Ditë me zhvillime ‘speciale’: Bastisje, seancë në Hagë e Gjergj Dedaj dëshmitar
Dita e sotme ka qenë e mbushur me zhvillime në kuadër të Dhomave të Specializuara të Hagës.
Fillimisht, Nacionale raportoi ekskluzivisht për bastisje në shtëpitë e ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit, Bleim Shala e Bashkim Smaka.
Lajmin e konfirmoi edhe avokati i Shalës, Artan Qerkini. Megithatë, detaje për këto bastisje nuk janë bërë të ditura, përveç një konfirmimi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Prokuroria e Specializuar (SPO) është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë. Operacionet e PSP-së po mbështeten nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigje.
Prokuroria e Specializuar e Hagës kohëve të fundit ka pasur disa aksione të ndryshme të ngjashme.
ZPS-ja ua ka konfiskuar telefonat një pjese të madhe të ish-ushtarëve të UÇK-së, përfshirë edhe komandantin e zonës së Llapit, Rrustem Mustafa.
Bastisje kishte pasur edhe në shtëpinë e heroit Fahri Fazliu dhe në familjen e Hakif Zejnullahut.
Krejt këto aksione ata i kanë arsyetuar me tentimet për të ndikuar në dëshmitarë.
Së fundmi, Prokuroria e Hagës ka arrestuar Sabit Januzin e Ismet Bahtijarin, me pretekstin se kanë tentuar të ndikojnë tek një dëshmitar.
Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi janë arrestuar më 5 tetor të këtij viti në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë (DHSK), ku janë dërguar në qendrën e paraburgimin.
Ata po dyshohen se u përpoqën ta “bindnin një dëshmitar të mos dëshmonte” në gjyqin e Dhomave të Specializuara.
Një tjetër zhvillim ishte se Gjergj Dedaj udhëtoi drejt Hagës, i cili do të jetë në cilësinë e dëshmitarit në gjykimin e krerëve të UÇK-së.
“Sot udhëtoj për Hagë! Jam ftuar si dëshmitar në Hagë! Ndonëse viktimë e Serbisë, Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, përkundër vullnetit tim, më kanë ftuar dëshmitar në Hagë! Zoti e bekoftë Kosovën martire!”, ka shkruar Dedaj në rrjete sociale.
Rasti i Dedajt dhe disa delegatëve të tjerë të LDK-së ishte diskutuar edhe në seancat hapëse. Kjo ndërlidhet më një ndalim që e kishin bërë ushtarët e UÇK-së të disa zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Prokuroria pretendon se këta delegate janë maltretuar gjatë ndalimit.
Në anën tjetër në Hagë, ka vazhduar procesi gjyqësor me dëshmitarin e 31-të. Ky i fundit kishte qenë ushtar i UÇK-së në zonën e Drenocit.
Ai është marrë në pyetje lidhur me strukturën komanduese.
Nacionale sjell përgjigjet e tij pa ndërhyrje:
Prokurori: Në zonën e Drenocit kush ishte komandant në fund të majit 1998?
Dëshmitari: Xhemë Gashi
Prokurori: Në çfarë kohe ka ardhur?
Dëshmitari: Dikund kah fillimi i majit 1998.
Prokurori: Nga është Xhemë Gashi?
Dëshmitari: Shqiptar i Kosovës. Nga një fshat në territor të Klinës (nuk dëgjohet)
Prokurori: Kush ishte zëvendës i Xhemë Gashit?
Dëshmitari: Mahir Hasani ka qenë.
Prokurori: Kur ka ardhur ai në Drenoc?
Dëshmitari: Nuk dëgjohet
Prokurori: Nga është Mahir Hasani?
Dëshmitari: I Pejës dikund. Nuk e di saktësisht.
Prokurori: Këto zona Klina, Peja. A është e saktë të thuhet që Xhemë Gashi e Mahir Hasani nuk janë nga Drenoci?
Dëshmitari: Nuk janë nga Drenoci ata.
Prokurori: Ju vetë personalisht nuk e dinit kush i dërgoi këta persona?
Dëshmitari: Nuk dëgjohet.
Prokurori: Dëshmitar shikojeni këtë dokument, në fjalin e parë thuhet: z.Mahir Hasani nga Peja vihet në dispozicion të bazës së Drenocit nën komandën e Xhemë Gashit. Ju thatë që nuk e keni parë këtë dokument para seancës përgatitore?
Dëshmitari: Nuk dëgjohet
Prokurori: Ky është një dokument me datë 31 maj 1998. A përkon kjo me kohën që iu kujtohet që Mahir Hasani erdhi zv.komandant në Drenoc?
Dëshmitari: E njëjta datë, kush e ka shkru le të tregon. 31.