4 vjet në Hagë: Kur pritet të përfundojë gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së?
Më 4 nëntor, në orët e para të mëngjesit, Njësitet e EULEX-it, bllokuan shtëpinë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit.
Pas disa orësh bastisje, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua në Hagë.
Një ditë më pas, njëjtë ndodhi edhe me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.
4 dhe 5 nëntori i vitit 2020 do të shënonte nisjen e betejës së katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me drejtësinë e Dhomave të Specializuara.
Pas një vonese mbi 2-vjeçare, gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së filloi në prillin e vitit 2023.
Që nga atëherë, kanë dëshmuar mbi 100 dëshmitarë. Shumica në seanca private, ku publiku i Kosovës nuk kishte mundësi të dëgjonte e shihte çfarë po ndodh.
Kjo me kërkesën e Prokurorisë dhe vendimin e Gjykatës, për sigurinë e dëshmitarëve.
Pas urdhrit nga gjyqtarët, Prokuroria e Specializuar në Hagë është e obliguar ta përfundojë rastin e saj më së largu në prill të vitit 2025.
Si rezultat, vazhdimisht Prokuroria po largon dëshmitarë, në mënyrë që ky afat i vendosur, të arrihet.
Avokatët e Hashim Thaçit kanë ngritur alarmin se në mesin e këtyre largimeve, janë larguar dy dëshmitarë me rëndësi jetike për të vërtetën në fund të procesit.
Pas përfundimit të rastit të Prokurorisë, do të jetë radha e avokatëve të krerëve të UÇK-së që të paraqesin dëshmitarët e tyre.
Ligjërisht, pas paraqitjes së rastit nga Prokuroria, avokatët kanë të drejtë ta kërkojnë hudhjen e aktakuzës.
Avokatët e krerëve të UÇK-së ditën e djeshme kanë bërë të ditur se synojnë ta shfrytëzojnë këtë mundësi, megjithatë afati është i shkurtër.
“Do të kërkojmë të paktën 1 muaj kohë për ta bërë kërkesën tonë”, tha avokati i Jakup Krasniqit.
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, bëri të ditur se do t’i duhen gjashtë javës për t’u përgatitur për ta paraqitur rastin e mbrojtjes. Ai theksoi se nuk planifikon të thërrasë më shumë se 10 dëshmitarë.
“Nuk kemi vendosur akoma se do të thërrasim dëshmitarë. Por, jo më shumë se dhjetë me kushtin që ky parashikim mund të ndryshohet”, tha Misetiq.
Siç thonë juristë e njohës të Speciales, procesi në Hagë mund të përmbyllet me një vendim në shkallën e parë, në fundin e vitit 2025, më së largu në fillimin e vitit 2026.
Për gjithçka që ka ndodhur gjatë 4 vjetëve në Hagë, ndiqeni videon më poshtë: