Dikur të afërta, sot përplasen: Zyrtarja që vendosi për lirimin me kusht të Allakajt, e akuzon Haxhiun për ndërhyrje në drejtësi - NACIONALE

Dikur të afërta, sot përplasen: Zyrtarja që vendosi për lirimin me kusht të Allakajt, e akuzon Haxhiun për ndërhyrje në drejtësi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Argjira Asllani, ish-zyrtare e lartë në Ministrinë e Drejtësisë, dikur e afërt me ministren Haxhiu, e ka akuzuar tash këtë të fundit për ndërhyrje në drejtësi.

Krejt kjo pas raportimit të Nacionales lidhur me faktin se Asllani, ishte pjesë e Panelit që liroi me kusht Luz Allakajn, shokun e Astrit Deharit.

Asllani në një postim në rrjete sociale ka theksuar se ministrja Haxhiu ka bërë ndërhyrje në drejtësi, raporton gazeta Nacionale.

“Gjithashtu paneli me këtë nuk i bën favor të burgosurit, kjo është një e drejtë që i garantohet me ligj. E nëse kjo e drejtë i cenohet, për këtë është gjykata evropiane e të drejtave të njeriu. Nëse persona të caktuar, kërkojnë të nderhyjnë në ndryshimin e vendimeve ose punën e Panelit, mendoj që kjo është shkelje. E nëse bëhet nga një zyrtar shtetëror, qoftë ministër apo çka do tjetër, do të thotë edhe ndërhyrje në drejtësi”, ka shkruar Asllani.

Asllani ishte larguar nga Ministria e Drejtësisë, pasi ishte pjesë e panelit që e liroi me kusht Luz Allakajn, personin që ishte përmendur shpesh nga VV-ja për rastin Dehari. Zhurma e madhe u krijua pas raportimit të Nacionales për këtë rast.

“Zakonisht nuk jam person që bëj reagime lidhur me çështjet që diskutohen nëpër studio televizive, mirëpo u detyrova të shkruaj pasi që isha përmendur dhe për ta qartësuar atë çka znj. Albulena Haxhiu paska thënë, pasi jo të gjithë i njohin rrethanat juridike. Fillimisht, më lejoni të ju njoftoj se Paneli për Lirim me Kusht (tutje: Paneli) është kompetent për shqyrtimin e të gjitha kërkesave për lirim me kusht, të parashtruara nga të dënuarit përmes Institucioneve Korrektuese”, ka shkruar në fillim të postimit Asllani.

“Lirimi me kusht si procedurë ligjore, synon të arrijë zvogëlimin e efekteve negative të burgosjes për personat e dënuar, parandalimin e kryerjes së veprave penale, duke ofruar mundësine për rehabilitim dhe ri-integrim në shoqëri të personit të dënuar, përgatitjen për ri-integrim me qëllim që personi i dënuar ta menaxhojë jetën e tij në një mënyrë të përgjegjshme shoqërore. Gjithnjë pa rënë ndesh me ligjin pas lirimit, mbrojtjen e shoqërisë, duke ndihmuar në parandalimin e kryerjes së veprave penale të mëtejshme”, ka shkruar ajo duke përmendur edhe kushtet për lirimin me kusht.

Krejt në fund, Asllani ka përmendur edhe familjen Dehari.

“Po më vjen shumë keq nga familja Dehari që më duhet ta përmend në ketë kontest, gjë që nuk do e bëja kurrë, mirëpo jam e detyruar që të sqarohem. I dënuari në fjalë ka qenë i dënuar për vrasje dhe jo i dënuar pse ka qenë në një dhomë me Astrit Deharin. Pra nuk ka pasur fare të bëjë me ketë rast! Nesë ka pasur dikush diçka personale me të, atëherë ajo është çështje tjetër, ndërsa detyrë e imja ka qenë të veproj në bazë të ligjit, siç edhe kam vepruar”, ka shkruar Asllani në rrjete sociale.

Nacionales iu konfirmua nga Ministria se Asllani ishte larguar nga MD-ja pas këtij vendimi.

Nacionale ka mësuar se Asllani dhe ministrja Haxhiu, në vazhdimësi kishin pasur raporte të mira. Madje, Asllani ishte bërë Udhëheqëse e Divizionit për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale, një prej pozitave më të rëndësishme në MD.

Raportimi i Nacionales

Paneli për Lirim me Kusht, ia ka aprovuar kërkesën për lirim me kusht Luz Allakajt. Gazeta Nacionale e posedon vendimin e Panelit për Lirim me Kusht që është marrë në muajin prill, kurse është publikuar në qershor.

Përderisa sa ishte në opozitë Vetëvendosje e kritikonte faljen e dënimit për Allakajn, në pushtet, pjesë e vendimit për lirim me kusht kishte qenë edhe Argjira Asllani, e deleguar e Ministrisë së Drejtësisë në këtë panel. Argjira Asllani me ardhjen në pushtet të VV-së, ishte bërë drejtoreshë e Divizionit për Mbrojtjen dhe Përkrahjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale.

Burimet i kanë thënë Nacionales se Asllani ishte deleguar në këtë Panel me direktiva nga ministrja Haxhiu. Pak kohë më pas, e njëjta bëhet pjesë e panelit për t’ia aprovuar lirimin me kusht Luz Allakajt, vendim të cilin dikur partia në pushtet e kritikonte ashpër.

Në mesin e arsyeve për aprovimin e kërkesës, Paneli ka konstatuar se Allakajt i kanë mbetur për t’i vuajtue edhe 2 vjet e katër muaj burg, nga dënimi total. Më pas, ka rezultuar se Allakaj ka pasur sjellje të mira gjatë qëndrimit në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

“Në raportet e tjera të përpiluara nga ekipi profesionist i Qendrës Korrektuese, rezulton se i dënuari gjatë mbajtjes së dënimit ka treguar sjellje të mirë. Po ashtu, është i angazhuar me punë dhe bashkëpunues me stafin. Lidhur me rrezikshmërinë e mbetur për recidivizëm dhe ndaj komunitetit është konstatuar e mesme. I punësuar jashtë Institucionit Korrektues dhe shfrytëzues i benificionit të pushimit jashtë burgut. Po ashtu, lidhur me shkallën e risocializimit konsiderohet se i dënuari ka arritur shkallë të lartë të risocializimit dhe tani është i gatshëm që të riintegrohet në familje dhe shoqëri si person i dobishëm”, thuhet në vendimin që e ka siguruar gazeta Nacionale.

“Paneli konstaton se i dënuari ka treguar sjellje të mirë në harmoni me rendin dhe rregullat e Institucionit Korrektues, përkatësisht i dënuari gjatë mbajtjes së dënimit nuk ka të evidentuar shkelje të reja disiplinore edhe përkundër faktit se të njëjtit më parë i është refuzuar kërkesa për lirim me kusht. Në të dhënat për realizimin e programit të trajtimit të dënuarit, rezulton se i dënuari është i angazhuar me punë, i punësuar jashtë institucionit korrektues, dhe shfrytëzues i benificionit të pushimit jashtë burgut”, thuhet më tutje në këtë vendim për lirimin me kusht të Allakajt.

Vendimi mban firmën e gjyqtares Valdete Daka, që ishte edhe kryetare e Panelit. Pjesë e panelit pra ishte edhe zyrtarja e lartë e Ministrisë së Drejtësisë, Argjira Asllani.

7 muaj më parë në një konferencë për media, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, aludonte se falja e dënimit për shokët e Deharit, nuk kishte shije të mirë.

“Vdekja e Naser Makollit në burgun e Lipjanit, a ka pasur hetime se për çfarë është ankuar dhe pse ka ndërruar jetë? Adonis Gashi sa ishte në arrati e dinte se çfarë ka ndodhur, pas arrestimit të serishëm të tij i njëjti është marrë në pyetje por e ka kushtëzuar dhënien e deklaratave për rastin që e vuan dënimin. Luz Allakaj i janë hequr 3.5 vite nga ish-presidenti Thaçi. Shokët e dhomës së Astritit ose nuk janë gjallë, ose janë privilegjuar, ose nuk janë shfrytëzuar si duhet”, deklaronte ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kush është Luz Allakaj?

Luz Allakaj kishte qenë i përfshirë në një vrasje në fshatin Marmull të Gjakovës, krim që kishte ndodhur më 1 gusht të vitit 2014. Sipas aktakuzës, Allakaj me qëllim të hakmarrjes kishte kryer një vrasje të dyfishtë në këtë fshat të Gjakovës.

Ai fillimisht u dënua me 17 vjet burg nga Gjykata Themelore në Gjakovë. Më pas, Apeli ia kishte ulur dy vjet dënim Allakajt.

Disa vite më pas, ish-presidenti Hashim Thaçi ia kishte falur 3 vjet e gjashtë muaj të dënuarit në fjalë.

Ky lajm do të bënte jehonë në Kosovë pasi Allakaj kishte qenë në mesin e personave të afërt të Astrit Deharit, sa ky i fundit ishte në burgun e Prizrenit.

Lëvizja Vetëvendosje pati dale me postim në rrjetin social facebook, ku akuzonte presidentin Thaçi që po i amniston personat të cilët mund të kenë dijeni për vdekjen e Astrit Deharit.

Lajme të ngjashme