Alija: Aplikimi i ligjit më të ashpër nga Gjykata Speciale, problem serioz kushtetues dhe i të drejtës ndërkombëtare - NACIONALE

Alija: Aplikimi i ligjit më të ashpër nga Gjykata Speciale, problem serioz kushtetues dhe i të drejtës ndërkombëtare

1 vit më parë

nga Besian Beha

Hulumtuesi dhe njohësi i çështjeve të krimeve të luftës, avokati Amer Alija, në një analizë dërguar Nacionale, ka sqaruar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Salih Mustafës.

Kushtetutesja konstatoi se nuk e merr parasysh dënimin më të butë për të akuzuarit në Hagë, e që është Kodi Penal për ish-Jugosllavinë.

Si rezultat, Specialja tha se e ka në vëmendje Ligjin për Dhomat e Specializuara, që parashohin dënim deri në burgim të përjetshëm.

Megjithatë, Amer Alija, këtë po e cilëson si problematikë serioze kushtetuese por edhe të së drejtës ndërkombëtare.

“Ka një devijim serioz të Dhomave nga praktika vendore dhe ndërkombëtare në lidhje me dënimet për krimet e luftës. Aplikimi i një ligji më të ashpër penal dhe refuzimi për të zbatuar parimin lex mitior përbën një problematikë serioze kushtetuese dhe të drejtës ndërkombëtare”, thotë Alija për Nacionalen.

Sipas Aliajt, çdo shmangie nga ligji më i butë, nuk është në përputhje me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

“Bazuar në parimin lex mitior, në rastin konkret duhet të zbatohet Ligji Penal i RSFJ-së i vitit 1976, si ligji më i favorshëm për të akuzuarin, për sa kohë që ai ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës dhe parashihte dënime më të ulëta dhe më të kufizuara, krahasuar me Kodet Penale të mëvonshme dhe Ligjin e Dhomave të Specializuara. Çdo shmangie nga ky parim - siç ka bërë Gjykata Kushtetuese e Dhomave në rastin e Salih Mustafës - nuk është në përputhje me nenin 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 12 të Ligjit për Dhomat e Specializuara, që pikërisht kërkojnë respektimin e parimit lex mitior si një standard ndërkombëtar i së drejtës penale. Ligji i Dhomave të Specializuara (2015) është më i ashpër, ky ligj lejon burgimin e përjetshëm për krime të luftës, çka përbën një politikë ndëshkimore më të rëndë. Zbatimi i këtij ligji në vend të ligjit më të butë bie ndesh me parimin lex mitior dhe me standardet e së drejtës ndërkombëtare”, thotë ai.

Analiza e plotë e Amer Aliaj për Nacionalen:

Sa është duke u zbatuar parimi lex mitior nga Dhomat e Specializuara të Kosovës?

Për të kuptuar kontradiktën mes vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara (KSC-CC-2024-27), Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe realitetit juridik në Kosovë, duhen vlerësuar ligjet penale që nga viti 1976 deri më sot, bashkë me praktikën gjyqësore dhe politikën ndëshkimore të zbatuar për krimet e luftës në Kosovë.

Praktika e UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë

Bazuar në dhjetëra aktgjykime për krimet e luftës në Kosovë, të shqyrtuara nga gjyqtarë ndërkombëtarë gjatë mandatit të UNMIK-ut dhe më vonë EULEX-it, e ku disa prej këtyre gjyqtarëve tani janë edhe pjesë e Dhomave të Specializuara, vërehet se: Gjatë kësaj periudhe (1999-2018) është aplikuar ligji penal i RSFJ-së (Ligji Penal i vitit 1976), në përputhje me nenin 33 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet ndërkombëtare.

· Për krimet e luftës, dënimet janë shqiptuar kryesisht prej 5 deri në 15 vjet burgim.

· Në disa raste, për rrethana lehtësuese, janë dhënë edhe dënime nën minimumin prej 5 vjetësh, që tregon një fleksibilitet të sistemit në zbatimin e parimit lex mitior.

· Ligji i RSFJ-së parashihte dënime për krimet e luftës prej 5 deri në 15 vjet, dhe vetëm në rrethana jashtëzakonisht të rënda, dënim prej 20 vjet ose dënim me vdekje. Por dënimi me vdekje është shfuqizuar me rregulloren e UNMIK Nr. 1999/24 e datës 12 dhjetor 1999.

2. Praktika e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë (TPNJ) Një tjetër pikë referimi është Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ):

· Të akuzuarit serbë, të gjykuar për krime kundër njerëzimit në Kosovë, përfshirë masakra me mijëra viktima, janë dënuar prej 14 deri në 22 vjet burgim.

· TPNJ, edhe pse ishte një gjykatë ndërkombëtare me juridiksion për krimet e luftës që kanë ndodhur në luftërat në ish-Jugosllavi, ka pasur një qasje të kujdesshme dhe proporcionale në matjen e dënimeve, duke u bazuar në kontekstin, nivelin e përgjegjësisë dhe rrethanat e çdo rasti.

3. Dhomat e Specializuara: Dënime dhe ligj më i ashpër Në kontrast të dukshëm me këto praktika:

Në kontrast të dukshëm me këto praktika:

· Dhomat e Specializuara në Hagë aplikojnë dënime dukshëm më të rënda, ku është parashikuar edhe burgim i përjetshëm, duke e aplikuar Kodin Penal të Republikës së Kosovës i vitit 2019.

Për më tepër, ato janë duke aplikuar një ligj penal më të ashpër, duke mos e zbatuar parimin lex mitior, pavarësisht se ky parim është i paraparë si në Ligjin për Dhomat (neni 12), ashtu edhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neni 7).

4. A ka kontradiktë? Po – dhe është serioze

Nga kjo përmbledhje, bëhet e qartë se:

· Ka një devijim serioz të Dhomave nga praktika vendore dhe ndërkombëtare në lidhje me dënimet për krimet e luftës.

· Aplikimi i një ligji më të ashpër penal dhe refuzimi për të zbatuar parimin lex mitior përbën një problematikë serioze kushtetuese dhe të drejtës ndërkombëtare.

5. Përfundim:

· Bazuar në parimin lex mitior, në rastin konkret duhet të zbatohet Ligji Penal i RSFJ-së i vitit 1976, si ligji më i favorshëm për të akuzuarin, për sa kohë që ai ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës dhe parashihte dënime më të ulëta dhe më të kufizuara, krahasuar me Kodet Penale të mëvonshme dhe Ligjin e Dhomave të Specializuara.

· Çdo shmangie nga ky parim - siç ka bërë Gjykata Kushtetuese e Dhomave në rastin e Salih Mustafës - nuk është në përputhje me nenin 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 12 të Ligjit për Dhomat e Specializuara, që pikërisht kërkojnë respektimin e parimit lex mitior si një standard ndërkombëtar i së drejtës penale.

· Ligji i Dhomave të Specializuara (2015) është më i ashpër, ky ligj lejon burgimin e përjetshëm për krime të luftës, çka përbën një politikë ndëshkimore më të rëndë. Zbatimi i këtij ligji në vend të ligjit më të butë bie ndesh me parimin lex mitior dhe me standardet e së drejtës ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme