Biznesmeni që u vra për 30 mijë euro – merr fund misteri për zhdukjen e Bedri Rexhepit, akuzohen dy persona
Për më shumë se një vit e gjysmë, biznesmeni kosovar, Bedri Rexhepi, ishte i zhdukur. Megjithatë, pas hetimeve të Prokurorisë për një kohë të gjatë, trupi i tij u gjet në një zonë në komunën e Novobërdës. Aty po dyshohet se u vra e më pas u fsheh nga dy persona të cilët Prokuroria e Prishtinës po i akuzon për vrasje të rëndë: Jeton e Nexhat Vllasaliu.
Të gjitha këto detaje i ka bërë të ditura në një konferencë për medie prokurori i rastit nga Prokuroria e Prishtinës, Armend Hamiti.
Hamiti ka treguar se deri te vrasja ka ardhur, sipas dyshimeve të para, për një vlerë të parave prej rreth 30 mijë eurosh.
“Prandaj, pas sigurimit të të gjitha provave dhe dëshmive mirë të bazuara, kam arritur të ngre aktakuzë kundër dy personave, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, në drejtim të veprës penale "Vrasje e rëndë me bashkëkryerje" dhe "dëmtim i kufomave". Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale, pas një hetimi për 18 muaj, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, gjegjësisht shuma 30 mijë euro, të cilat të akuzuarit kanë besuar se i ndjeri i posedon dhe më pas kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar”, ka thënë Hamiti në një konferencë për medie, raporton Nacionale.
Në aktakuzën e ngritur nga prokurori Hamiti janë siguruar dëshmitë e 29 personave. Andaj, Hamiti është shfaqur i bindur se ky rast do ta marrë epilogun e merituar.
“Menjëherë me Policinë e Kosovës i kemi filluar hetimet për zbardhjen e këtij rasti. Kemi filluar me njësitin K-9 në pjesën ku është gjetur vetura, por nuk ka pasur rezultat. Kanë filluar hetimet edhe në pjesën nga Artana apo Novobërda, në atë pjesë janë përfshirë të gjitha njësitet e kërkim-shpëtimit, as këtu nuk kanë dhënë rezultat, fatkeqësisht. Anë pozitive e këtij hetimi është se kemi pasur bashkëpunim shumë të ngushtë me Policinë e Kosovës, me FSK-në, AKI-në, që na ka ofruar pajisje për hetime. Nuk jemi ndalë, s'e di sa herë kemi dalë në terren për me e kërku trupin e të ndjerit, nuk ka pasur rezultate. 29 dëshmitarë relevantë janë të paraparë në aktakuzë”, ka deklaruar Armend Hamiti, prokuror i rastit.

Për këtë rast është bërë edhe konfiskimi i disa pajisjeve telefonike, por edhe i kamerave.
“Me datën 30 shtator 2022 arritëm t'i gjejmë mbetjet mortore. Kemi bërë ekzaminim të telefonave të të pandehurve. Është bërë hartofonia e telefonave. Janë siguruar të gjitha kamerat e sigurisë për hetime. Kemi zbatuar masa të fshehta të hetimeve. Në shtator të vitit 2022 kemi dalë edhe në terren me të pandehurit, nuk kanë rezultuar në sukses dy daljet, në ditën e tretë, pa të pandehurit, e kemi bërë identifikimin e vendit”, deklaroi Hamiti në konferencë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar më 30 shtator se ka identifikuar një lokacion të dyshimtë në Novobërdë ku dyshohet të jetë trupi i zhdukur i Bedri Rexhepit.
Sipas Prokurorisë, janë siguruar prova shtesë lidhur me rastin që dyshohet se është rrëmbim. Janë gjetur, siç thuhet në njoftim, disa mbetje mortore në një zonë kodrinore-malore në Novobërdë.
Reagon familja Rexhepi
Pas konfirmimit se trupi i gjetur javë më parë është i biznesmenit Bedri Rexhepi, ka reguar edhe familja e këtij të fundit.
Në një postim në rrjete sociale, ka reaguar vëllau i Bedriut, Vedat Rexhepi.
“Shpresa dhe dëshira jonë në këtë moment është që kriminelët ta marrin dënimin e merituar. Njashtu, duam t’ju informojmë që Bedriu ka rënë pre e një mashtrimi me qellim të ulët të grabitjes, në mënyrën më tradhtare. Më e keqja dhe goditësja është se ky akt makabër i është shkaktuar nga një familje të cilës Bedriu jonë vazhdimisht i ka shtrirë dorën e përkrahjes dhe pa aspak hezitim i ka ndihmuar”, thuhet në postimin e Vedat Rexhepit.
Në fund të postimit, ai ka njoftuar edhe për varrimin dhe i ka falënderuar institucionet.
“Ne si familje, lutemi që rasti i Bedriut të jetë i fundit ku në pabesi shuhet jeta e një të riu. Duke qenë në dijeni rreth kompleksitetit të rastit, i falenderojme të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë (AKI-në, Policinë e Kosovës dhe prokurorin e rastit Armend Hamiti) për mundin, punën e madhe që kanë kryer dhe faktin që nuk ndaluan së qëndruari në krye të detyrës, deri në zbardhjen e rastit për fatin e Bedriut tonë. Njëherit, duam të falenderojmë mediat dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që na qëndruan dhe na përkrahën pa rezervë dhe pa ndërprerë gjatë gjithë kësaj periudhe shumë të rëndë për familjen tonë. Ju njoftojmë se varrimi do të bëhet të enjten, 20 tetor 2022, në ora13:00 ( Me namazin e Drekës ) në varrezat e qytetit në Shtime”, ka shkruar Vedat Rexhepi.
Misteri i zhdukjes së Bedri Rexhepit
Më 8 prill 2021, biznesmeni Bedri Rexhepi kishte dalë nga banesa e tij në “Rrugën B” dhe që nga ajo ditë, nuk kishte asnjë informacion se ku gjendej ai. Për këtë çështje ishin vënë në pranga dy persona. Jeton e Nexhat Vllasaliu.
Njëri prej tyre ishte paraqitur si agjent i CIA-s, duke paraqitur fakte të rreme te familja e biznesmenit, kurse tash, së fundmi, është arrestuar edhe Jeton Vllasaliu, i dyshuar për rrëmbimin e 39-vjeçarit.
Sipas familjarëve të ndërmarrësit, në ditën kritike, kur Bedri Rexhepi kishte dalë nga banesa, kishte qenë në shoqërinë e klientit të tij, Jeton Vllasaliu. Jetoni ishte klient i Bedri Rexhepit, pasi Rexhepi ishte pronar i një salloni për vetura me qira.