Aktakuza e Prokurorisë për sulmin në Banjskë: Krejt çka u raportua dje - NACIONALE

Aktakuza e Prokurorisë për sulmin në Banjskë: Krejt çka u raportua dje

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur dje aktakuzë kundër kriminelit Milan Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë për sulmin terrorist të ndodhur më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit. Ndërkohë, Nacionale gjatë ditës së djeshme ka publikuar detaje nga aktakuza.

Sipas aktakuzës, grupi i Banjskës në krye me Millan Radoiçiqin me dhunë dhe armatim të rëndë tentuan të shkëpusin pjesën veriore të Kosovës dhe ta bashkojnë me Republikën e Serbisë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale e bën fajtore direkt Serbinë për organizimin dhe mundësimin e sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator. Kjo thuhet direkt në pjesën ku Milan Radoiçiqi akuzohet për shpërlarje parash, e përfitime të milionave nga Serbia dhe të disa tenderëve të tjerë në Kosovë.

“Gjatë hetimit është vërtetuar se fuqizimi i të pandehurit Milan është bërë në forma të ndryshme me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Republikës së Serbisë, ku kjo e fundit fillimisht i ka ofruar fuqizim ekonomik përmes dhënies së tenderëve në Serbi me qëllim të grumbullimit të fondeve në vlera të konsiderueshme, gjegjësisht përkrahje me miliona euro, pastaj i është ofruar përkrahje politike në takimet e nivelit të lartë të strukturave të sigurisë dhe strukturave politike të shtetit Serb. Më pastaj, Serbia i ka ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve, ofrimin e pajisjeve ushtarake dhe logjistike, krejt këto të nevojshme për të kryer sulmin terrorist të datës 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të siguruar nga gazeta Nacionale.

Sipas aktakuzës, Radoiçiqi ishte personi kryesor që merrej me dallavere në pjesën veriore të Kosovës. Ai merrte miliona tenderë nga Serbia, përmes kompanive ku pronarë ishin vartësit e tij. Në këtë formë edhe bëhej shpërlarja e parave. Me të gjitha këto mjete më pas, bllokoheshin rrugët e sulmohej Policia e Kosovës.

Prej vitit 2017 deri në 24 shtator 2023, kryeterroristi Milan Radoiçiq, kishte nisur me grumbullimin e armatimit të rëndë, uniformave e mbështetjes logjistike për kryerjen e sulmit që u krye në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

“Në periudhën kohore nga viti 2017 deri më 24 shtator 2023, i pandehuri Milan Radoićić, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, ku pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë - blerje dhe furnizim me armë të rënda për grupin terrorist, uniforma ushtarake - sigurimi i uniformave për pjesëmarrësit e grupit, mbështetje logjistike - sigurimi I pajisjeve dhe shërbimeve logjistike për operacionet e grupit, pagesën e pjesëmarrësve të grupit - financimi i pjesëmarrësve të grupit terrorist për të siguruar përfshirjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në veprimtaritë kriminale, veprime këto me qëllim të lehtësimit dhe financimit të veprave terroriste, rrjedhimisht krijimit të kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e akteve terroriste”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga gazeta Nacionale.

Gjithashtu, Aktakuza e Prokurorisë Speciale për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, tregon detaje për kurthin që i ishte ngritur Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, ku është vrarë rreshteri Afrim Bunjkau dhe ishin plagosur dy të tjerë.

Në aktakuzën që e ka siguruar gazeta Nacionale, në cilësinë e dëshmitarëve janë paraqitur deklaratat e të gjithë policëve që kanë qenë prezent në natën kritike.

Ata në detaje kanë treguar se si ka ndodhur rasti, duke përshkruar edhe vrasjen e kolegut të tyre Afrim Bunjjaku.

Sipas tyre, fillimisht ishte dëgjuar një fishkëllim, pastaj një detonim dhe kishin filluar krismat.

Fillimisht, në aktakuzë janë dhënë deklaratat e tre policëve që të paret kishin hasur në bllokimin e rrugës në fshatin Banjskë.

GJITHÇKA RRETH AKTAKUZËS MUND TË LEXONI KËTU

Këta janë të akuzuarit:

Dispozitivi i parë i aktakuzës së PSRK-së ngarkon të akuzuarit: Milan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Millos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq dhe Vladan Iliq.

Lajme të ngjashme