Altin Dumani zgjidhet në krye të SPAK-ut, Edi Rama humb betejën me SHBA-të
Këshilli i Lartë i Prokurorisë(KLP) ka zgjedhur sot Altin Dumanin shef të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion(SPAK).
Pas një intervistomi të gjatë të tre kandidatëve, këshilli me 5 vota ka zgjedhur Dumanin shef të ri të SPAK-ut.
“Me 5 vota pro z. Altin Dumani emërohet drejtues i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, ka deklaruar kreu i KLP-së, Alfred Balla.
Në këtë proces, Edvin Kondili, i cili është përkrahur nga kryeministri Edi Rama, ka marr katër vota, kurse Adnan Xholi ka marr vetëm një votë.
Dumani, sipas mediave në Shqipëri, ka qenë kandidat i përkrahur nga amerikanet.
Interesante ishte pjesëmarrja e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, në këtë proces.
Por, ajo ka sqaruar pse ishte prezent aty.
“Shoh që ka shumë teori spekulative që po qarkullojnë rreth e qark. Kështu që desha të shpjegoja veten. Dua të shpjegoj pse kam ardhur. Ky është vërtetë një moment i rëndësishëm për Reformën në Drejtësi dhe SPAK. Pse erdha? Erdha për të thënë saktësisht këtë, për të theksuar që ky është një moment i rëndësishëm. Erdha për të thënë që ajo që është e rëndësishme për këtë tranzicion është integriteti i procesit. Nuk jam këtu për t’i thënë askujt se për kë duhet të votojë apo se kë nuk duhet të votojë. Nuk ka asnjë mesazh të fshehur”, ka thënë ajo.
Sipas saj, SHBA ka qenë e drejtpërdrejt me shqiptarët në këtë proces.
“Ju e dini gjithashtu faktin që unë vetë nuk jam një person që i bën gjërat e buta. Unë them ato që nënkuptoj dhe nënkuptoj ato që them dhe përfaqësoj politikën e qeverisë së SHBA. Mbetet prioritet i SHBA që Reforma në Drejtësi të mund të zbatohet plotësisht. Është bërë shumë përparim dhe vërtetë shumë njerëz meritojnë meritë për këtë duke filluar me qeverinë e këtij vendi dhe për këtë meriton të vlerësohet. Merita i shkon edhe opozitës, edhe kritikëve që e mbajnë qeverinë të ndershme sepse kjo është puna e tyre”, ka thënë ajo.
Kush është Altin Dumani?
Altin Dumani është emër i njohur në Shqipëri. Si prokurori i SPAK-ut, ai ka udhëhequr operacionin që ka dërguar në pranga 13 persona, mes të cilëve edhe ish-gjyqtaren e Gjykatës së Krujës Enkeleda Hoxha, raporton TCh.
Dumani ka karrierë mbi 20 vjeçare si prokuror. Në mars të vitit 1999 ai mori për herë të parë detyrën si prokuror në Sarandë. Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000.
Altin Dumani ka lindur në Shupenzë të Dibrës dhe vjen nga radhët e Prokurorisë së Apelit. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha.
Në këtë proces Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vlerësuar shtatë kritere tek kandidatët për këtë pozicion: eksperienca në ndjekjen dosjeve sensitive të korrupsionit dhe krimit të organizuar, eksperiencën dhe aftësitë në organizimin dhe drejtimin e një strukture, eksperiencën në hartimin e miratimin e rregulloreve administrative, eksperiencën në çështje të cilat kanë marrë vëmendje të lartë publike dhe ndërveprim me median, aftësitë në drejtimin të burimeve njerëzore, vizionin për drejtimin e SPAK si dhe imazhin që ka në publik si prokuror.
Dumani në këtë pozitë do të jetë për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhje.
