Avokat i Ramush Haradinajt e Kadri Veselit: Kush ishte Andrew Strong, krahu i djathtë i Ben Emmerson në Hagë?
Pa pasur ndonjë problem shëndetësor e në rrethana krejt të papritura, ka vdekur avokati amerikan, Andrew Strong.
Strong aktualisht ishte pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit në procesin që po zhvillohet në Gjykatën Speciale të Hagës.
Pothuajse në secilën seancë, ai ishte krahu i djathtë i avokatit të njohur Ben Emmerson. Pothuajse në secilin dëshmitar që merrej në pyetje, Strong e asistonte Emmersonin me dokumente e detaje të rëndësishme.
Strong kishte qenë gjithashtu pjesë e ekipit mbrojtës të Ramush Haradinajt në Hagë, kur i njëjti kishte dalur i pafajshëm.

E pak momente pas kumtimit të lajmit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, shprehu ngushëllime në rrjete sociale.
Haradinaj e ka vlerësuar Strongun si një nga avokatët më të respektuar e me pasion.
“I pikëlluar nga vdekja e parakohshme e avokatit Andrew Strong, një luftëtar i jashtëzakonshëm për të drejtat e njeriut dhe një mik i çmuar i imi. Ai i’u bashkangjit ekipit tim mbrojtës si student nga Chicago, për t’u bërë më vonë një ndër avokatët më të respektuar për pasionin e tij në mbrojtje të drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj në rrjete sociale.
Për vdekjen e Strong, të tronditur janë shprehur nga ekipi i Kadri Veselit. Avni Bytyçi ka thënë se Strong ishte avokat i denjë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Strong fliste rrjedhshëm edhe gjuhën shqipe.
“Para pak çastesh ka vdekur Andrew Strong, avokat i z. Kadri Veseli. Andrew për të gjithë ne ka përfaqësuar idealen, besnikërinë dhe njëriun e palodhshëm që lufton për të vërtetën. Andrew Strong me plot meritë e meriton titullin avokat mbrojtës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kishte mbrojtur edhe z. Haradinaj në Hagë. Andrew ishte amerikan, por me zemër ishte shqiptar. Fliste bukur shqip dhe e donte fort Kosovën. Ai jetoi duke e mbrojtur histrorinë e luftës tonë çlirimtare. Me quante vëlla në shqip, e me trajtonte si të tillë. Do të na mungojë shumë të gjithëve që e njohem dhe punuam me të. Ngushëllime gruas së tij Rachel, dhe tre fëmijeve që la pas”, ka shkruar Bytyçi.
Strong në seancat e fundit që u zhvilluan gjatë kësaj jave nuk kishte qenë në gjykatore në Hagë. Nuk dihen arsyet për vdekjen e tij.
Për vdekjen e tij në rrjete sociale ka shkruar edhe avokati kosovar, Kujtim Kërveshi.

“Andrew ishte duke ngjitur majat e profesionit tonë! Isha krenar me te si kolegë edhe pse kishte një kohë që nuk ishim takuar. Një kohë nuk dinim cka është lodhja! Batutat për ata që lodheshin ishin gjithnjë me spec! Ai ishte një makinë e punës! Ai ishte avokat në rritje dhe po hecte me hapa gjigant profesional! Andrew ishte pasionant i drejtësisë, intelegjent, i përkushtuar në cdo angazhim, kishte vlera njerëzore që nuk mund të mateshin! Kosovo sot ka humbur një mik, një luftetarë të drejtësisë sonë”, ka shkruar Kërveshi në rrjete sociale.

Përgjatë karrierës së tij, Strong kishte vizituar shumë herë edhe Kosovën. Për rolin e tij në mbrojtjen e Haradinajt fillimisht në Hagë, e më pastaj edhe të Veselit kishin shkruar edhe media ndërkombëtare.
Krerët e UÇK-së për tash e më shumë se 3 vjet po mbahen në paraburgim.