Apeli vërteton dënimin me 15 vite burgim ndaj të akuzuarit se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes, e cila vdiq më pas
Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, përmes së cilit ilir haxhiaj ishtë dënuar me 15 vite burgim efektiv, për akuzën se ushtroi dhunë në ditën kur I vdiq bashkëshortja.
Haxhiaj akuzohej se pas mosmarrëveshjeve të mëhershme me bashkëshorten e tij H.D, teksa kishte qenë duke vozitur, kishte ndalur makinën, kishte nxjerrë nga vetura me forcë tani të ndjerën dhe kishte filluar ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar në të gjitha pjesët e trupit dhe pasi tani e ndjera ishte rrëzuar në asfalt të rrugës, ia ka kapur kokën dhe disa herë e ka goditur për asfalti. Më pas, H.D., kishte vdekur në QKUK, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata e Apelit, me vendimin e 25 prillit 2023, ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Haxhiaj, avokatit Shkëlzen Sopjani, ndërsa aktgjykimin e 16 janarit 2023, të Gjykatës Themelore në Prizren e ka vërtetuar.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se, aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës penale, se janë vërtetuar faktet vendimtare për veprën penale lëndim i rëndë trupor për të cilin është shpallur fajtor i akuzuari.
“Gjykata e Apelit, ka vlerësuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas ankesës së ushtruar përkitazi me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, dhe ka ardhur në përfundim se i njëjti nuk përfshihet me shkeljet e pretenduara, të parapara në nenin 384 të KPPK, për të cilat shkelje përkujdeset edhe sipas nenit 394 të KPPK. Kolegji ka ardhur në përfundim se gjykata e shkallës së parë, ka vërtetuar të gjitha faktet vendimtare, të cilat e karakterizojnë veprën penale lëndim i rëndë trupor, nga neni 186 par.5 lidhur me par.1 të KPK, për të cilin është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim përkatës ligjor”, thuhet në vendimin e Apelit.
Apeli ka vlerësuar se në këtë çështje penale gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë dhe të plotë, ka vërtetuar gjendjen faktike.