Ankesat e avokatit të Isni Kilaj: Ministria e drejtësisë ua ktheu shpinën veteranëve në Hagë
Iain Edwards që nga nëntori i vitit të kaluar është angazhuar si avokat kryesor në rastin e Isni Kilajt në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në këta muaj, Edwards nuk është aspak i kënaqur me përkrahjen që ka marrë nga ministria e drejtësisë në Kosovë.
“Ajo përkrahje tashmë është zhdukur. Ministria e Drejtësisë tani qartazi nuk përkujdeset për këta veteranë të cilët janë në paraburgim në Hagë. Ministria e Drejtësisë nuk është e gatshme që t’i mbështesë ata,” tha Iain Edwards – Avokat i Isni Kilaj.
Pakënaqësitë e Edwards ndërlidhen me udhëzimin e ri administrativ të ministrisë së drejtësisë, i cili ka ulur drastikisht pagesat për avokatët e angazhuar në Speciale.
Për rastin e Kilajt, avokatit Edwards i janë ofruar vetëm një mijë euro pagesë.
“Për mua nuk do të ishte problem që të punoja për një mijë euro në muaj. Mirëpo problemi është që unë kam nevojë që të ndërtoj një ekip, duhet të krijoj një sistem, duhet të angazhoj hetues, duhet të angazhoj juristë të tjerë me të cilët duhet të bashkëpunoj. Kështu që një mijë euro në muaj është shokuese, është e turpshme. Unë do t’i bëja thirrje ministrisë së drejtësisë që të tërhiqet nga ky vendim i padrejtë dhe ta rikthejë skemën e vjetër,” shtoi Iain Edwards.