A u shkel Konventa e Stambollit në gjyqin e Dardan Krivaqës?
Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës Kundër Grave dhe Dhunës në Familje, e njohur ndryshe edhe si Konventa e Stambollit, është inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës, pas miratimit në Kuvend, në vitin 2020.
Konventa është ligjërisht e obligueshme për shtetet palë, siç është në këtë rast Kosova, por në rastin e gjykimit të Dardan Krivaqës, i cili po akuzohet për vrasje të rëndë të Marigona Osmanit, duket se kjo konventë tëpër e rëndësishme është shpërfillur nga institucionet e drejtësisë.
Krejt kjo pasi Prokuroria e kishte ftuar si dëshmitar djalin e dajës së Dardan Krivaqës, i cili u mor në pyetje edhe në seancën e 10 nëntorit.
Endrit Kuka ka “kontribuuar” me dëshminë e tij në Gjykatën e Ferizajt, pasi vetë i akuzuari Krivaqa ka hedhur dyshime se tashmë e ndjera, Marigona Osmani, e ka tradhtuar Krivaqën me djalin e dajës së tij, Endrit Kuka.
Sipas Konventës së Stambollit, kjo nuk do të duhej të ndodhte. Qëllimi i kësaj konvente për këto raste ka të bëjë me atë se në procedurë penale për dhunë ndaj grave, të mos trajtohen si arsyetim kultura, zakoni, tradita, religjioni apo i ashtuquajturi “nder”.
Shpjegimi
Avokatja Rina Kika, përmes një statusi në Facebook, ka qenë e prerë. Sipas saj, Konventa e Stambollit është shkelur gjatë kësaj seance gjyqësore me dëgjimin e këtij dëshmitari.
“Dje në procesin gjyqësor për vrasjen dhe dhunimin e Marigona Osmanit, Prokurori i Shtetit kishte thirrur si dëshmitar djalin e dajës së të akuzuarit Dardan Krivaqa për t’u përgjigjur lidhur me deklaratat e Krivaqës se kinse Marigona e kishte tradhtuar me djalin e dajës së tij. Por Prokuroria nuk është dashur fare ta ftojë këtë dëshmitar në proces”- shkroi ajo.
“Në Kosovë është drejtpërdrejt e zbatueshme Konventa për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Kjo Konventë, që njihet edhe si Konventa e Stambollit, përcakton një obligim për shtetin e Kosovës që arsyetime të tilla t’i trajtojë si të papranueshme”- shtoi Kika.
“Nuk ka arsyetim për dhunën ndaj grave. Por Prokuroria, duke u marrë me arsyetimin e Krivaqës për tradhti, pothuajse ua ka legjitimuar burrave të tjerë vrasjen e grave për shkak të dyshimeve për tradhti”- ka shkruar ndër të tjera Kika.
Çka thotë Konventa e Stambollit për këto raste?
Në kapitullin me titull “Parandalimi”, saktësisht në nenin 12 të kësaj konventës, ndër të tjera thuhet: “Palët garantojnë që kultura, zakonet, feja, tradita ose i ashtuquajturi “nder” të mos konsiderohet si justifikim për çdo akt dhune të mbuluar nga objekti i kësaj Konvente.
Pra, nëse i ashtuquajturi “nder” nuk duhet të konsiderohet si justifikim për çdo akt dhune, cila ishte arsyeja, ose relevanca, nëse i akuzuari Krivaqa vrasjen e ka kryer për ta mbrojtur “nderin” ose jo?
Nga kjo del se Republika e Kosovës nuk e konsideron si ndonjë lloj mase justifikuese për aktet e dhunës të ashtuquajturin “nder”.
Megjithatë, dëshmitari, për të cilin Krivaqa pretendon se e “çnderoi” Marigona Osmanin, u mor në pyetje nga instancat e drejtësisë.
Kontekst: Ç’ndodhi në seancën e 10 nëntorit?
Dardan Krivaqa u takua sërish me djalin e dajës së tij, Endrit Kuka.
Këtë herë, ata u takuan në gjykatë – njëri si i akuzuar e tjetri si dëshmitar.
Dardan Krivaqa, i akuzuar për vrasjen e rëndë, dyshon se Marigona Osmani e kishte tradhtuar me djalin e dajës së tij, Endrit Kukën.
Në cilësinë e dëshmitarit, ky i fundit ka mohuar një gjë të tillë.
“Me viktimën s’kam pasur kontakt kurrë, përveç se kur ka qenë Dardani prezent. Në banesën e Dardanit kam qenë para martesës, asnjëherë pas martesës. Marigonën nuk e kam njohur më herët. Nuk kam ditur asgjë, derisa halla jem e ka thirrë babin tem në telefon dhe ka thanë se Dardani ka me të rreh, por s’e kam marrë si kërcënim. Kjo bisedë ka ndodhur pasi ka ndodhur rasti, pasi janë publikuar pamjet. Dardani atë kohë ka qenë në arrati” – tha dëshmitari Kuka.
Dëshminë e tij e ndërpreu i akuzuari Dardan Krivaqa.
“Para se me vdekë e ndjera Marigona Osmani, me datën 21, e kam thirrë dëshmitarin në telefon me video dhe gjatë thirrjes e ndjera e pranon se ka pasur një lidhje me të. Madje sa herë që kam dalë unë nga banesa, ata kanë kryer marrëdhënie” – tha i akuzuari Krivaqa.
“S’është e vërtetë që më ka thirrë në telefon”- tha Dardan Kuka.
Me pyetje ka vazhduar njëri nga gjykatësit: Pse e ndjera ju ka akuzuar ju (dëshmitarin) për një lidhje derisa ju nuk keni qenë asnjëherë në banesë?
“Unë s’kam qenë asnjëherë në banesë. Nuk më ka thirrë në telefon. Përgjigjem vetëm nëse ka ndonjë fakt se kjo ka ndodhur” – shtoi Kuka.
E Dardani beson se kjo do të vërtetohet.
“Të gjitha thirrjet i ka Prokuroria” – theksoi Krivaqa.
Gjykatësi ka thënë se i ka parë incizimet: I kemi parë te gjitha video-incizimet. Do t’i shohim prapë.
Dëshmitari Besart Mani nuk ka ardhur në seancë për te dëshmuar.
Prindi i tij, Sylë Mani, ka thënë se Besarti është në Poloni për të punuar dhe se do të kthehet në fund të vitit.
Në këtë seancë ka munguar edhe Burim Maloku, mjeku që kishte punuar në emergjencë në Vushtrri.
Dardan Krivaqa dyshohet se e dhunoi dhe e vrau gruan e vet, Marigona Osmanin, 19 vjeçare, më 22 gusht të vitit të kaluar.
Çka thoshte Vjosa Osmani për Konventën e Stambollit?
“Konventa e Stambollit, që është pjesë e këtij amandamenti, përcakton metoda për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familjes në një kontekst të rritjes së barazisë De juro dhe De fakto”- thoshte presidentja Osmani.
“Nuk ka të bëjë me trajtimin e grave si viktima të pafuqishme. Është obligim i yni që, në kuadër të legjislacionit tonë, të Kushtetutës, ta përfshijmë edhe Konventën e Këshillit të Evropës për Parandalimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, e njohur si Konventa e Stambollit”- shtonte ajo.
“Vota juaj është votë për secilin qytetar. Vota juaj për këtë amandament është vetëm një kërkim-falje që nuk arritëm të bëjmë asgjë që t’i mbrojmë gratë përpara se të vriten”- thoshte Osmani në Kuvend.
Ditëve në vijim, do të provojmë të marrim përgjigje nga intitucionet e drejtësisë, jo vetëm për këtë rast, por edhe për raste të tjera, se sa po zbatohet Konventa e Stambollit dhe se si po interpretohet ajo në procedura konkrete.