhunën që tashmë e ndjera e kishte pasur në vazhdimësi nga ish-burri dhanë edhe nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj.

”Në muajin e shtatë të këtij viti kemi pasur të raportuar një rast të dhunës në familje. Ky është rasti i vetëm që e kemi për këtë ngjarje në Ferizaj. Rastin e kemi trajtuar dhe është dërguar në prokurori lënda. Viktima nuk ka pranuar që të shkojë në strehimore dhe me dëshirën e saj ajo është dërguar te familjarët e saj në një komunë tjetër”- i tha Nacionales drejtori I policisë për rajonin e Ferizajt, Basri Shabani.

Nga ShSKUK-ja e nga Gjinekologjia e QKUK-së nuk dhanë hollësi se si është trajtuar kjo paciente në këtë isntitucion.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovês konfirmon se sonte rreth orës 18:00, në oborrin e QKUK-së ka ndodhur një vdekje. Organet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe dyshimet e para nga Policia janë se bëhet fjalë për vrasje. Policia, në koordinim me prokurorin e shtetit, ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim të sqarimit të plotë të ngjarjes. Detajet e tjera do të jepen nga organet kompetente që janë duke kryer hetimet”- thuhet në njoftimin e tyre.

Gruaja që u vra sonte në oborrin e QKUK-së, ishte nën trajtim të autoriteteve, pasi në këtë rast ishte lëshuar një urdhër për mbrojtje.

Lajme të ngjashme