A u kthye borxhi? Flutura Goga e avancoi, kryetarja e komisionit e ktheu në punë për zhdukjen e mostrave të Deharit - NACIONALE

A u kthye borxhi? Flutura Goga e avancoi, kryetarja e komisionit e ktheu në punë për zhdukjen e mostrave të Deharit

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Drejtoresha e Laboratorit ku u zhdukën mostrat e Astrit Deharit, Flutura Goga, bashkë me tre zyrtarë të tjerë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, u kthyen në punë me një vendim të Komisionit të Ankesave. Kjo pas suspendimit lidhur me zhdukjen e të gjitha mostrave të aktivistit të VV-së, Astrit Dehari.

Në krye komisionit të ankesave ka qenë Valdete Ejupi, e cila bashkë me dy anëtarë të tjerë vendosën që t’i kthejnë në punë katër të suspenduarit.

Pikërisht Ejupin e kishte avancuar në pozitë Flutura Goga, kjo e fundit tash e kthyer në punë nga komisioni që e udhëhoqi po Valdete Ejupi, lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Gazeta Nacionale ka siguruar nga sinjalizuesit vendimin që ka datën 6 maj 2022, ku Goga në cilësinë e zv/drejtoreshës së IML-së e kishte avancuar në pozitë Ejupin. Nga pozita e zyrtares financiare, Valdete Ejupi ishte emëruar zëvendësuese e Udhëheqësit të Administratës në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Bazuar në vendimin me nr 02/2022-IML të datës 25.02.222 z.Mustafës Shala që e ka mbajtur deri më datën pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për Administratë dhe Punë të Përgjithshme në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore/MD, ka dhënë dorëheqje dhe si rrjedhojë e kësaj kjo pozitë është aktualisht e lirë. Nga të gjitha të theksuarat, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendimin për avancimin e Valdete Ejupi të siguruar nga gazeta Nacionale.

Nacionale ka tentuar të marrë një përgjigje nga Flutura Goga për këtë temë, megjithatë ajo nuk ka qenë e qasshme.

Pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, ministrja e Drejtësisë i kishte suspenduar katër zyrtarë. Në mesin e tyre edhe Flutura Goga si drejtoreshë e laboratorit nga ku u zhdukën këto mostra. Të suspenduarit e tjerë ishin: Nardi Sheqergjiu, Anila Lakna e Ilirjana Shala.

Të gjithë këta u kthyen në punë pak ditë pas suspendimit. Vendimin për këtë e mori Komisioni për Ankesa që drejtohej nga Valdete Ejupi Pra, bëhet fjalë për Ejupin të cilën po Goga e kishte avancuar në një pozitë tejet të rëndësishme në administratën e IML-së. Sinjalizuesit gjithashtu kanë bërë të ditur për Nacionalen, se raportet e disa prej anëtarëve të komisionit me Flutura Gogën, janë tejet të afërta.

Nacionale ditë më parë kishte publikuar ekskluzivisht vendimin me të cilin ishin kthyer në punë të suspenduarit për zhdukjen e mostrave të Deharit. Arsye për këtë, komisioni e kishte përmendur shkeljen procedurale.

“Shkeljet procedurale konsistojnë në mosinformimin e palëve lidhur me fillimin e procedurës shkeljet e pretenduara, të parapara me nenin 48, paragrafi 6 i Ligjit N. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë dhe nenin 4, paragrafi 3 i Rregullores QRK Nr. 11/2020 për Disiplinën dhe Ankesat e Zyrta Publik. Komisioni Disiplinor ka shkelur ligjin material duke mos e mbështetur me bazë ligjore vendimin mbi ndalesën në pagë prej 50% dhe duke mos dhënë arsyet pse kjo masë është e zbatueshme në rastin konkret, që është element i detyrueshëm në çdo arsyetim të secilit akt”, thuhet në vendimin që është marrë nga Komisioni i Ankesave.

Nacionale gjithashtu kishte raportuar se drejtoresha e laboratorit nga ku u zhdukën mostrat e Astrit Deharit, pra Flutura Goga, kishte punuar pa licencë. Kjo ishte konstatuar nga Inspektorati Shëndetësor të cilët kishin hartuar edhe një raport për këtë.

A pati shkelje ligjore në avancimin e Valdete Ejupit?

Avancimi i Valdete Ejupit në pozitën e zëvendësueses së Udhëheqësit të Administratës në IML, ka dilema se nuk është bërë komplet në përputhje me Ligjin. Përveç raporteve të afërta që sinjalizuesit kanë bërë të ditur se Ejupi ka me Flutura Gogën, janë shprehur dyshime edhe për shkelje ligjore.

Në rastin në fjalë, emërimi është bërë për një pozitë të rregullt pune. Sipas Ligjit për Shërbimin Civil, një pozitë e rregullt e punës mund të bëhet vetëm për zëvendësim për një periudhë jo më të gjatë se 12 muaj. Madje, procedurat e pranimit zhvillohen nga Njësia e Burimeve Njerëzore.

“Përjashtimisht, një pozitë e rregullt pune në Shërbimin Civil mund të plotësohet në rast të nevojës të zëvendësimit apo mungesës së përkohshme të një nëpunësi civil varësisht nga rasti, për një periudhë jo më të gjatë se 12 (dymbëdhjetë) muaj. Në këtë rast, procedurat e pranimit zhvillohen nga Njësia e Burimeve Njerëzore, në pajtim me rregullat e përcaktuara me këtë ligj për nëpunësin administrativ dhe mbështetës”, thuhet në Ligj.

Kurse neni 67 flet për organizimin e konkursit në raste kur kërkohet për pozita të ndryshme në secilën administratë të shërbimit publik, dhe këtu nuk parashihet avancimi, emërimi apo transferimi në ndonjë pozitë pa iu nënshtruar konkursit publik.

Gjetja e mostrave të Deharit

Gazeta Nacionale ka raportuar të premten se një pjesë e mostrave të Deharit janë gjetur. Bëhet fjalë për mostrat e lukthit dhe të urinës, kurse vazhdojnë të mungojnë mostrat e gjakut. Këto mostrat u gjetën në një nga hapësirat që nuk monitorohet nga kamerat.

"Komisioni per invertaizim i kanë gjetë tek një frigorifer që nuk është i mbuluar prej kamerave të sigurisë. Dje i kanë gjetë nga fundi i orarit të punës. Esenca është që frigoriferi nuk mbulohet prej kamerave. Një pjesë e mostrave janë gjetë, por jo të gjitha." - ka thënë burimi për Nacionalen.

Sipas sinjalizuesve të Nacionales brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore, janë vetëm 3 persona të cilët kanë pasur qasje në pjesën ku janë gjetur mostrat e Deharit. Janë pikërisht disa nga zyrtarët të cilët ishin suspenduar me vendim nga ministrja Albulena Haxhiu, pasi ishin zhdukur mostrat.

Flutura Goga, Nardi Sheqergjiu, Anila Lakna e Ilirjana Shala ishin zyrtarët e suspenduar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, të cilët më pas u kthyen në punë.

Lajme të ngjashme