Avokatja: Shpalleni të pafajshëm Jakup Krasniqin, lejojeni këtë 75-vjeçar të kthehet te familja
Avokatja e Jakup Krasniqit, Vanketeswari Alagendra, ka nisur fjalën finale në Hagë.
Ajo ka thënë se akuzat për trafikim organesh, nuk janë pjesë e aktakuzës.
“Shumë prej pretendimeve të përfshira në atë raport nuk kanë çuar në ngritjen e akuzave. Siç e dini, nuk keni asnjë akuzë për trafikim organesh këtu para kësaj gjykate, dhe ky raport nuk përfshin asnjë pretendim për vepër penale të kryer nga Jakup Krasniqi”, tha ajo.
Një gjë është e qartë, para pesë vitesh, Jakup Krasniqi është arrestuar dhe i është hequr liria. Ai ka qëndruar në objektin e paraburgimit për 1,126 ditë, larg bashkëshortes së tij, katër fëmijëve dhe njëmbëdhjetë nipërve e mbesave. Ne me respekt parashtrojmë që ju, i nderuar gjykatës, të merrni vendim pafajësie për të gjitha akuzat e ngritura ndaj Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit do t’ju bëjmë thirrje që, duke u mbështetur në prova, ta shpallni të pafajshëm z. Krasniqin. Lejojeni këtë 75-vjeçar të kthehet te familja e tij dhe të kalojë vitet që i ka caktuar Zoti pranë familjes”, tha Alagendra.