6 vjet e gjysmë vetëm Prokuroria, shtabi i përgjithshëm e komunikatat – Përplasje në seancën e krerëve të UÇK-së - NACIONALE

6 vjet e gjysmë vetëm Prokuroria, shtabi i përgjithshëm e komunikatat – Përplasje në seancën e krerëve të UÇK-së

1 vit më parë

nga Besian Beha

Me përplasje e dallime të shumta është shoqëruar konferenca e fundit statusore në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Kjo për shkak të kohës që ka kërkuar Prokuroria për gjykim, për provat që ndërlidhen me shtabin e përgjithshëm dhe komunikatat e UÇK-së dhe detaje të tjera.

Qysh në nisje të gjykimit kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se 6 vjet e gjysmë për dëshmitarët e Prokurorisë është kohë tepër e madhe.

“Është e tepërt koha që është kërkuar vetëm nga ZPS-ja për ta paraqitur rastin e saj. Edhe mbrojtja duhet të reduktojë kohën për të marrë në pyetje dëshmitarët. Vetëm me dëshmitarët e Prokurorisë me këtë ritëm duhen 6 vjet e gjysmë për t’i përfunduar”, ka thënë Smith, raporton Nacionale.

Megjithatë, përfaqësues të Prokurorisë së Specializuar kanë thënë se janë duke bërë analizat e tyre për ta zvogëluar kohën e marrjes në pyetje.

“Synojmë të reduktojmë kohën e marrjes në pyetje për dëshmitarët. Jemi të interesuar të jemi sa më efikas, askush nuk do që gjykimi të vazhdojë për gjashtë vjet e gjysmë. Jemi në dijeni për këtë. Në 150 orë pyetje të drejtpërdrejta dhe kemi 11 dëshmitarë. Dëshmitarët e parë na jepin informacion të rëndësishëm për të parë nëse mund të paraqesim dëshmitarë të tjerë me shkrim, apo t’i heqim tërësisht. Kemi prova të mëdha për komunikatat e UÇK-së, dokumente nga të akuzuarit, deklarata nga të akuzuarit, dëshmitarët brenda dhe jashtë UÇK-së. Autenticiteti i komunikatave të UÇK-së po kundërshtohet nga mbrojtja”, tha prokurori gjatë kësaj seance.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, deklaroi se bashkë me avokatët e tjerë do të punojnë që pyetjet e tyre të jenë sa më të shkurta.

“Ne do të flasim me ekipet e tjera të mbrojtjes dhe do të tentojmë mos të kemi përsëritje. Është një dëshmitar i rëndësishëm dhe varet nga përgjigjet e tij. Sa i takon provave të reja që synojnë të paraqesin nëpërmjet këtyre personave, ne kundërshtojmë çdo provë të re që paraqitet që nuk na shfaqet paraprakisht neve. Shpesh ndodhin gjëra në seancën e gjyqit që janë jashtë parashikimeve”, deklaroi Keohe.

Detaje lidhur me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të parë ka dhënë edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

“Për 12 dëshmitarët e parë koha është 25 orë e gjysmë pyetje për mbrojtjen e Veselit. Sigurisht jemi përpjekur të jemi sa më real. Mund të shtojmë edhe 5 orë e gjysmë për dëshmitarin e dytë, mund t’i shkurtojmë. Ne kemi dy vjet që i biem daulleve për kohëzgjatjen e procesit. Kemi arritur në një pikë që Prokurorisë i është dhënë hapësirë të paraqesë provat në rendin që i intereson të paraqesë. Ne do të tentojmë të zvogëlojmë sa më shumë kohën. Në momentin që do të fillojmë këtë rrugëtim në këtë gjykim, dhe pavarësisht të dhënave që na ka dhënë Prokuroria, unë besoj se do të vijë në kohë ku trupi gjykues do të thotë po e teprojmë shumë. Kam kohë që e kam paralajmëruar këtë situatë”, deklaroi Emmerson.

Gjykimi do të fillojë me datën 3 prill.

Shtabi i përgjithshëm dhe komunikatat e UÇK-së

Gjatë seancës, Prokuroria ka folur lidhur me disa prova që i ka sekuestruar në shtëpitë e të akuzuarve. Aty kanë përmendur konkretisht komunikatat e UÇK-së.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, deklaroi se Prokuroria e ka gabuar tërësisht mënyrën e organizimit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.

“Më lejoni të theksoj një pjesë: në përpjekje për të kryer barrën e provës ZPS-ja e ka keqkuptuar dhe keqparaqitur rolin e Shtabit të Përgjithshëm në UÇK duke e përshkruar gabimisht si organizatë nga lart poshtë, që kontrollohej nga ana operacionale nga shtabi. Nuk shtrohet vetëm çfarë themi ne: dy trupe gjykuese të Tribunalit janë mbështetur në të njëjtat prova, që shtabi i përgjithshëm përbëhej nga një grup i shpërndarë, që nuk e njihnin njëri-tjetrin. Dhe jo domosdoshmërisht e dinin se cilët ishin anëtarët e tjerë. Që nuk komunikonin për të njëjtat arsye. Takoheshin rrallë mes vete. Citon paragrafët e vendimit të Limajt dhe Haradinajt. Hierarkia e UÇK-së nuk njihej”, tha Emmerson, raporton Nacionale.

Një nga anëtarët e trupit gjykues i ka pyetur avokatët lidhur me ndalimin arbitrar dhe mënyrën se si mbrojtja po dëshiron ta orientojë rastin e saj si vetëmbrojtje.

“A është synimi i ZPS-së që të tregojë se UÇK-ja nuk ka pasur autoritet të ndalojë persona, sepse atëherë kanë qenë në fuqi ligjet jugosllave. A kanë pasur të drejtë sipas ligjit ndërkombëtar, edhe këtë nuk e kanë treguar? Cilat janë garancitë që një aktor joshtetëror duhej të jap njerëzve që i mban në paraburgim? UÇK-ja në kohën e ngjarjeve që flitet këtu, kundërshtonte një shtet. A i ka dhënë Ligji serb UÇK-së të drejta për të ndaluar? Ti mban përgjegjësi nëse dikush e ka vrarë dikënd pa dijeninë tënde”, deklaroi avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq.

Këtu u përfshi edhe Ben Emmerson, avokati i Kadri Veseli.t

“Nuk ka dyshim se ekzistenca e UÇK-së gjatë vitit 1998-1999 si një grumbullim njerëzish që thjeshtë luftonin në kuptimin e gjerë, kishte për qëllim të mbronin vendin dhe qytetarët e tyre kundër Serbisë. Ne pajtohemi me atë që tha Misetiq për ndalimin. Do të argumentojmë se nuk është shkelje e të drejtës humanitare ndërkombëtare apo krim që gjykohet në këtë juridiksion përnjë grup joshtetëror të armatosur që të ndalojë dikënd që ka qenë luftëtar armik, që ka qenë civil që merret pjesë në luftime, ose është një person bashkëpunëtor që dyshohet se jep informacion armikut. Këto nuk janë krime që njihen nga e drejta ndërkombëtare”, deklaroi Ben Emmerson.

Më shumë se 200 orë kohë do të kenë në dispozicion mbrojtja e Prokuroria vetëm për 12 dëshmtiarët e parë në rastin e krerëve të UÇK-së/

Lajme të ngjashme