A mund t’ua pezullojë shteti pagat grevistëve? S’pajtohen juristët - NACIONALE

A mund t’ua pezullojë shteti pagat grevistëve? S’pajtohen juristët

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Sindikatat kanë marrë vendim, të braktisin punën, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. 100 euro më tepër se rroga që marin aktualisht deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

Por, eksponentë të qeverisë ua kanë bërë me dije grevistëve se rrrezikojnë të mos marin fare rrogat e tyre, përderisa ata grevojnë. Për këtë qeveritarët thirren në një plotësim/ndryshim të ligjit i cili kishte ndodhur në vitin 2012, e ku thuhet se në momentin e grevës, pezullohen obligimet që dalin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagë.

E ky plotësim ndryshim siç duket po krijon dykuptimësi, të ligjit, pasi me nenet e tjera të të njejtit ligj, flitet për mbrojtjen e grevistëve, ku ceket se: pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës”.

Avokatit Florim Shefqeti, mendon se me ligjin aktual, qëndrojnë të dy të drejtat; ajo për grevë, si dhe ajo për pezullimin e pagave për grevistët. Avokati Shefqeti vlerëson se e drejta për grevë garantohet me ligj, konkretisht me nenin 11 të Ligjit Për Greva.

Tutje avokati Shefqeti shpjegon nenet që e shkaktuan “tollovinë” e interpretimin me dy kuptime, ndërmjet qeverisë e sindikatave

Ligji për Grevat në nenin 13 ka përcaktuar se, Mbrojtja e të drejtave të punësuarve gjatë grevës, Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës. Gjatë grevës së organizuar sipas kushteve të përcaktuara me këtë Ligj, punëdhënësit nuk mund të punësojnë punëtorë të rinj të cilët do të zëvendësonin pjesëmarrësit në grevë”, deklaron avokati për gazetën Nacionale.

Avokati Shefqeti, ka komentuar nenin 18, i cili flet mbi ligjshmërinë e grevës.

“Në këtë mënyrë është e përcaktuar dhe e garantuar e drejta për grevë, kjo e drejtë sipas respektimit të procedurave nuk mund të mohohet apo kufizohet/cënohet në asnjë mënyrë jo ligjore, prandaj subjektët sipas procedurës ligjore kanë të drejtë që të bëjnë organimizimin e grevës. Kjo e drejtë është e garantuar me nenin 11 i cili përcakton të drejtën në organizmin e greves e po ashtu neni 13 që ka të bëjë me konkretisht neni 13 par 2, citoj:’’ nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës,, mbaron citati, e që pjesa materiale, reflekton pamundësinë e caktimit të kufizimeve që në sensin material, mund të interpretohet si paga e tyre”, tha më tutje ai.

Por cili është efekti i ndryshimit të këtij neni, i cili u bë në vitin 2012?

Arsyetimi i Avokatit Shefqeti, për ligjshmërinë e pezullimit të pagave. Ai thotë se Qeveria ka të drejtë ta bëjë pezullimin e pagave.

“Pra neni 13 i Ligjit për Grevat nr 03/L-200 është shtuar paragrafi 3, si në vijim: “Të punësuarit të cilët punojnë gjatë grevës, në shërbimet e rëndësisë jetike me qëllim të sigurimit të minimumit të procesit të punës, kanë të drejtë në pagë, në përputhje me kohën e kaluar në punë”

“Mbi këtë bazë ligjore, e drejta për pagë u takon vetëm atyre që punojnë, madje plotësimi i ligjit shkon edhe përtej saj në përllogaritjen e kohës së kaluar në punë, pra, rrjedhimisht, e drejta e Qeverisë për të mos bërë pagesa për grevistët buron nga Ligji nr. 04/L-119 për plotësim/ndryshimin e Ligjit për Grevat nr 03/L-200. Për me tej, qëllimi i ligjit, reflekton edhe faktin se, edhe në aspekin e kontratave me kohë të caktuar, ka ofruar siguri juridike të mos llogaritjës së kohëzgjatjës së kontratës në rast të grevës”, deklaron avokati Florim Shefqeti.

Po ashtu sipas Ligji nr. 04/L-119 për plotësim/ndryshimin e Ligjit për Grevat nr 03/L-200 neni 7 I cili ka përcaktuar se, 1. Neni 18 i ligjit bazik, paragrafi 1, pra I Ligjit për Grevat., pas togfjalëshit “Kontrata e Punës ‘’ shtohet fjalia “duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.

Megjithatë, Shefqeti thotë se duhet një opinion nga Gjykata Kushteutese.

“Ligji i Punës dhe Ligji për Zyrtarët Publik nuk e bëjnë rregullimin e kësaj çështjeje. Se plotësim ndryshimi i Ligjit për Grevat a është në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës, kjo duhët të vlerësohet nga ana e Gjykatës Kushtetuese.” Ka thënë Shefqeti.

Ndryshe nga Shefqeti, mendon kolegu i tij avokat, Armend Shkoza. Sipas Shkozës, Ligji është frymë, dhe kur brenda ligjit ka kontradikta të tilla sikurse Ligji Për Greva, zbatimi i dispozitës sikur kjo e pezullimit të pagës, krijon kundërligjshmëri.

“Ligji është frymë. Kështu e thoshte Montesquie. Pra, pos se është vullnet, ligji reflekton edhe harmoni. Harmonia në kontekst të doktrinës juridike do të thotë rrjedhë horizontale dhe vertikale logjike e dispozitave të ligjit. Dispozitat e një akti juridik nuk mund të jenë kontradiktore. Në momentin që janë kontradiktore, kjo nënkupton që me zbatimin e njërës normë e cila është në kundërshtim me një normë tjetër të po të njëjtit akt, krijon auto-kundërligjshmëri. Njëjtë tek rasti i Ligjit për Greva”, shkruan Shkoza.

Sipas Shkozës, nuk mundet që i njejti ligj të shprehë qëllimin mbrojtës ndaj të punësuarëve e në anën tjetër të përmbajë dispozita shtrenguese, sikurse ajo e pezullimit të pagës.

“Deri sa njëra dispozitë garanton mbrojtje të të punësuarëve të cilët marrin pjesë në grevë, tjetra dispozitë krijon efekt shtrëngues që është në kundërshtim me dispozitën paraprake.

Në raste të tilla vie në shprehje së pari interpretimi teleologjik (qëllimor) përmes të cilit ndërhyhet në kuptimin e vet qëllimit të aktit. E nëse lexohet qëllimi i proklamuar i ligjit për greva, dispozita e nenit 2 thotë se ky ligj ka qëllim të mbrojë të drejtat dhe lirinë e të punësuarve për tu asociuar me organizime të grevave. Pra nuk mundet një akt ligjor njëkohësisht të shprehë qëlimin e mbrojtjes së të punësuarve e në anën tjetër të përmbajë dispozita shtrënguese dhe të cilat vijnë në kundërshtim me frymën e ligjit

Sipas Avokatit Armend Shkoza, në këto raste kemi të bëjmë me dipozita mortale (të vdekura) të cilat nuk mund të jenë më shumë se tekst, dhe asesi nuk duhet të krijojnë pasoja juridike.

“Kemi të bëjmë me pamundësinë tipike juridike e cila krijon krahas kolizionit juridik, po ashtu edhe kolizion logjik. Në këto raste doktrina e thotë që "një dispozitë e pamundshme (në kuptim logjik e juridik) nuk mund të krijojë pasojë juridike.". Thënë ndryshe, kemi të bëjmë me dispozite mortale të cilat janë tekst dhe asgjë tjetër.”

Përderisa debati në mes profesionistësh veçse ka filluar, e siç duket do të vazhdojë, ende nuk dihet nëse qeveria do ta aplikojë dispozitën ku flitet për “pezullimin e pagave” për grevistët. Dhe se një gjë e tillë, do të jetë apo jo subjekt i Gjykatës Kushtetuese apo e dhe i Gjykatave të rregullta.

Lajme të ngjashme